Salianji: Rama pakëson kuotat për studime master dhe rrit tarifat

Partia Demokratike dënon masat e marra nga qeveria Rama për pakësimin e kuotave të masterit dhe rritjen e tarifës financiare për këtë nivel studimi. Në një deklaratë për mediat Salianji tha se PD do të mbështesë studentët për të kundërshtuar këto ndryshime në programet e studimit master. Duke u kërkuar kryeministrit Rama të tërheq vendimin, Salianji ka ftuar studentët që të bashkohen për të kundërshtuar këto masa.
Sipas PD ulja me 40 % e kuotave për masterat profesionalë dhe 30% për masterat shkencorë, si dhe vendimi për të paguar 30% të tarifës së studimit që në momentin e regjistrimit, është një shtrëngesë që u bëhet studentëve.
“Edi Rama po u pakëson çdo ditë shanset studentëve shqiptarë duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifën financiare. Është e pabesueshme se si një Kryeministër ndërhyn në këtë mënyrë në projektet, ëndrrat dhe dëshirat që kanë të rinjtë për t’u arsimuar e për t’u përgatitur për të ardhmen.
Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë. Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët.
Kjo sjellje armiqësore dhe ndërhyrje brutale në rrugën që studentët duan të ndjekin për t’u aftësuar e specializuar, është e papranueshme dhe nxjerr në pah tiparet e një Kryeministri që nuk e do shkollimin, nuk e do rininë të arsimuar. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare.
Ne i bëjmë thirrje studentëve të bashkohen e të kundërshtojnë këto masa represive të Edi Ramës. Ne përkrahim fuqimisht protestën e studentëve, dhe do të jemi me ta në çdo lëvizje që do të bëjnë për të fituar të drejtat që u takojnë.
Kur një kryeministër sulmon rininë dhe studentët, ai godet të ardhmen e vendit, godet gjithë shoqërinë. Por qytetarët po ngrihen. Studentët po ngrihen. Dhe ne do të jemi me ta për ta ndaluar të keqen”, tha Salianji.
Add new comment