Konfuzion mediatik për armët kimike

PROF. AS. DR. DINE MERJA/
Pas fjalimit të kryeministrit Rama për asgjësimin në Shqipëri të Lëndëve Helmuese Luftarake(LHL) dhe vendimit të tij të detyruar për ti thënë jo këtij angazhimi,ka një fushatë reflektimi dhe dileme kundër jo-së të kryeministrit.Stuhia ka ndruar drejtim me 180°,madje diskutohet fati i humbur i Shqipërisë,prishja me Amerikën,flitet për ish-turmat e protestuesëve të painformuara,skicohen në faqet e para të gazetave imazhe protestuesish me kokë të zhytur në rërë dhe me këmbët përpjetë,panele gazetarësh në mediat televizive që bëjnë kompetentin për parrezikëshmërinë e asgjësimit të bidonave me helme etj.Të tjerë bëjnë thirrje që të shihet mundësia për ti thënë PO asgjësimit të bidonave me helme në Shqipëri.Në këtë fushatë nuk mungojnë as politikanë, deputet,ideologë partishë etj.Kjo katrahurë,flet më së miri se kush e bën informimin mediatik,politik dhe shtetëror në Shqipëri.Flet për faktin se disa gazetarë “kompetent” i dinë të gjitha dhe bëjnë edhe ekspertin në kimi,në fizikë,për centralet bërthamore,për armët atomike,kimike e gjithshka tjetër në rruzullin tokësor.Ata janë të gatshëm të bredhin nga njeri panel tek tjetri,të shkruajnë pamflete si protagonistë dhe të lëshojnë broçkulla të papërgjegjëshme në informimin e publikut.Në të gjithë këtë informim vetëm zëri i specialistëve nuk kërkohet,nuk ndigjohet apo nuk amplifikohet.Mjafton që dikush të thotë se do ta bëjnë specialistët e huaj dhe kjo është e mjaftueshme për ata. Atëhere pse të mos kemi edhe kryeministër të huaj,ministra të huaj,deputetë të huaj,gjyqëtarë të huaj,gazetarë të huaj,polici të huaj e kështu me radhë.Atëhere ku qëndron sovraniteti i një shteti,kontrolli i sigurisë kombëtare dhe i popullatës në tërësi nga vet bashkëkombësit e tij të aftë dhe të përgjegjshëm, të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë,në qoftë se vëndin e tyre nuk e zënë këshilltarët militantë partiakë,siç e kanë zënë deri më sot.
Në gjykimin tim si specialist,ky konfuzion është pasojë nga njëra anë e të qënit jo profesionist i fushës për të cilën diskutohet dhe së dyti nga keqinformimi edhe i kryeministrit për armët kimike dhe asgjësimin e tyre,i cili në fjalimin e tij prej 30 minutash u mundua të argumentonte se rreziku nuk do të ishte i madh sepse në Shqipëri nuk do të vinin armët kimike por bidona apo fuçi me lëndët helmuese.
Lidhur me këtë deklarim të kryeministrit Rama dhe për të gjithë reflektuesit dhe dilemtistët e ndikuar nga ky deklarim,dëshiroj të sqaroj konceptin teknik të gabuar se asgjësimi i armëve kimike qënka më i rrezikshëm se asgjësimi i lëndëve helmuese të tyre.
Së pari,duhet sqaruar se në qoftë se do të vinin armë kimike në Shqipëri,atëhere do të kishim armatosjen e saj me këto armë,kundra kujt ?. OKB-ja,SHBA-ja dhe Rusija,nuk kërkonin armatosjen e Shqipërisë me armë kimike duke ja marrë ato Sirisë,por kërkonin sjelljen në Shqipëri të predhave kimike dhe të stoqeve të lëndëve helmuese luftarake(LHL) që dispononte Siria në depot e saj për ti asgjësuar në Shqipëri.Kështu që përmëndja e armëve kimike për tu asgjësuar në Shqipëri nuk ka vënd.Pra diskutohet jo për rrezikun e asgjësimit të armëve kimike por për rrezikun e asgjësimit të predhave kimike eventuale dhe sidomos të lëndëve helmuse luftarake të Sirisë në Shqipëri,në masën e 1300 tonëve.Megjithatë,edhe sikur të vinin armë kimike në Shqipëri për asgjësim(e pallogjikëshme),duke e vlerësuar problemin në të gjitha hapat dhe proceset e transportit,ngarkim-shkarkimit,depozitimit dhe asgjësimit,sjellja si LHL në bidona apo fuçi është shumë më e rrezikëshme se sa sjellja si armë kimike e plotë(ku përfshihen:mjeti hedhës dhe predha kimike).Në këtë kuptim mendoj se edhe argumenti i kryeministrit Rama në fjalimin e tij për të lidhur rrezikun më të madh të asgjësimit të armëve kimike,nga asgjësimi i bidonave me LHL nuk kishte vënd.
