Invalidët e punës: Diskriminim, pensione qesharake

Në vendin tonë përllogariten 52 mijë invalidë pune të cilët trajtohen me pension sipas kategorive përkatëse, ndërsa këto të ardhura nuk mjaftojnë as për të përballuar nevojat minimale të jetës. Edhe pse rej vitesh kanë kontribuuar në skemat e sigurimit, ata sot gjenden më të diskriminuarit në të ardhurat e tyre. Në një intervistë për Albanian Screen, kreu i kësaj shoqate thotë se nga lehtësirat e ofruara nga qeveria, invalidët e punës përfitojnë vetëm 10 për qind, ndërsa me dokumentat që u ka dhënë shteti shqiptar ata kanë më shumë favore në vendet evropiane se sa në Shqipëri.
"Po dëgjoj këto ditë që zihen problemi i imunitetit, kush i ndaloi, çfarë imuniteti duhet të kenë, është një fjalë goje heqja e imunitetit. Përsëri nuk është i barabartë me mua ai se një deputet fëmijët shkon i shkollon jashtë shtetit, kurse fëmijën tim e kam hequr nga shkolla, ishte shkëlqyeshëm me mësime. E kam hequr nga shkolla se unë me 70 mijë lekë nuk e përballoi dot fëmijën në shkollë, e kam futur në punë, ky është diskriminimi që i bëhet shtresave", thotë Abdulla Omuri, kryetar i shoqatës së invalidëve të punës, në Shqipëri.
Kjo situatë ka detyruar disa shoqata të bashkohen në një aleancë ku në zgjedhjet e përgjithshme të 2013 tu prishin punë partive kryesore. Sipas Omurit, edhe pse premtimet kanë qenë të mëdha që nga viti 2006, tashmë të verbërit, minatorët, para dhe tetraplegjikët do të punojnë me atë forcë politike e cila do të nënshkruajë ligjërisht kërkesat e tyre.
"Sivjet dhe të verbërit dhe paraplegjikët, dhe njerëzit që nuk dëgjojnë, familjet e atyre me zhvillim të vonshëm mendor janë të bindur që këtu nuk ka një progres në këtë drejtim dhe të gjithë së bashku bëjnë 140 mijë veta. Në qoftë se asnjë forcë politike nuk do të marr përsipër interesat e invalidëve të punës, ne do ti prishim shumë punë politikës. Invalidët e punës nuk do të jenë më numëror topi", tha Omuri.
Mosha mesatare e invalidëve të punës në vendin tonë është 49 vjeç, shumica e të cilëve janë kryefamiljarë. Pensioni mesatar për këtë kastë personash arrin deri në 17 mijë lekë për invalidët e plotë dhe 9 mijë lekë për ata të pjesshëm ndërsa shpenzimet mujore që i duhen një invalidi kapin shifrën e 42 mijë lekëve.
Albanian Screen
Add new comment