Spiegel: FMN s'jep më para, në shtator Greqia del nga euro

"FMN ka njoftuar udhëheqjen e BE se nuk do të marrë pjesë në ndihmën e mëtejshme për Greqinë". Kështu shkruan revista gjermane “Der Spiegel” dhe shton se "Greqia mund te falimentojë në muajin shtator”. Sipas këtij publikimi, "durimit të Fondit me Greqinë po i vjen fundi" dhe "drejtues të lartë të tij i kanë bërë të njohur udhëheqjes së BE-së, se FMN-ja nuk ka qëllim të ndajë më shumë para ndihme për Greqinë". "Nëse Greqia merr më shumë kohë për të përmbushur objektivat, atëherë do të kërkohen edhe para shtesë, ndaj shumë qeveri në Eurozonë nuk janë të gatshme të marrin pesha të reja, si psh Holanda dhe Finlanda që e kanë lidhur ndihmën e tyre me përfshirjen e FMN-së. Në këtë kontekst, historia vazhdon, rreziku i daljes së Greqisë nga Eurozona është tani shumë aktual", shkruan Spiegel.
Në të njëjtën gjatësi vale është edhe zëvendëskancelari i Gjermanisë Philipp Resler, i cili vë në dukje se dalja e mundshme e Greqisë nga euro nuk është më diçka që duhet të shkaktojë frikë. "Nëse Greqia nuk i përmbush detyrimet e veta, nuk mund të ketë pagesa të mëtejshme", tha Resler, i cili parashikoi se "fatkeqësisht, Greqia nuk do të mund të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj dhe vetë grekët do të arrijnë në përfundimin, se ndoshta do të ishte më mirë të braktisnin eurozonën". Në një intervistë për kanalin shtetëror ARD ai shtoi se të gjithë do të presin për të parë raportin e Trojkës në vjeshtë.
Sipas ministrit gjerman të Financave Wolfgang Schauble, qeveria greke po bën përpjekje herkuliane. "Devijimet në Greqi u bënë për dekada dhe populli po përballet me një krizë të madhe ripërshtatjeje, gjë që nuk mund të mënjanohet. Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Greqinë, por ajo nuk mund t’iu shmanget reformave strukturore. Nuk ka zgjidhje të kollajtë nëse Greqia don të rifitojë sërish akses në tregjet financiare”, u shpreh ai.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë Guido Westerwelle tha se "ne duam Greqia të qëndrojë në eurozonë, por kjo është në dorën e Greqisë”. Westerwelle hodhi poshtë mundësinë që Berlini të ketë rënë dakort për "një ndryshim thelbësor” në kushtet ndaj Greqisë, madje i bëri thirrje qeverisë greke "ta marrë këtë shumë seriozisht këtë".
Edhe Aleksis Tsipras parashikon falimentimin e Greqisë
Falimentimin e Greqisë parashikon lideri i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras, duke theksuar madje se qeveria shumë shpejt do ta paraqesë kthimin në dhrahmi si një sukses kombëtar. Në një intervistë për gazetën Real News, Tsipras thekson se premtimi për rinegociim të memorandumit (që bëri Samaras) mori fund mbrëmjen e zgjedhjeve dhe se zgjatja e afatit, “në thelb do të jetë një litar më i gjatë që të varemi”. I ashpër është edhe sulmi kundër ministrit të financave, për të cilin thotë se “edhe sikur t’ia linim Trojkës emërimin e këtij ministri, prapë zotin Sturnaras do të caktonin”.
Ndërkaq ministri grek i Financave, Janis Stournaras ka siguruar se shumica dërrmuese e popullit grek dëshiron qëndrimin e vendit në zonën e euros. Stournaras deklaroi në një aktivitet me bizeensmenë greko-amerikanë se “jashtë euros do të kemi një vdekje të ngadaltë dhe torturuese”, pasi sa kohë ekziston pasiguria, nuk do të ketë investime.
Trojka mbërrin nesër në Athinë, për takime të reja me zyrtarët grekë, nga të cilët pret të mësojë masat që do të marrin dhe shkurtimet që do të kryejnë, për kursimin e 11.7 miliardë eurove gjatë dy viteve të ardhshme.
Ballkanweb.com
Add new comment