E ka humbur BE-ja atraktivitetin?

Postuar në 28 Nëntor, 2013 07:19
Christoph Hasselbach

Entuziazmi për idenë e Europës është ftohur. A e ka humbur integrimi europian atraktivitetin për vendet joanëtare? Çfarë kanë të përbashkët Ukraina, Turqia dhe Islanda? Në shikim të parë, thuajse asgjë. Të tria vendet janë politikisht, ekonomikisht dhe nga ana kulturore shumë të ndryshme. Por, që të tria janë përpjekur vite më parë shumë për t’u lidhur me BE-në, kurse sot i kthejnë Brukselit më tepër shpinën. Dhe edhe në Ballkanin Perëndimor duket se entuziazmi për idenë e Europës është ftohur. Serbia p.sh. nuk është e gatshme që të pranojë sot humbjen e krahinës së saj të dikurshme, Kosovës. Me këtë qëndrim ajo bllokon edhe rrugën e saj drejt Europës. Çfarë ka ndodhur? A e ka humbur integrimi europian atraktivitetin e tij për vendet joanëtare?

Çdo rast është i ndryshëm

Kjo nuk është kaq e thjeshtë, edhe për shkak se arsyet e zhgënjimit për secilin rast janë të ndryshme. Në Ukrainë është thjesht presioni nga Moska. Presidenti Putin tha qartë dhe konkretisht se çfarë mund të ndodhë në qoftë se Ukraina kthehet nga BE-ja, dhe bëri oferta konkrete për përfitime në rast se nuk e bën këtë. Në rastin e Turqisë presioni nga jashtë nuk luan ndonjë rol. Turqia ka përshtypjen – që është e vërtetë – se shumica e europianëve e refuzon si anëtare të plotë, gjë që megjithatë nuk e pengon BE-në për të vazhduar negociatat duke e vrarë ndërgjegjja. Krejt ndryshe është puna me Islandën. Islanda e ka marrë përsëri veten pas krizës së rëndë financiare. Ajo nuk ka nevojë për BE-në për të dhe nuk është e gatshme të ndajë zonat e saj të peshkimit me të tjerët. Kurse Serbia është rob i së kaluarës.

Qeveria apo popullsia?

Po ka edhe një tipar tjetër dallues. Dhe ky është ndoshta më i rëndësishmi. Kjo ka të bëjë me pyetjen nëse janë qeveritë apo qytetarët që kanë humbur entuziazmin e tyre. Qeveritë ndryshojnë, dhe shumë politikanë ndjekin interesat e tyre personale. Kurse interesat dhe dëshirat e çdo shoqërie, janë shumë më të qëndrueshme. Kjo varet gjithashtu edhe nga shkalla e lirisë që kanë qytetarët për të shprehur mendimin e tyre në vendet e tyre dhe nëse qeveritë e marrin parasysh këtë mendim. Në këtë drejtim në rastin e Ukrainës duhet bërë dallimi mes shumicës së popullsisë që është pro BE-së dhe qeverisë, e cila ose preferon lidhjen me Rusinë, ose të paktën lejon që t’i diktojë rrugën Moska. Kurse në Islandë popullsia është dhe qeveria janë në mënyrë të qartë kundër Brukselit. Dhe në këtë mes nuk ka gjasa të ndryshojë shpejtë ndonjë gjë. Islanda është një nga vendet e pakta që i përmbush kushtet politike dhe ekonomike të BE-së që sot, por ajo nuk do të bëhet anëtare.

Disa kanë mundësi, të tjerë jo

Por t’i rikthehemi çështjes së atraktivitetit të BE-së. Edhe për këtë nuk mund të japësh një përgjigje të përgjithshme. Islandezëve Europa nuk mund t’u ofrojë as më shumë mirëqenie dhe as më shumë demokraci – se të dyja i kanë tashmë. Kjo është arsyeja pse islandezët nuk shohin tek anëtarësimi ndonjë fitim shtesë. Krejt ndryshe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Popujt e këtyre vendeve janë të etur për të qëndrueshmëri, sundim të ligjit dhe prosperitet. Ato vende janë shumë të dobëta dhe shumë të izoluara për t’u orientuar ekonomikisht dikur tjetër nga BE-ja. Për ta, e vetmja mundësi zhvillimi është në kuadër të BE-së. Si Turqia dhe Ukraina do të përfitonin vërtetë nga reformat demokratike. Por me madhësinë dhe pozitën e tyre gjeografike ato kanë alternativa në lidhje me orientimin e tyre ekonomik si në Lindjen e Mesme apo drejt Rusisë. Se çfarë u sjell atyre objektivisht më shumë përfitime, kjo është një çështje tjetër.  Në konsideratë duhet marrë edhe përshtypja se BE-ja vjen së pari me kërkesa: zhvilloni demokracinë, reformoni ekonominë, bëni sakrifica, dhe pastaj të shohim. Përfitimet duken abstrakte dhe të mundshme në të ardhmen e largët. Ky është edhe një problem komunikimi.

