Sulmet dhe grabitjet me armë s'kanë të sosur. Ndërsa Nishani thotë se nuk ka rritje të kriminalitetit

Postuar në 07 Shkurt, 2012 05:23

Sipas Ministrit të Brendshëm, i ftuar dje në emisionin Opinion, ndjenja e pasigurisë që ka kapur qytetarët pas vrasjeve, atentateve e grabitjeve me armë, që tanimë janë bërë mjaft të shpeshta, është produkt i të menduarit dhe interpretimit në mënyrë emocionale të këtyre rasteve nga gazetarët si dhe i disa tentativave me sfond politik për të sulmuar punën e policisë. Me pak fjalë, më tepër sesa për një përkeqësim real të situatës, bëhet fjalë për një perceptim dhe ndjeshmëri më të lartë nga ana e publikut. Më pas, ministri vijoi duke dhënë disa shifra mbi rritjen e ndjeshme të nivelit të zbulueshmërisë së krimeve të rënda për vitin 2011, mbi goditjet që i janë dhënë grupeve të trafikut të drogës, mbi bashkëpunimin tejet efektiv të Policisë Shqiptare me partnerët e saj të huaj e kështu me radhë. Zoti Nishani deklaroi po ashtu se policia është afër zbulimit të autorit të vrasjes të 25 vjeçares Megi Jokiçi në Komunën e Parisit.  

Shifrat dhe arritjet për të cilat foli zoti Nishani duken impresionuese dhe, padyshim, nëse gjykojmë nisur nga vlerësimet e raportet ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar disa arritje në luftën kundër trafiqeve. Por, është po aq e vërtetë se numri i vrasjeve e grabitjeve me armë, është rritur ndjeshëm. Disa vjet më parë sulmi ndaj një banke, një atentat me eksploziv apo goditje me armë nga makinat në lëvizje, realisht përbënte lajm. Sot këto ngjarje jo vetëm që janë bërë të shpeshta, por ato ndodhin në zona ku supozohet të ketë siguri maksimale, siç janë qendrat e qyteteve. Vetëm gjatë kohës që Ministri bisedonte me gazetarët, në Tiranë u shënuan edhe dy krime të tjera të rënda: u plagos me armë një person mu në qendër të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut, ndërkohë që në automjetin e personit që ishte objektivi i sulmit ku mbeti e vrarë 25 vjeçarja u gjet një sasi tritoli.     

M.M.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.