Si e ndryshon trurin menopauza

Postuar në 26 Nëntor, 2023 15:39
Alisha Haridasani Gupta

 

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 6 milionë njerëz të moshës mbi 65 vjeç vuajnë nga Alzheimeri. Pothuajse dy të tretat e tyre janë gra – një mospërputhje që studiuesit ia atribuojnë prej kohësh gjenetikës dhe jetëgjatësisë së grave, ndër arsye të tjera. Por ka një konsensus në rritje se menopauza mund të jetë edhe një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës më vonë gjatë jetës.

Gratë që kalojnë atë që fazë të jetës që klinikisht ërkufizohet si fundi i fertilitetit, përballen me po aq ndryshime në tru sa edhe në vezore, thotë Dr. Lisa Mosconi, neuroshkencëtare dhe drejtoreshë e Iniciativës së Trurit të Grave në Ëeill Cornell Medicine. Ndërsa shumica dërrmuese e grave i përballojnë këto ndryshime pa pasoja afatgjata shëndetësore, rreth 20% zhvillojnë demencë në dekadat në vijim.

Truri i femrës është i pasur me receptorë të estrogjenit, veçanërisht në rajonet që kontrollojnë kujtesën, humorin, gjumin dhe temperaturën e trupit, të cilat "funksionojnë mirë kur estrogjeni është i lartë dhe konsistent", thotë Mosconi. Estrogjeni është gjithashtu jetik për aftësinë e trurit për të mbrojtur veten kundër plakjes dhe dëmtimeve.

Rënia karakteristike e estrogjenit gjatë menopauzës jo vetëm që ndryshon funksionimin në disa rajone të trurit, thotë ajo, por gjithashtu mendohet se ndryshon strukturën e trurit; skanimet tregojnë vëllim të reduktuar në trurin e grave në menopauzë në krahasim me trurin e meshkujve të së njëjtës moshë dhe me ato të grave para menopauzës.

Këto ndryshime neurologjike mund të jenë përgjegjëse për disa simptoma të menopauzës, duke përfshirë afshet e nxehtësisë, prishjen e humorit dhe një rënie të lehtë, zakonisht të përkohshme të kujtesës dhe aftësive konjitive.

Njëkohësisht, këto ngjajnë me ndryshimet në tru që i paraprijnë demencës, thotë Mosconi. "Disa nga rajonet e trurit që ndikohen nga menopauza janë gjithashtu edhe rajone që preken nga sëmundja e Alzheimerit," thotë ajo, por lidhja midis të dyjave nuk është kuptuar plotësisht.

Vetë simptomat e menopauzës, si mungesa e gjumit dhe afshet, janë lidhur tradicionalisht me demencën. Një studim i botuar vitin e kaluar zbuloi se afshet e nxehta shoqëroheshin me një sasi të shtuar të lezioneve të vogla në tru, të cilat janë një shenjë e rënies së shëndetit të trurit, thotë dr. Pauline Maki, profesoreshë e psikiatrisë dhe drejtoreshë e Programit të Kërkimit të Shëndetit Mendor të Grave në Universitetin e Illinois në Çikago dhe bashkëautore e studimit. Një studim i mëvonshëm doli në konkluzionin se afshet e nxehta gjatë gjumit shoqëroheshin me një rritje të biomarkerëve të Alzheimerit me bazë gjaku, që shërbejnë si tregues të hershëm të sëmundjes.

Ndërsa ky hulumtim tingëllon alarmues, truri dhe funksioni konjitiv i shumicës së grave stabilizohen pas tranzicionit të menopauzës, thotë Maki.

Mendo sa gra kalojnë në menopauzë – çdo grua, apo jo? Dhe 80% e tyre nuk do të kenë demencë”, tha ajo. "Ne nuk mund t’i japim nuancat e katastrofës këtij tranzicioni universal."

Përtej kësaj, ka gjëra që mund të bëhen për të ruajtur dhe forcuar aftësinë konjitive përballë rënies së estrogjenit.