Arma kimike e plote për qitje përbëhet nga: (1)- Mjeti për hedhjen e predhës kimike në një distancë të caktuar,në zonën që goditet dhe (2)- Predha kimike,e cila mund të jetë e tipeve,formave dhe kalibrave të ndryshme,që nga ato të thjeshta tip rakete disa kilogramëshe e deri në predha komplekse me sisteme elektromekanike e të telekomanduara,me kalibra të ndryshme në funksion të fuqisë dëmtuese të saj. Predhat kanë brenda tyre lëndën helmuese(të lëngët ose të ngurt) në kontenier metalik me mbyllje hermetike,e cila shpërndahet në zonën e goditur,nga hapja e kontenierit zakonisht me ndihmën e një detonatori special të vendosur në sipërfaqen e jashtëme të tij.Vetë lënda helmuese nuk ështe eksplozive,nuk është shpërthyese,nuk shkakton asnjë veprim shkatërrues mekanik apo flakërues,ruan natyrën kimike supertoksike në zonën ku shpërndahet dhe përhapet në hapësira të mëdha kryesisht nëpërmjet vektorëve atmosferik(erës) të zonës ku hidhet.
Vendosja apo heqia e predhës nga mjeti hedhës është një proces relativisht i thjesht dhe jo i rrezikshëm.Mjetet hedhëse pa predha kuptohet që nuk kanë asnjë rrezik dhe nuk ka arësye që ato të silleshin në Shqipëri për demontim bashke me lëndët helmuese,sepse do të ishte pakuptim shtimi i peshës së transportit për shkak të masës së konsiderueshme të tyre.Kështu që në Shqipëri do të vinin vetëm predha të mbushura dhe kryesisht lëndë helmuese në sasi të konsiderushme që përdoren në uzina për mbushjen e predhave dhe kontenierëve të tyre si dhe nënprodukte toksike të prodhimit të LHL të amballazhuara në fuçi të posaçme.
Nuk është vështirë të kuptohet se rreziku i asgjësimit lidhet më shumë jo me armët kimike,mjeti hedhës i të cilave nuk paraqet asnjë rrezik,po ashtu predha apo kontenierët janë të mbyllura hermetikisht dhe në një rast aksidenti rrugor apo magazinimi janë më të siguruara nga rrjedhjet e lëndës helmuese,ndërsa më të rrezikëshme janë pikërisht LHL-ët në fuçi,të cilat janë me rrezik shumë të lartë dhe në përmasa të mëdha gjatë gjithë proceseve të transportit,ngarkim-shkarkimit,depozitimit,të kushteve atmosferike,stuhive natyrore,lëkundjeve sizmike, gabimeve njerëzore etj.Plasaritja,çarja ose dëmtimi i fuçive apo përmbysja e një makine me fuçi 50-100 kg LHL do të përbënte një katastrof për një hapësirë shumë të madhe.Të gjitha këto përcaktojnë shkallën e rrezikëshmërisë në asgjësimin e LHL.
LHL janë supertoksike,prandaj janë edhe të rrezikëshme,për shëmbëll lëndë helmuese të tilla si: zarin,soman,tabun, mustard, VX etj,për shkak të toksicitetit shumë të lartë,kanë koncentrim të lejuar maksimal(KLM) në ajër, shumë të ulët,e barabart me një të miliontën e gramit për një metro kub ajër(1 mikrogram LHL për 1 metër kub ajër).Mbi këtë kufi ato janë me veprim toksik,duke shkaktuar dëmtime dhe sëmundje të ndryshme,ndërsa doza mortale e menjëhershme nëpërmjet frymëmarrjes është rreth 1-2 miligram.
