Nikoliç: Jam i gatshëm ta marr Kosovën mbi supe

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka deklaruar se do t’i mbledh të gjithë ata serbë që mund të kontribuojnë në hartimin e një platforme për bisedime me Kosovën. Ai ka thënë se në këto bisedime do të ftojë edhe Kombet e Bashkuara.
“Me padurim pres formimin e qeverisë së re dhe nëse ajo dëshiron të më ngarkojë me çështjen e Kosovës, do ta marr mbi supe. Do t’i mbledh politikanët, intelektualët, përfaqësuesit e Kishës, biznesmenët, që të hartojmë një platëforëmë të përbashkët në përputhje me Kushtetutën dhe në interes të qytetarëve të Serbisë”, ka thënë Nikoliç.
Nikolic ka folur edhe për marrveshjet e arritura në Bruksel ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Ai ka thënë se ka vërejtur edhe gabime pasi sipas tij shumëçka është bërë me nguti, me qëllim që Serbia të merr statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ka marrëveshje, siç është ajo për fusnotën, që ne e interpretojmë ndryshe, ndërsa shqiptarët dhe Bashkimi Evropian e interpreton ndryshe. Po ashtu e shoh me skepticizëm marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve. Pastaj është problematike marrëveshja sipas së cilës serbët e veriut për t’u pajisur me tabela duhet të nëshkruhen si shtetas të Kosovës. Andaj, kur të përballemi me këto dokumente, shohim se kemi të bëjmë me marrëveshje ndërshtetërore, dhe çfarë do të bëjmë?” raporton “telegrafi”.
Nikolic ka kritikuar edhe ish-shefin e grupit negociatës serb, Branislav Stefanovic. Ai ka thënë se nuk e di se sa serioze kanë qenë këto bisedime, kujt i përgjigjet Stefanoviç dhe me çfarë merret ai aktualisht. Sipas tij, disa nga këto marrëveshje janë kundër interesave të Serbisë, porse “kanë një të mirë, nuk janë nënshkruar”.
I pyetur se cila është platforma e tij për Kosovën, Nikoliç nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje konkrete. “Kosovën nuk do ta lejojmë të bëhet anëtare e OKB-së. Do të përpiqemi që ta bindim bashkësinë ndërkombëtare të pajtohet me një status sikurse e kanë gjermanët në Belgjikë, apo të Tirolit Jugor. Pra ka zgjidhje që do të ishin në kuadër të Serbisë të pranueshme edhe për shqiptarët, por e keqja këtu është se askush nuk e përmend më as Rezolutën 1244”.
Nikoliç iu është përgjigjur edhe kritikave pas deklaratës së bërë se nuk do të jetë kurrë më kryetar i Prishtinës. “Nuk e di se si të shkoj në Prishtinë. Le të më tregojë dikush se si ta bëjë këtë, të shkoj i hipur në tank? Unë nuk kam mundur të shkoj atje kur kam qenë lider i opozitës, ashtu sikurse nuk ka mundur të shkojë kur ka dashur as ish-presidenti (Boris Tadiç)”, ka thënë Nikoliç.
Lidhur me veriun e Kosovës, Nikolic ka thënë se kjo pjesë nuk mund të integrohet me vendim të dhunshëm të (kryeministrit të Kosovës) Hashim Thaçit dhe as me aksionet e KFOR-it. Ai ka thënë se një sulm eventual ndaj serbëve të veriut do të thoshte sulm ndaj Serbisë, e kjo sipas tij, do të thotë përgjigje me sulm.
Ballkanweb.com
Add new comment