Ka vetëm një Berishizëm: Ai Mediatik, e që prodhoi heronjtë e rremë të Fjalës së Lirë

Postuar në 31 Dhjetor, 2023 12:26
Skerdilajd Zaimi

 

Ka nisur të celebrohet në disa media dhe nga disa njerëz të gazetarisë ai që po quhet fundi i Berishizmit. Në variantin më të thjeshtë me berishizëm nënkuptohet ideja e paprekshmërisë, e pandëshkueshmërisë, e sunduesit përkundrejt qeverisësit.

Përtej kësaj, çfarë është Berishizmi? Askush nuk di ta thotë, por ne mund të hamendësojmë nisur nga përvoja politike e këtyre dekadave se berishizmi, siç tematizohet ai në shkrime të këtyre gazetarëve dhe pronarëve, është një miksturë katundarie, vulgu, bajraktarizmi, banditizmi, prirjeje antishtet dhe gatishmërie për dhunë, në kontesktin e supozuar të një mjedisi të qytetëruar që kontraston këtë kapilar anakronizmi dhe prapakthimi.

Dumbabizmi është përcjellë shpesh si analogji e berishizmit, si pikë referuese e saj, origjinë ideologjike, ndërkohë që rrugës i është shtuar edhe esadizmi.

Për ata që e njohin pak historinë është e qartë se këtu janë hedhur në veprim të gjitha izmat e të ashtuquajturës të majtë shqiptare që kultivoi një sens polemizues dhe destabilizues me dështakun Fan Noli dhe mandej me riciklimin “e letërsisë së angazhuar” të fillim shekullit të 20-të në formën e literaturës politike dhe propagandistike e deri te kinematografia.

Është një repertor ky i gjerë dhe i thellë i kultivimit të stigmave dhe ngjyrimeve dalluese, që qëndron e funksionon mbi to, stigma që besohen si të mirëqena edhe nga ata që i përdorin kuturu. Janë shndërruar ato në pika referimi, në aspekte identitare dhe përkatësie që erdhën e morën kalori të shtuara me atë që dikur Maks Velo e quajti “dyndja kuksiano-tropojane”, pasuese sipas tij e “dyndjes më të hershme të linjës Kadri-Enver”.

Nëse do e pranojmë si të vërtetë këtë lexim të një “artisti që kishte lindur në Paris”, do të themi se interpretimi kryesor i historisë së shtetformimit shqiptar kalon vetëm nga polemika e mësymjes së vulgut në majën e shtetit dhe të kulturës.

Mirëpo është pak e vështirë të pranohet si e vërtetë një qasje e tillë pa zbardhur mirë të vërtetën e kësaj të majte që me të vërtetë dominon mendimin intelektual dhe instiucionet e kulturës dhe tekstshkrimin prej dekadash, por që lë në hije dhe nuk pranon të evidentojë si tipar kryesor të pushtetit të saj Krimin politik të konsumuar pikërisht duke hedhur në veprim vulgun e një pjese të Shqipërisë. Por në emër të ambicieve dhe vizionit të vet. 

I vetmi dallim antropologjik mes Berishizmit siç e përshkruam më sipër dhe Izmës së elitës së majtë, është Disiplina në krim. Berishimi me të gjitha tiparet e veta dallon dhe refuzohet për anarkizmin që sjell dhe implikon, jo për synimet e veta. Në fund të fundit, të gjithë në këtë vend janë berishistë: në mënyrën si e duan pushtetin, sesi e shpërndajnë te familjarë dhe të afërm, se çfarë bëjnë për ta mbajtur atë, me cilat kontigjente bashkëpunojnë dhe se cila është baza ekonomike e pushtetit të tyre.

Ne nuk shohim që këto dy kategori t’i ndajnë Idetë, apo programet. Por vetëm raporti i forcave. Vetë Berisha është një i vetëpërjashtuar nga grupi i së majtës në pushtet për më shumë pushtet dhe mjafton këtu të kujtojmë Gjyqin e Kafeve për të kuptuar se ky njeri ka ngjitur shkallët duke respektuar disa detyrime.

Ne nuk shohim që këta që shkruajnë sot si kampionë të Shqipërisë së çliruar nga vulgu, të kenë dallim nga Sali Berisha: flasin kudo dhe kurdoherë. Për dekada. Janë përherë miq të pushtetit, edhe të Sali Berishës me të cilin bashkëjetuan duke e përçmuar, ndërkohë që ky merrte kënaqësinë e poshtërimit herë pas here.

Ka brenda kësaj stigma edhe elementë racizmi, por është një racizëm i pavend përderisa ne sot jetojmë të gjithë në Republikën e Hajdutëve, ku Berisha është një prej tyre.

Nëse ka një fund berishizmi, ky është vetëm fundi i tij si topologjia perfekte e një kaste që mëton të konfirmojë epërsinë morale dhe intelektuale në një vend që nuk ka dhe nuk ndërton dot asnjëherë një Identitet Pozitiv. Kështu që merr fund berishizmi për ata gazetarë që u nginjën duke u shpallur si antiberishistë, pse dikur morën një shqelm bythëve nga ndonjë idiot i SHIK-ut apo policisë, në një Shqipëri kaotike dhe pa formë dhe që vijuan për 20 e kusur vjet të moralizojnë e moralizojnë pa ndalim se Shqipëria do të shpëtonte ky berishizmi të merrte fund. Në të vërtetë ai i ka mbajtur gjallë këto kallëpe të një demokracie të rreme, ndërkohë që në bahçen e tyre janë më nopranë se Xheladin Beu. Për këtë arsye, pra për arsyen e këtij keqkuptimi të sajuar kaq mirë e kaq gjatë, ne urojmë që ky berishizëm të marrë fund sa më shpejt, dhe ky është në fakt i vetmi Berishizëm të cilin Berisha e kultivoi vetë, sepse e faktorizonte përherë në apelin e vet krahinor dhe më groteskja: apelin si Antikomunist. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nese do polemizoja me artikullin (dhe ka shume per te polemizuar) do merrja thjesht cfare shkruhet per Nolin. Dhe vlen per gjithcka tjeter te shkruar per pasaktesine.
Fan Noli ishte dicka me shume se deshtak. Shume me shume. Ta kornizosh Nolin ne nje fjale eshte guxim i madh. Nuk ka nevoje te lexosh cfare tjerr me poshte shkruesi. Vlen kendveshtrimi per Nolin. Kur guxon te jesh i pasakte me Nolin cfare do presim te flasesh per epoken tone qe fundja mund te jete e diskutueshme.

Submitted by xxl (not verified) on

ngado qe rrotullohesh ,situata eshte e njejte ne shqiperi dhe jashte saj.
nese shohim edhe vendet e medha ,vendet imperatore , e kuptojme qe ne jemi nje fraksion i vogel i panorames globale.
ky nuk eshte faji i berishes apo rames,i populiit tone( qe duhet thene qe eshte i pakulturuar) por i sistemit boteror ku ne jemi pjese.Sistemi kapitalist per fat te keq eshte sistem cnjerezor ku humanizmi vdes .Dhe mesa duket ky eshte dhe fundi i ketij sistemi.Le te shpresojme qe nuk do te vije nje me i keq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.