Strategjia e PS, të hapur për FRD e AK

Postuar në 23 Dhjetor, 2012 04:20

Partia Socialiste është e hapur të bashkëpunojë në zgjedhjet e ardhshme me të gjitha partitë e spektrit opozitar, përfshirë këtu edhe FRD dhe AK.

Në një takim të zhvilluar dje me grupin për strategjinë elektorale, Rama ka diskutuar bashkë me anëtarët e këtij grupi pune mundësitë e një koalicioni sa më të gjerë. Të gjitha partitë janë vlerësuar të mundshme për të qenë pjesë e koalicionit opozitar parazgjedhor, më 23 qershor 2013. Janë hedhur në tryezë të gjitha opsionet në favor dhe në disfavor të një bashkëpunimi me LSI-në, e cila aktualisht vazhdon të jetë në koalicionin qeverisës.

Janë vlerësuar qëndrimet e saj kundërshtuese të javëve të fundit të LSI-së ndaj disa vendimmarrjeve të qeverisë, duke i cilësuar ato si shenja afrimi. Të hapur socialistët janë shprehur dhe për të bashkëpunuar me partitë e Bamir Topit dhe atë të Kreshnik Spahiut dhe pse janë cilësuar si defekte deklaratat e forta nacionaliste të Spahiut. Por në takimin e djeshëm është thënë gjithashtu se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajin dhjetor, Partia Socialiste do të ishte 7 pikë përpara Partisë Demokratike. Ky është përfundimi i një sondazhi të zhvilluar nga një kompani amerikane për llogari të Partisë Socialiste. Kësaj radhe, grupi me të cilin Rama diskutoi për herë të parë në muajin gusht për tri ditë rresht kishte prurje të reja. Anëtarëve të Kryesisë socialiste dhe disa deputetëve i ishin shtuar dhe deputeti Arben Ahmetaj dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Takimi u zhvillua në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa ka vijuar më pas me një drekë pune.

Në qendër të diskutimit në takimin e djeshëm ishin rezultatet e një sondazhi që një kompani amerikane ka zhvilluar në 12 qarqet e vendit për llogari të Partisë Socialiste. Sondazhi i jepte Partisë Socialiste 42% të votave të të anketuarve, ndërsa Partisë Demokratike 35% të tyre. Nuk bëhen të njohura dhe për shkak të ruajtjes së një lloj konfidencialiteti të dhënat që sondazhi ka nxjerrë për partitë e tjera, si LSI, PBDNJ apo dhe partitë e reja, si Aleanca Kuqezi apo Fryma e Re Demokratike. Edhe pse sondazhi i jep avantazh Partisë Socialiste, anëtarët e grupit të punës që kanë diskutuar, kanë kërkuar që ai të merret si pikë referimi, por jo si një rezultat final mbi të cilin duhet garantuar fitorja. Kryesocialisti ka kërkuar që të vijojë puna me intensitet të lartë dhe me përgjegjësi në terren në marrjen e çdo vote të lëkundur dhe në konsolidimin e votave të majta. Një shifër, e cila për grupin e strategjisë është cilësuar favorizuese, ka qenë shifra 65% e të intervistuarve që kërkojnë rotacion politik. Krahasuar me një vit më parë, nevoja për rotacion politik është rritur me 8%. Por, sipas anëtarëve të grupit të strategjisë, kërkohet që të dhënat e sondazhit të detajohen edhe më shumë, pasi pasqyra e dhënë ka të bëjë me preferencat kombëtare dhe jo të ndara për çdo qark.

TEMAT E DISKUTUARA NË GRUP
TË DHËNAT E SONDAZHIT
• Partia Socialiste 42 për qind
• Partia Demokratike 35 për qind
• Nevoja për rotacion politik 65%
• Krahasuar me 2011, 8% më shumë kërkojnë rotacion
- Aleancë me të gjithë aktorët politikë
- Mundësia e një bashkëpunimi me LSI
- PS, e hapur dhe për bashkëpunim me FRD dhe AK
- Mbeten në koalicion PBDNJ, PDS, PSD, PSV91
dhe të gjitha partitë e koalicionit të 2009

PJESËMARRËSIT
• Edi Rama
• Gramoz Ruçi
• Blendi Klosi
• Ben Blushi
• Ditmir Bushati
• Damian Gjiknuri
• Sajmir Tahiri
• Fatmir Xhafaj
• Ilir Beqja
• Pandeli Majko
• Bashkim Fino
• Arben Ahmetaj
• Erjon Veliaj
• Eduard Shalsi
• Qazim Sejdini
• Niko Peleshi
• Vangjush Dako

ARISTIR LUMEZI

Burimi: http://www.panorama.com.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.