Rusia çon në OKB rezolutën për konfliktin e Gazës
Rusia i kërkon OKB-së votimin e rezolutës së saj mbi konfliktin Izrael-Palestinë. Zv.përfaqësuesi i Përhershëm rus në OKB, Dmitry Polyansky, njoftoi në rrjetin social X se i ka propozuar Këshillit të Sigurimit futjen në rendin e ditës të kësaj rezolute.
"Një përditësim mbi draftin tonë të rezolutës humanitare për Gazën. Ne e shpërndamë atë mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dje dhe kërkuam votim të hënën. Ne presim që Presidenca braziliane e Këshillit ta konfirmojë këtë së shpejti. Për kolegët tanë nga vendet anëtare të OKB-së: teksti është i hapur për bashkë-sponsorzim në portalin e delegatëve. Mos ngurroni të mbështesni! Ne duhet t'u dërgojmë një mesazh të qartë palëve të konflikti”, citohet ai nga agjencia TASS.
Nëse presidenca braziliane pranon kërkesën, rezoluta ruse hidhet për miratim të hënën, më 16 tetor. Edhe nëse miratohet, për rezolutën ruse gjasat janë t’i vihet veto. Megjithatë, ajo synon të ushtrojë presion mbi administratën Biden dhe mund të nxisë vende të tjera të bëjnë thirrje për një armëpushim.
Disa vende perëndimore deri tani nuk kanë kërkuar armëpushim të plotë, duke këmbëngulur se Izraeli ka të drejtë të mbrohet pas sulmit që Hamasi ndërmori më 7 tetor.
Projekt-rezoluta ruse shpreh shqetësim të madh për përshkallëzimin e dhunës dhe thellimin e krizës humanitare në Gaza dhe thekson se civilët izraelitë dhe palestinezë duhet të mbrohen.
Ajo bën thirrje për "një armëpushim të menjëhershëm, të qëndrueshëm dhe plotësisht të respektuar humanitar".
Rezoluta "dënon fuqishëm të gjithë dhunën dhe armiqësitë që u drejtohen civilëve dhe të gjitha aktet e terrorizmit", por nuk përmend Hamasin dhe sulmin e tij kundër Izraelit.
Gjithashtu, përmes saj, Rusia kërkon lirimin e sigurt të ta gjithë pengjeve, ofrimin dhe shpërndarjen e papenguar të ndihmës humanitare dhe krijimin e kushteve për evakuimin e sigurt të civilëve në nevojë.
Rezoluta përmbledh qëndrimin e Rusisë mbi konfliktin për të cilin më parë është shprehur ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya. Në një deklaratë pas një takimi të mbyllur të Këshillit të Sigurimit, ai tha se rajoni është në prag të një lufte akoma më të madhe.
Ai tha se "ajo që ndodhi në territorin izraelit më 7 tetor është e papranueshme" dhe shtoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Por, sipas tij, "ndëshkimi kolektiv" i Izraelit dhe "granatimet pa dallim të zonës civile" janë gjithashtu të papranueshme. Ai shtoi se SHBA-ja në një "masë të madhe" është fajtore për atë që ndodhi dhe "Rusia nuk mund të pranojë mosveprimin e plotë të Këshillit të Sigurimit".
Add new comment