Për ty atdhe… ose për ty Inva Mula

Postuar në 01 Dhjetor, 2012 11:07

Një titull nderi, një album e një koncert gala me muzikën më të mirë shqiptare kanë sjellë sërish në Tiranë sopranon Inva Mula. Që, si gjithmonë, ka ditur ta bëjë dhe shfrytëzojë mirë zhurmën mediatike. Me muzikën e saj por dhe miqtë VIP. Pikërisht atëherë kur i duhej… me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, sigurisht

E vogla familje e madhe e Invës dhe Et’hemit  

Po të bësh bashkë fëmijët e Et’hem Ramadanit, djalin e Inva Mulës dhe vogëlushen e tyre të sapolindur, Nina, familja bëhet e madhe. Por në ceremoninë e titullit “Nderi i Kombit” që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dha, sopranoja kishte zgjedhur të prezantohej si familje e vogël. Siç i ka interesuar më shumë, sigurisht. Ka qenë ky momenti më i mirë për t’u shfaqur publikisht me vajzën që solli në jetë pas më shumë se 15 vjetësh nga lindja e parë, në martesën e saj të parë me Pirro Çakon.

Më në fund pak relaks

Pas një axhende tejet të ngarkuar për festimet e 100-vjetorit nga Tirana në Vlorë e pastaj prapë në Tiranë, në datat 27- 28 Nëntor, koncerti gala në Pallatin e Kongreseve, organizuar nga Inva Mula, ka qenë vërtet një moment relaksi jo vetëm për presidentin Nishani e kryeministrin Berisha, por dhe për gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar që i kanë ndjekur nga pas, pothuajse në çdo aktivitet. Dhe kjo ndalesë ia ka vlejtur më shumë se çdo gjë tjetër në këtë 100-vjetor.

Dy Tukiçë dhe një këngë 

Aty ku është Inva është gjithmonë dhe Genc Tukiçi. Jo vetëm pse janë miq që prej fëmijërisë së tyre, por dhe sepse prej vitesh janë dhe bashkëpunëtorë shumë të mirë. Tukiçi (i vogli) jo vetëm orkestron këngët, por është dhe pianisti i saj personal në Paris. Bashkë e kanë realizuar dhe albumin që promovuan pak ditë më parë “Për ty atdhe”, ku nuk mungonte dhe kënga “Dhuratë për ditëlindje”  (ose siç e njohim të gjithë, kënga e globit që rrotullohet), e kënduar nga Tukiçi tjetër (ai i madhi). Dy vëllezërit, që tashmë jetojnë larg prej njëri- tjetrit (që kur Davidi vendosi të rikthehej në Tiranë), janë bërë bashkë në këtë promovim.

Shoqe e të pandara

Zana Çela dhe Inva Mula, janë ndër të paktat e brezit të tyre që e kanë ruajtur të pacenuar miqësinë e fëmijërisë mes tyre. Nëse lidhjet e tjera të sopranos këtu në Tiranë janë lëkundur jo pak herë, për arsye të ndryshme, me miqtë e bashkëpunëtorët e tjerë, me Çelën gjithçka mbetet si më parë. Madje Mula nuk nguron asnjëherë (pavarësisht axhendës së koncerteve të saj nëpër botë) të jetë e pranishme në aktivitetet e Çelës këtu në Tiranë, ndaj dhe kjo e fundit nuk kishte si të mungonte ditën e promovimit të albumit të saj.

Fullani, në çdo hap

Ka qenë E’them Ramadani, vetë Inva Mula, apo pasioni për muzikën klasike arsyeja më e fortë që e ka bërë Ardian Fullanin, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë të ndjekë me përpikëri jo vetëm koncertin gala të sopranos (ku ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Arjana Fullani), por dhe promovimin e albumit të saj të ri?! Ajo që dihet me siguri është se Fullanët e njohin dhe e shijojnë shumë muzikën dhe artin që vlen.

Më në fund rikthimi i Shkullakut

Miqtë dhe kolegët e tij kishin kohë që përpiqeshin t’ia mbushnin mendjen Armand Shkullakut të ikte nga “Klan Kosova” e të kthehej sërish në Tiranë. I ka qëndruar stoik vendimit të tij për të mos pranuar asnjë lloj oferte, por më në fund është dorëzuar. Ka vetëm pak ditë që ka pranuar postin e Drejtorit Informativ në ABC News. Nuk dihet se kush e çfarë ia ka prishur mendjen më në fund, por një gjë është e sigurt: Shkullaku duhet të jetë kthyer, pa diskutim me kushtet e tij.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.