Për të bërë një ilustrim më të detajuar mbi rrezikun toksik gjatë sjelljes,depozitimit dhe asgjësimit të LHL të sipërpërmëndura,mund të jepen të dhënat e mëposhtme:
Supozojmë se gjatë transportit,ngarkim-shkarkimeve,depozitimeve apo asgjësimeve të LHL-ve të sipërpërmëndura,ndodh një avari e rëndë,derdhen apo rrjedhin në mjedis rreth 1% e sasisë së përgjithëshme të LHL-ve.Pasojat do të ishin katastrofike.Lëngjet toksike të derdhura do të vet-avulloheshin si gaze në ajër,rrymat e ajrit do ti përhapnin ato me shpejtësi në drejtime të ndryshme,do të rritej niveli i helmeve toksike në ajër disa dhjetra herë më shumë nga niveli vdekje prurës,katastrofa do të ishte e pallogaritshme në njerëz,kafsh,ekosistem në tërësi.Mjafton të theksojmë se përhapja e LHL-ve pas kësaj avarie,vetëm në drejtim të shpejtësisë së erës(me rreth 10 m/sekond) do të përfshinte brënda një ore një zonë (në vijë ajrore,horizontale,paralel me sipërfaqen e tokës)me përmasa 36 km gjatësi,5 km gjërësi dhe 100 m lartësi nga toka dhe me nivel toksik të barabart me 170 mikrogram LHL për metro kub ajër,nga 1 mikrogram për metro kub që është niveli i lejuar maksimal,domethënë 170 herë më shumë,ndërkoh që ndotja do të vazhdonte të shtrihej edhe më tej në kohë duke arritur pas rreth 3 orësh distancën 100 km(për shpejtësi të njëjtë të erës),duke arritur niveli i ndotjes në pikën më të largët në rreth 60 herë më të lartë se niveli i lejuar.
Siç dihet,katastrofa e Gërdecit nuk erdhi nga armët luftarake(pushkët,mitralozët,topat, fishekët) por nga keq-manipulimi i barutit,nga kushtet e pa përshtatëshme ku ishte ngritur punishtja primitive për nxjerrjen e barutit nga predhat dhe shkeljet flagrante për manipulimin e tij. Këtu qëndron edhe rreziku i sjelljes në Shqipëri për asgjësimin e predhave kimike dhe të vet lëndëve helmuse luftarake,në rrethanat dhe kushtet e Shqipërisë që nuk është e përgatitur në kompleksitet për ta kryer këtë pa rreziqe apo aksidente.Madje edhe shtete shumë më të zhvilluara dhe të industralizuara se ne nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë,bash për këto rreziqe të mundëshme.
Në këtë shkrim,nuk u ndala në argumentimin e të gjithë faktorëve të rrezikshëm që duhen patur parasysh për mos angazhimin e Shqipërisë në këtë aksion.Ato janë shprehur nga ana ime në një shkrim gazetaresk(Telegraf,09.11.2013).
Personalisht si specialist,për arësyet e sipërpërmëndura jam shprehur kundër sjelljes për asgjësim të predhave kimike dhe LHL-ve në Shqipëri,dhe jam mëse i gëzuar për JO-në e kryeministrit Rama,në interes të atdheut dhe të popullit tonë,pavarësisht dëshirës së tij reale ndofta për shkaqe keqinformimi teknik që u theksuan më lart.
Reflektuesëve dhe dilemtistëve do tju uroja vazhdimësi optimiste për këtë problem se është bërë më e mira dhe se fitorja është shumë e rëndësishme veçanrisht për brezin e ri dhe brezat e ardhëshëm,të cilët i shprehën më së miri rreziqet e mundëshme,me thirrjet dhe pankartat që mbanin në duar gjatë protestave qytetare,europiane,të informuar shkencërisht,madhështore.Tek po shikoja imazhet e njerzëve me kokë të zhytur në rërë në faqen e Dita-s, mendova se bëhej fjalë për dilemtistët e territ informativ profesional.
Vlen për t’u theksuar se në këtë debat të madh për fatet e vëndit nuk u angazhuan personalitete ushtarake për t’u prononcuar sipas vizionit dhe mundësive të tyre konkrete. Me këtë rast do tju rekomandoja atyre që nëpërmjet Pentagonit të SHBA të paiseshin(në rast se nuk e disponojnë) mundësisht me një dokument tepër të rëndësishëm për këtë problem,hartuar nga insitucionet shkencore ushtarake Amerikane,i aprovuar dhe i shpërndarë nga Departamenti i Shtatëmadhorisë të Ushtrisë Amerikane,për të gjitha nivelet e komandave ushtarake,për të gjithë ushtarakët aktivë dhe rezervist,për Gardën Ushtarake Kombëtare dhe për të gjithë ushtarakët e SHBA me detyra jashtë Amerikës. Dokument i përpunuar çdo vit(DA PAM 385-61) është një material i hollësishëm me titull “Standardet e Sigurisë ndaj Agjentëve Kimikë Toksik(LHL)”.
Comments
Erion Brace thoshte: " A e
<p>Erion Brace thoshte: " A e dini ju cfare eshte Sarini, e prek me dore, nuk te ben asgje..."</p>
Add new comment