Greqia duhet të presë deri në tetor për ndihmën 31.5 mld €

Greqia nuk do mundet ta marrë këstin e ardhshëm të ndihmës prej 31.5 mld euro, para muajit tetor.
“Trojka do të rikthehet në Athinë në fillim të shtatorit dhe do të qëndrojë aty gjithë muajin”, thanë burime evropiane për AFP, duke shtuar se vlerësimi i Trojkës për ecurinë e reformave në Greqi, mund të përfundojë në tetor.
“Raporti i Trojkës mbi ecurinë e programit grek do të paraqitet në një takim të ministrave të financave të eurozonës më 8 tetor, që do të thotë se Greqia nuk do të marrë dozen e ndihmës prej 31 miliardë euro para kësaj date”, thonë burimet për AFP.
“Vlerësimi pozitiv për lëvrimin e transhit të 31.5 miliardë eurove nuk është i garantuar”, vuri në dukje burimi dhe theksoi se "ka ende shumë punë për të bërë".
Ndërkohë, qeveria greke është duke detajuar planin e kursimit të 11.5 mld euro.
Partnerët në qeveri, Venizelos e Kuvelis janë shprehur totalisht kundër pushimeve nga puna. “Personalisht, jam angazhuar para zgjedhjeve se nuk do të ketë pushime nga puna në sektorin publik dhe ky angazhim i imi mbetet absolutisht në fuqi”, theksoi Venizelos. Kategorikisht kundër u deklarua edhe Fotis Kuvelis, që e cilësoi rezervën e punës, një “fiasko”.
Kryeministri Samaras tha se, kërkohen "shkurtimet më efektive me mënyrat më pak të dhimbshme për shoqërinë". Kryeministri quajti papunësinë një "armik" të qeverisë dhe tha se do të diskutohet gjithçka. Ai vuri në dukje se "nuk do të kthehemi në zgjidhjet, të cilat kanë dështuar në të kaluarën", ndërsa ministri i Financave deklaroi prerë se “duhet të gjenden 11,5 miliardë euro dhe ne do t’i gjejmë".
Mësusesit, grevë më 12 shtator kundër uljes së pagave
Mësuesit grekë vendosën të bëjnë grevë "me zilen e parë", për shkak "të mjerimit ekonomik, veçanërisht të mësuesve të rinj, të cilët janë të detyruar të jetojnë nën minimumin jetik, me pagat e urisë, 570 euro", siç thuhet në njoftimin zyrtar. Më 11 shtator, ditën e hapjes së vitit të ri shkollor, mësuesit do të mbyllin në mënyrë simbolike për dy orë, Drejtoritë e Arsimit në gjithë Greqinë, ndërsa më 12 shtator, do të mbajnë grevën 24-orëshe.
Mësuesit e shkollës fillore protestojnë gjithashtu kundër vendimit të Ministrisë së Financave dhe të Kulturës për të hequr mundësinë e hyrjes së lirë të mësuesve në vendet arkeologjike, muze dhe monumentet historike.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment