CEZ pas vendimit të ERE: Bllokohen investimet

Postuar në 17 Dhjetor, 2011 05:01

 

CEZ Shpërndarje ka shprehur dje qëndrimin e saj për çmimin e ri të energjisë, një ditë pas vendimit që mori Enti Rregullator i Energjisë.

Në kohën kur çekët kishin aplikuar për një rritje mesatare prej 4.6 për qind të çmimit të energjisë, ka ndodhur krejt e kundërta dhe tarifa e tyre është ulur me 19 për qind. Edhe pse çmimi mesatar i shitjes së energjisë nuk ndryshoi dhe mbeti 9.53 lekë për kilovat orë, tani CEZ-it do t’i duhet që të blejë më shtrenjtë nga KESH dhe të transmetojë më shtrenjtë me OST. Në një deklaratë të CEZ Shpërndarje, të shpërndarë për mediat ditën e djeshme, kompania shprehej se tarifat e vendosura nga ERE bllokojnë marrjen e huas 65 milionë euro për investime e, për rrjedhojë, kjo do ndikojë direkt në planin që kompania kishte. “Ky vendim nuk është në linjë me parakushtet e caktuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporatës Financiare Botërore (IFC) për lëvrimin e huas 65 milionq euro, që CEZ Shpërndarje ka marrë në mënyrë që të përmbushe planin e investimeve. Në këtë kontekst, ky vendim do të ketë ndikim të madh në situatën financiare të kompanisë dhe në sasinë e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e CEZ. Kompania nga ana tjetër thekson se ulja e tarifës në masën 19 për qind nga Enti Rregullator ka prekur zëra të rëndësishëm që lidhen me shpenzimet operacionale, duke përfshirë këtu edhe pagat e punonjësve. Dy ditë më parë, Enti vendosi që çmimi i energjisë për konsumatorin final të mos ndryshonte dhe të mbetej mesatarisht 9.53 lekë për kilovat/orë. Fashat mbrojtëse të shtresave në nevojë mbetën në fuqi dhe, të gjithë ata që konsumojnë nën 300 kilovat, do të paguajnë me 7.7 lekë kilovatin, kurse ata mbi 300 çdo kilovat, më shumë se 13.5 lekë. CEZ nga ana tjetër do i blejë KESH-it energjinë me 2,83 lekë për kilovat/ orë, nga 1.48 që i blinte dhe do transmetojë përmes OST-së me 0.65 lekë për kilovat orë, nga 0.6 që transmetonte. Vetëm për orët e pikut energjia do të ketë një rritje 15 për qind.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.