SHBA-BE, konsensus për antikorrupsionin: Të mos preket reforma në drejtësi
Ambasada e SHBA në Shqipëri dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian vërejnë një nxitim të mazhorancës në nismën për ngritjen e komisionit të posaçëm i cili synon një cikël të ri reformash.
Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në vend ai I SHBA dhe BE-së kanë reaguar për Zërin e Amerikës ku kanë konstatuar nxitimin e PS-së në miratimin e rezolutës dhe brenda 5 ditësh vendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm.
Dokumenti i miratuar në parlament të enjten fletë për një proces gjithëpërfshirës shoqëruar me konsultime të gjera por në fakt opozita pretendon se mazhoranca nuk është konsultuar me të ndaj në të dyja rastet vendosi të bojkotojë votimin.
Në lidhje me këtë çështje Ambasada e SHBA e ka kushtëzuar mbështetjen me “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm po ashtu do të jetë kyçe dhe për mbështetjen tonë për të”.
Ndërsa delegacioni evropian në reagimin e dhënë për Zërin e Amerikës kërkon proces transparent.
“Konsultimet kuptimplotë dhe gjithëpërfshirëse janë po aq të nevojshme sa gjithnjë, duke marrë parasysh rëndësinë thelbësore të çështjeve të trajtuara nga kjo nismë. Do të jetë thelbësore të arrihet një mbështetje ndërpartiake. Është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile”.
Si Ambasada e SHBA ashtu edhe ajo e Bashkimit Evropian kanë vendosur theksin e tyre tek nevoja që të mos preket reforma në drejtësi.
“Theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në parlament për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e komisionit të posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”, shprehet Ambasada e SHBA.
Ndërsa delegacioni i BE thekson se, “Udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e pare. Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE. Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta”.
Mazhoranca miratoi të enjten në parlament me 74 vota pro ngritjen e komisionit të posaçëm antikorrupsion me 11 anëtarë. Ndërkohë opozita ishte më e paqartë pasi 6 ligjvënës votuan kundër ndërsa pjesa dërrmuese nuk mori pjesë në votim.
Add new comment