Ulrike Lunaçek i bën apel Spanjës e Co.: Njihni shtetin e Kosovës

Ulrike Lunaçek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka hartuar një raport për Kosovën, për të cilin është folur prej javësh. Ky raport ka mbërritur në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian, dhe ka gjetur miratimin e anëtarëve të këtij komisioni. Vetëm 6 anëtarë kanë votuar kundër raportit, ndërsa 54 syresh e kanë miratuar atë.
Emrat e 6 anëtarëve të këtij komisioni që votuan kundër nuk janë bërë ende të njohur, por me siguri ata nuk kanë rënë dakord me propozime e përfundime të caktuara të raportit. Fjala vjen, ky raport u kërkon pesë vendeve të BE-së që nuk kanë njohur ende shtetin e Kosovës (Greqi, Rumani, Sllovaki, Spanjë, Qipro) që të ndryshojnë mendim, e t’u bashkohen shteteve të tjerë që e kanë bërë këtë gjë qysh në krye të herës. Ndoshta ndonjërit prej tyre s’i ka pëlqyer ideja e apelit apo përpjekjeve për prishje të strukturave paralele në veriun e Kosovës, apo kërkesa tjetër që i drejtohet Komisionit Europian, që të realizohen marrëveshje kontraktuale mes BE-së e Kosovës.
Në planin e afirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës ky raport mund të quhet një sukses, por aty bëhet, gjithashtu, një qortim i fortë për zgjedhjet e fundit në Kosovë, në të cilat u vunë re probleme serioze.
Re.Pu.
Add new comment