Tre hapa për të mbrojtur trurin

Disa studime kanë zbuluar se deri në 40% të rasteve të demencës mund të parandalohen, thonë studiuesit. Dhe disa ndryshime në stilin e jetës në moshën e mesme, duke përfshirë lënien e duhanit, reduktimin e sasisë së alkoolit të konsumuar, gjumin më të mirë dhe të qenit aktiv në aspektin mendor dhe social, ndihmojnë për të parandaluar.

Por për gratë në menopauzë, ekspertët thonë se tre gjëra në veçanti ka gjasa të kenë ndikimin më të madh duke trajtuar si simptomat afatshkurtra ashtu edhe rrezikun afatgjatë të demencës.

Terapia hormonale, në kohën e duhur

Për dekada të tëra, studiuesit kanë shprehur shqetësimin se terapia hormonale e përdorur për të trajtuar simptomat e menopauzës ishte e lidhur me një rrezik në rritje të zhvillimit të demencës te gratë e moshuara. Por studimet e fundit, përfshirë një të tillë të botuar muajin e kaluar, që shqyrtoi gjetjet e mbi 50 studimeve, e shikojnë më nga afër kohën e terapisë dhe sugjerojnë një panoramë me më shumë nuanca: Terapia hormonale që filloi rreth kohës kur nisin simptomat e menopauzës u shoqërua me një rrezik të reduktuar të sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës. Studime të tjera kanë zbuluar se terapia hormonale nuk kishte asnjë efekt në rrezikun e demencës dhe Alzheimerit, thotë Maki, por këto trajtime janë efektive në zgjidhjen e problemeve si afshet e nxehta dhe djersitja gjatë natës, si dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës, të cilat të gjitha janë “përcaktues të rëndësishëm të shëndetit të trurit", thotë ajo.

Ushtrime të vazhdueshme

Pasiviteti fizik paraqet një rrezik më të madh për sëmundjet neurodegjenerative te gratë sesa te burrat, thotë Caldwell. “Ne e dimë se pasiviteti fizik është një faktor rreziku për demencë. Dhe gratë gjatë gjithë jetës së tyre, mesatarisht, kanë dyfish më shumë gjasa të jenë fizikisht më joaktive sesa burrat”, thotë ajo.

Një studim i vitit 2018 që monitoroi pothuajse 200 gra të moshës së mesme për 44 vjet zbuloi se sa më i lartë niveli i tyre i fitnesit në fillim të studimit, aq më i ulët është rreziku i zhvillimit të demencës më vonë në jetë. Dhe Mosconi zbuloi se skanimet e trurit të grave të moshës së mesme fizikisht aktive kishin më pak biomarkera të Alzheimerit në krahasim me gratë e tjera që bënin jetë pasive.

Një dietë e shëndetshme

Vitet e fundit, studiuesit kanë zbuluar se dieta të caktuara, si dieta mesdhetare dhe dieta mjaft e ngjashme MIND, të cilat u japin përparësi perimeve, frutave, drithërave, proteinave pa yndyrë dhe yndyrave të shëndetshme, janë të lidhura me një rrezik të reduktuar të demencës si te burrat ashtu edhe te gratë. Dieta mesdhetare në veçanti duket të jetë një mjet mbrojtës, madje edhe për gratë me predispozitë gjenetike për sëmundjen e Alzheimerit, thotë Mosconi. Dhe mund të ketë benefite specifike shtesë të këtyre dietave me bazë bimore për gratë: Hulumtimet paraprake sugjerojnë se disa baktere të zorrëve – të cilat ushqehen nga një dietë e pasur me bimë – mund të ndihmojnë në balancimin e niveleve të estrogjenit në trup.

Shumë nga këto ndryshime të stilit të jetesës kërkojnë kohë që shumë gra të moshës së mesme mendojnë se nuk e kanë.

“Shoqëria ka ndaj nesh pritshmërinë se duhet ta vëmë veten pas të gjithëve, qofshin këta fëmijë, prindër apo bashkëshortë, ndërkohë që ne na duhet edhe ta mbajmë veten në listën e prioriteteve”, thotë Caldwell. “Nëse nuk i bëjmë këto gjëra për mirëmbajtjen e shëndetit atëherë kur është koha, truri ynë nuk do të plaket shëndetshëm siç duam ne.

Botuar në The New York Times 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.