Panariti: Biseda me Avramopulos për Çamërinë

Postuar në 07 Dhjetor, 2012 03:26

Ministri i Jashtëm: Çështja e kufijve, e mbyllur. Ministri grek më tha: Shtro në tavolinë çfarëdo çështjeje. Në mars do shkoj në Serbi”.

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, tregon negociatat me Serbinë dhe Greqinë në takimet me homologët e këtyre vendeve. Në një intervistë në emisionin “Bugajski Hours” në Albanian Screen, ai thotë se gjatë vizitës së diplomatit serb në Tiranë u tentua të nënshkruheshin 14 marrëveshje, por në fund nuk u realizuan. Gjithashtu Panariti tregon edhe bisedën në Athinë me Avramopulos. Ka lëvizje tani në të dyja vendet, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, që thonë se zgjidhja më e mirë është bashkimi si një vend i vetëm. Cila do të ishte përgjigjja juaj ndaj kësaj?

Unë do të thosha se çështja e kufijve në Ballkan është mbyllur dhe nuk është nevoja që ato të rishikohen, përndryshe do të hynim në andralla të reja. Meqë ra fjala, qëllimi i përbashkët i Kosovës dhe i Shqipërisë është të hyjnë në BE. Dhe paskëtaj do të kemi kufij virtualë, sepse do të jemi pjesë e një bashkësie më të gjerë. Pra, sfida jonë e përbashkët është të rrisim marrëdhëniet tona, të përmirësojmë ekonominë… të zhvillojmë infrastrukturën. Ju e keni vënë re se tani po bëjmë zhvillime të mëdha. Po zhvillojmë infrastrukturën, sidomos në pjesën veriore të Shqipërisë. Kemi një autostradë të re. Tani mund të shkosh në Prishtinë në më pak se tri orë.

Kur do të shkoni në Beograd?

Ndoshta nga fundi i marsit të vitit të ardhshëm. Por kjo ngelet ende për t’u konfirmuar. Pra ne ndajmë të njëjtin opinion, në mënyrë që të jemi seriozë dhe të jemi të angazhuar për t’u dhënë hov marrëdhënieve tona, ne duhet të japim. Të japim marrëveshje të nënshkruara në të gjitha fushat. Në njohjen reciproke të diplomave, marrëveshjet doganore, marrëveshjet e transportit, njohjen e patentave të qarkullimit të qytetarëve. Pra këto janë arritje konkrete, të cilat tregojnë dëshirën e çiltër të të dyja vendeve për të rritur dhe promovuar bashkëpunimin e ardhshëm. Shpresoj se kjo frymë e të ofruarit të rezultateve konkrete do të mbizotërojë…, deri tani ne kemi dhënë shenja vetëm mbi dëshirën për të shtuar marrëdhëniet tona, por akoma nuk kemi arritur ndonjë marrëveshje. Pra, them se tani është koha të prodhojmë. Madje dhe z. Mrkiç dha shenja se ai ndante të njëjtin mendim. Shpresoj që gjatë vizitës sime në Beograd ne do të jemi në gjendje të firmosim një pjesë të marrëveshjeve.

Një pyetje pak më e vështirë. Greqia. Marrëdhëniet shqiptaro-greke. Di që kohët e fundit ishit për vizitë në Athinë dhe shtruat disa çështje tejet të rëndësishme; çështja e kufirit detar, ajo e Çamërisë. Si do ta përshkruanit marrëdhënien me Greqinë? Në ç‘nivel janë tani? Cila është e ardhmja e tyre?

Pata mundësinë të takoja Dimitris Avramopulos, mikun tim të mirë, ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe fillimisht u takuam gjatë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe gjatë takimit tonë të parë i lashë të kuptonte dëshirën time që të adresonim, që të shqyrtonim çdo çështje “të pazgjidhur” mes dy shteteve. Kjo ishte qasja ime. Çështje që i përkitnin së shkuarës dhe çështje të aktualitetit të sotëm. M’u bë qejfi që z. Avramopulos nuk kishte paragjykime. Më tha: “Të lutem, Edmond, fol! Shtro në tavolinë çfarëdo çështjeje që të duket e rëndësishme në marrëdhëniet tona”. Fillova me çështje historike si ajo e Çamërisë dhe pronat e shqiptarëve në Greqi dhe nuk prisja që qëndrimet greke të ishin ato që donim ne. Sigurisht që z. Avramopulos la të nënkuptoja që çështja e Çamërisë dhe pronat e shqiptarëve në Greqi është çështje që duhet trajtuar nga individë të caktuar në gjykatat greke. Ky ishte qëndrimi i tij. Ne e shohim pak më ndryshe, por të paktën arritëm t’i shtronim në tryezë. Sigurisht, janë edhe shumë çështje të tjera që u interesojnë qytetarëve, si arritja e marrëveshjeve për dokumentet e udhëtimit, certifikatat, për të cilat duhet të arrijmë një kompromis përsa u përket disa toponimeve, që ka shkaktuar mosmarrëveshje dhe që po krijojnë pengesa për qytetarët tanë për të lëvizur lirshëm në kufi. Pastaj duhet të punojmë edhe për çështje të tjera të rëndësishme, si marrëveshjet për transportin publik. Duhet të punojmë për arritjen e disa marrëveshjeve përsa i përket njohjes reciproke të patentave dhe sigurisht, edhe çështja e kufirit detar…

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.