Rama takon investitorët italianë: Së shpejti ligji mbi investimet e huaja.

Postuar në 02 Mars, 2014 08:54

Gjatë qëndrimit të tij në Romë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me investitorë e sipërmarrës italianë, të cilët pritën me shumë interesim të njihen me potencialet që Shqipëria paraqet për zhvillimin e biznesit.

Ashtu si në vijim dhe të shumë takimeve të tjera me investitorë të huaj, Kryeministri e vuri theksin tek burimet dhe mundësitë e pafundme që vendi ynë ofron për ta, të cilat mund të zhvillohen suksesshëm, falë një politike fiskale, lehtësuese e favorizuese për investimet. Rama tha se Shqipëria ofron avantazhe të rëndësishme. Ajo ofron për investitorët italianë ato lehtësira dhe atë ambient që ata ëndërrojnë ta kenë në Itali.

“Në sektorin e manifakturës jemi duke përgatitur një tjetër paketë speciale me të tjera iniciativa. Ne kemi shumë nevojë për ta zhvilluar këtë sektor pasi kemi nevojë për më shumë vende pune. Gjatë prillit do të miratojmë ligjin mbi investimet e huaja në Shqipëri dhe një prej gjëravë që duam të bëjmë është krijimi i një sporteli të vetëm për investitorët e huaj. Kjo do të thotë se pavarësisht nga fakti se duan të investojnë në turizëm, transport në energji apo në telekomunikacion sipërmarrësit do të paraqiten në një sportel të vetëm, do vënë në dispozicion idenë e tyre dhe më pas është një rrugëtim i mirëpërcaktuar nga ligji”, deklaroi shefi i qeverisë shqiptare.

Kryeministri i ftoi investitorët të marrin iniciativën dhe të ndërtojnë suksesin  e sipërmarrjeve të tyre në Shqipëri, duke siguruar se klima për të zhvilluar biznes është tërësisht në favorin e tyre dhe mbështetja  e qeverisë po ashtu. Ai veçoi turizmin si një sektor me sukses të garantuar për investimet, pasi bukuritë natyrore, të pashfrytëzuara ende, janë të veçantat që Shqipëria ofron. Gjithashtu, kryeministri orientoi investitorët në sektorë të tillë si energjia, infrastruktura, bujqësia, etj. “Shqipëria duhet parë si porta  e një tregu të madh, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për  një treg shqiptar, por për një treg rajonal”  u shpreh kryeministri gjatë bashkëbisedimit të hapur me këta investitorë në Romë.Ai vuri në dukje se ne jemi vendi më i afërt me Italinë dhe një portë e Ballkanit.

“Ballkani sot nuk është më rajoni që ishte një vit më parë. Me marrëveshjen e paqes mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve praktikisht mori fund historia e konflikteve në Ballkan. 2014 është viti i parë që nuk ka vende në konflikt me njëri tjetrin. Tani të gjithë e kanë kuptuar se të vetëm mund të bëjmë pak sa i takon projekteve madhore”, vuri në dukje Kreu i Ekzekutivit.

Ai shtoi se mund të bëjmë të vetëm sa i takon investimeve direkte për shembull në manifakturë, agrikulturë turizëm, energji por nuk mund të shkojmë larg duke menduar për hekurudha apo autostrada të nivelit evropian që mund t’i ndërtojmë me buxhetet lokale.

” Unë mendoj se të gjithë kolegët e mi që udhëheqin vendet e tjera të rajonit janë shumë të disponueshëm për të punuar së bashku për të mirëpritur, mirëpranuar dhe për të mbështetur sipërmarrje që duan të investojnë në këtë drejtim”, përfundoi Kryeministri Rama.

  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.