Fyle në Tiranë, për ne apo për vete?!

Postuar në 13 Nëntor, 2013 10:04

YLBER MARKU?/Tema e integrimit europian i ka shoqëruar shqiptarët në kto njëzet vitet e fundit si asnjë temë tjetër që ka të bëje me vendin dhe të mirën e përbashkët. Ështe folur ndër vite me terma të tilla mbi perspektiven europiane sa kane krijuar një mit, fatkeqësisht të rremë, sipas të cilit hyrja në Bashkimin Europian përbën nje Panacea (Ilaçi i te gjitha semundjeve) të përgjithshme që do çonte Shqipërine e shqiptarët në krijimin e standarteve të larta të mirëqënies.

Integrimin e vendit e ka penguar shumë e majta dhe po aq shumë (ne mos më shumë) e djathta por arsyeja e vërtetë e (mos) integrimit nuk qëndron komplet as te njëra e as te tjetra.

 

Shtytja per krijimin e Europes se bashkuar me Ballkanin brenda nuk vjen nga ne por nga proçese të jashtme dhe arsye gjeopolitike të rëndesishme.

Që në vitin 1923 ngriheshin zëra për nevojën e krijimit te Europës së bashkuar. Konti gjerman Richard Nikolaus Caudenhove-Calorgi publikonte një libër që qysh në titull është i tëri një program; në fakt titullohet “Pan Europa” dhe është një thirrje në formimin e një supershteti federal europian - në atë kohë kjo dukej një utopi. Pas Luftës së Dytë Botërore krijimi i europës së bashkuar ishte një nevojë jetike, nevojë për ti mbijetuar luftës së pashpallur mes dy blloqeve, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve te Bashkuara. Në fakt, përballë, ose më saktë në mes dy superfuqish botërore si SHBA dhe Bashkimit Sovjetik gjatë asaj lufte, që gabimisht u quajt e ftohtë, secili shtet europian i marrë më vete nuk kishte forcë të mjaftueshme, forcë e kuptuar në sensin e gjërë të kësaj fjale, prandaj një lloj bashkëpunimi filloj e u gjet në ato institucione që dalëngadalë kanë ecur në një proces të vazhdueshëm transformimi deri sa u bëne Komisioni Europian, Parlamenti Europian dhe gjithë institucionet e tjera mbështetëse që përbëjnë Bashkimin Europian.

Më vonë, kur perandoria sovjetike ra, shtysa për forcimin dhe përcaktimin e kufijve të Bashkimit Europian erdhi nga fakti se në përballjen botërore superfuqi të reja po lindin në skenën globale, pikë së pari Kina dhe India (por edhe te tjere qe perbejne grupin  BRICS). Pikërisht në ktë përballje të re, ku epiqendra e zhvillimive botërore po spostohet dalëngadalë nga Atlantiku Euro-Amerikan në Paqësorin Aziatik, qëndron arsyeja e zgjerimit të Bashkimit Europian me anëtare të rinj. E gjërë në gjeografi, e forte në ekonomi dhe e populluar për të pasur atë që ish ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer quan “masë kritike”. Vetëm me atë masë Europa do jetë e gatshme ti bëjë ballë konfrontimit ekonomik e politik botëror që shekulli i saponisur po shtron përpara. 

Në ktë optikë Europës së bashkuar nuk i ka ngelur veçse të perfshije në gjirin e vet edhe Ballkanin perëndimor i cili kështu siç ka qënë keto njëzet vitet e fundit nuk është gjë tjetër veç se një kancer i vërtetë në trupin e një europe që pretendon të jetë nje model.

 

Kështu që, e parë në ktë prizëm, integrimi i Ballkanit, e kështu i Shqipërisë, në BE është pjese e stratregjise së Europës për të pasur në gjirin e vet ktë qoshe problematike në mënyrë të tillë që ta paqësoje me modelin e saj të bashkëjetesës.

Shumë analistë, këtej nga Europa, thonë se në vitin 2007 edhe Rumania e Bullgaria u pranuan në gjirin e BE-së për arsye më të rëndësishme gjeopolitike të Europës - duhej mbyllur rrethi i jashtëm i përkohshëm kufizues me sferën e influencës ruse - sesa për arritjet e tyre që edhe sot mezi (nuk) e kalojnë nivelin shqiptar.

Në të njëjtën kohë, sidomos me luftën në Kosovë dhe menaxhimin e politikës së brendshme boshnjake, Ballkani ka qënë terreni i provës për BE-në, për kapacitetet e saj paqësuese e për kapacitetet e koordinimit të veprimeve mes shumë vendeve të ndryshme që BE-në përbëjnë. Prandaj, po të ishte për meritat e klasës sonë politike, vështire se mund të pranohemi në BE edhe për shumë vite të tjera. Por që për fatin tonë, për arsye gjeopolitike globale, do hyjmë edhe ne, sigurisht duke plotësuar disa kritere baze demokratike e duke pritur edhe disa vite të tjera.

Fyle prandaj, mendoj unë, erdhi, jo për të parë ndonjë ndryshim mbresëlënës, që do duhet kohë të ndodhë, por për ti shërbyer ksaj politikës së inglobimit të Ballkanit në BE. Ky është qëllimi, qëllim europian në radhë të parë që përputhet edhe me qëllimin tonë final. Ballkani nuk ndodhet në periferi të Europës e pranimi i gjithë vendeve të tij në BE është një nevojë pikë së pari europiane përveçse edhe jona. Për ne është nevoje modernizimi, për BE-në është nevojë gjeopolitike.

Prandaj ky strumentalizëm që politikanët tanë mundohen të bëjnë duke e nxjerrë opinionin e Europës, më saktë të përfaqësusëve të tyre që shpesh janë sic ka argumentuar ndonje analist vendas per ndonjërin prej tyre dritëshkurtër, gjithnjë nga ana e tyre nuk tregon veç se qorrsokakun ku janë futur dhe hipokrizinë me të cilën mundohen të dalin, sikurse edhe një ndjenjë të fortë inferioriteti ndaj ç’do gjëje që na thuhet nga BE-ja, a thua se asnjë qëndrim politik apo parim veprues mund të lindë në Shqipëri e të jetë në të njëjtën kohë legjitim.

Qeverisë së re i duhet me siguri të ndjekë ato udhërrefyesit e Komisionit Europian, por gjëja më e mirë që mund të bënte ( e mesa duket po bën) do ishte nëse bëhet shembull emancipimi për gjithë shoqërinë tonë që në këto njëzet vjet është barbarizuar nga e majta e pardjeshme dhe e djathta e deri sotme. Europës nuk është se duhet ti ngjajmë, të ngjash ndonjëherë do të thotë të jesh edhe nje kopje e keqe. Sfida është të behemi europiane ne vendin tone, jo për ata por për veten tone.

Në gjithë botën perëndimore qeveria dhe niveli i saj janë shprehje e popullit dhe nivelit të tij. Këtu tek ne, për fatin tonë të keq, është qeveria e sotme që i duhet të qytetërojë shoqërine, pikë së pari duke dhënë shembullin e saj komplet të kundërt me paraardhësit. Shpresojmë të jetë një shembull i mirë dhe frytdhënës.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.