Rikompozimi i KQZ, analistët: Të depolitizohet gjithë administrata

Postuar në 25 Dhjetor, 2011 09:30

Pak ditë pasi Komisioni i Venecias i ofroi klasës politike një paketë rekomandimesh për ndërtimin e Kodit të ri Elektoral, analistë dhe ekspertë në fushën zgjedhore japin argumentet e tyre për rikompozimin e KQZ-së. Ish drejtuesi i këtij komisioni, Çlirim Gjata, thotë për AS se çështja nuk duhet fokusuar vetëm tek riformatimi i KQZ-së por çfarë do të bëhet me gjithë administratën zgjedhore.

"Së pari, palët duhet të bien dakord që do ta ekzekutojnë këtë këshill të Komisionit të Venecias. Kjo është shumë e rëndësishme. Pra, a kanë vullnet këto palë për ta ekzekutuar këtë këshill. Çfarë do të thotë kjo? Që në parim ata duhet të bien dakord se si do ta ndërtojnë administratën zgjedhore. Do të ndërtojnë një administratë administrative shtetërore civile, administratë që funksionon si administratë, apo një administratë politike partiake, siç po funksionon sot", tha Çlirim Gjata, dekan i fakultetit juridik në UET.
Sipas analistit Skënder Minxhozi, sado perfekte të jetë formula e re e KQZ, ajo do të zerohet në rast se mungon vullneti i partive për tu distancuar nga ky komision.
"Përtej detajeve teknike dhe një formule teknike sado perfekte ajo qoftë, problemi i KQZ në Shqipëri është një problem më së pari politik dhe jo teknik. Duke vlerësuar dhe njëherë atë që këshillon Komisioni i Venecias, kam frikë se në harkun gjeografik që ndan dy brigjet nga Venecia në Shqipëri, ky propozim deformohet dhe shqiptarizohet në sensin negativ të fjalës. Kam frikë se edhe me këto këshilla do të ndodhë kështu se kjo është eksperienca në zgjedhjet e kaluara", thotë Skënder Minxhozi, analist.
Ish kreu i KQZ, shprehet se PD dhe PS duhet të bien dakord për të ekzekutuar rekomandimet e Venecias dhe OSBE/ODIHR-it. Sipas tij, formulat për përbërjen e re të KQZ janë të shumta.
"Variant tjetër është që mund të jenë gjyqtarë, totalisht gjyqtarë nga Gjykata e Lartë. Ose mund të shkojmë dhe më në ekstrem në konceptin tonë shqiptar, që ta organizojë ministria e Brendshme. E kanë shumë shtete të tjera dhe zgjedhjet shkojnë për bukuri", vijon Gjata.
Analisti Skënder Minxhozi u shpreh se është dakord për cilëndo formulë që mund të përdoret si zgjidhje për riformatimin e KQZ, por mbetet skeptik se kjo listë njerëzish do të manipulohet nga partitë e mëdha.
"Unë do të isha për çfarëdo lloj zgjedhje, për një zgjedhje ku të përfshihej sistemi i drejtësisë, ose për të bërë një zgjedhje ku parimisht të përfshiheshin nëpunës civil, ose të zgjerohej baza e institucioneve propozuese për KQZ duke u kthyer pak a shumë në formulën e vjetër ku futej dhe Presidenti i Republikës. Por gjithmonë mbetem skeptik në drejtim të asaj që thashë në fillim. Pra, që kjo listë njerëzish do të manipulohej nga partitë e mëdha", tha Minxhozi.
E vetmja mënyrë për të gjetur një pikë të përbashkët zjidhjeje është që partitë të pranojnë të heqin dorë nga kontrolli i KQZ. Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.