Jo kompromise të kalbura

Koha kur idenë e Europës nuk kishe nevojë t’ia sqaroje askujt, ka kaluar. Kjo dihet tani si brenda dhe jashtë BE-së. Dhe kjo është në fakt një gjë e mirë. Kjo mbron prej shpresave të tepruara. Bashkimi Europian dhe ato vende që duan të sqarojnë marrëdhëniet e tyre me të, duhet tregohen të matur në këtë punë. BE-ja nuk ka nevojë t’u lëpihet shteteve që nuk duan. Në rastin e Ukrainës pragu i vetëmohimit tashmë është tejkaluar. Dhe BE-ja duhet të ngulë këmbë te vlerat e saj. Kjo do të thotë që nuk duhet të bëjnë lëshime në lidhje me demokracinë dhe shtetin e së drejtës, për të mbajtur në sferën e saj të influencës një shtet me rëndësi gjeostrategjike. Ajo mund ta bëjë këtë duke e ditur se ka shumë për të ofruar. Këtë e dinë edhe qeveritë e këtyre vendeve. Kjo është arsyeja pse ata shpesh nuk i refuzojnë ofertat e Brukselit për bashkëpunim, por përpiqen vetëm që t’i marrin përfitimet me çmim sa më të ulët që të jetë e mundur. Por duhet të jetë e qartë se anëtarësimi nuk mund të blihet me çmim të ulët.

 

Nga Gazeta "Mapo" 

Comments

Submitted by vorioepirioti (not verified) on

Sigurisht qe e ka humbur forcen terheqese. Me nje ekonomi ne nje renie konstante, me nje psikologji popullsie rumpalle qe nuk ngjan aspak me ata popuj punetore qe e rindertuan ne 5 vite pas luftes se dyte boterore, me nje klase politike e cila ne rastin me te mire nuk di cfare do dhe ne rastin me te keq ne rendje me marsh te peste drejt ekstremizmit dhe me politike te jashtme aspak pragmatike e cila psh ne ceshtje mjaft te rendesishme per te ne aspektin tregtar si antaresimi i Turqise qe sjell me vete hapjen e tregut te lindjes se mesme sot amerikan, nxjerr pengesa te natyres fetare, a thua se ne france psh te dielave kishat jane plot. Politika europiane nuk mundi te kuptoje se pa nje bashkim te forte politik dhe pa nje imperializem pozitiv ne politike te jashtme qe do te sillte tregje te stabilizuar per ekonomine e vet, mrekullia do te krisej pas krizes se pare serioze. Dhe kur krisja ndodhi, ne vend qe te korrigjonin gabimet, duke pershpejtuar zgjerimin dhe pershpejtuar unifikimin politik, i ndaluan keto.
Personalisht jam euroentuziast, por druaj se BE nqs nuk riformaton vetveten nuk do te zgjase, dhe ashtu si ndodh pas pasioneve te forta, ndarja do te kete pasoja te renda.

Submitted by Vetevetja (not verified) on

<p>Kur gjerat shkojne mire te gjithe duhen shume. Kriza tregoi qe dashuria nuk&nbsp; ishte aq e &quot;thelle&quot;. Secili filloi te beje llogarite e veta pas krizes dhe filluan mosmarrveshjet.</p><p>Te vjen per te qeshur kur degjin qe flasin per vlera dhe parime evropiane, fryme vllazerore, evrope pa kufij, e dengla si keto. Na lodhen nga mengjesi ne darke me perallen e integrimit europian. Shqiperia duhet te behet shtet, dhe shtet per se mbari, para se te futet ne BE. Ndryshe do ta shkelin me kembe edhe me keq. Po Shqiperia shtet per se mbari nuk do behet ndonjehere keshtu si&nbsp; duket.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.