Prishen veprat ujitëse në Korçë, u merret hekuri për skrap

Postuar në 25 Dhjetor, 2011 14:22

Epidemia e grumbullimit të hekurit për skrap po nxjerr jashtë funksionit veprat ujitëse në qarkun e Korçës dhe po kërcënon seriozisht të ardhmen e prodhimit bujqësor. Hekurmbledhësit po dëmtojnë rëndë vepra ujitëse dhe kulluese. Ky është shqetësimi që përcillet jashtë mikrofonit nga drejtuesit e Bordit të Kullimit në këtë qark. Nuk ka vepër të tillë që nuk është masakruar nga këta njerëz duke sjellë dëme prej miliona lekësh në veprat ujitëse. 

"Është fakt i dukshëm që tubat janë prerë. Ne si organizata nuk mund të evidentojmë më gjë. Ne bëjmë denoncime pranë organeve të policisë. Ata bëjnë punën e tyre dhe ne nuk kemi asnjë të drejtë për ta vazhduar më tej",- tha Shaban Doko nga Organizata e Përdorimit të Ujit, Bilisht. 

Në Qarkun e Korçës për vitin 2005 - 2010, sipas Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, janë investuar nga qeveria 6 milionë dollarë, duke vënë nën ujë edhe 5 mijë ha tokë fushore.

"Këto muajt e fundit në veprat ujitëse sidomos në sifona, urë-kanale, me tuba çeliku, po ndodh që po i vjedhin dhe po i dëmtojnë këto sisteme. Aktualisht kemi tre raste që janë vjedhur tuba çeliku në një gjatësi rreth 200 metra", - u shpreh, Edmont Zypçe, Kryetar i Organizatës Ujitëse në Devoll.

Nuk është vetëm nevoja për mbijetesë vjedhja e tubacioneve metalike, por është mënyra me e thjeshtë për të fituar më shumë para. Destinacioni i hekurit për skrap, janë subjektet që merren me mbledhjen dhe riciklimin e mbetjeve urbane e industriale.

 

Jorgjeta Gjançi

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.