Nuk flitet përherë Lopthi!

Postuar në 21 Shtator, 2023 14:37

Ka një problem shumë të madh me thjeshtimin që bëhet në qëndrime publike të mesazheve të ndryshme. Është një zakon që buron nga instinktet fisnore dhe tribale që të flitet në emër të të gjithëve për të gjithë.

Njerëz që dalin në publik dhe vetëautorizohen se kanë kredenciale për të thënë çdo gjë duke e paraqitur këtë si të natyrshme.

Sot ka dalë Eduart Shalsi në Kuvend e ka thënë ndër të tjera se:

Çdo shqiptar brenda dhe jashtë trojeve ka qenë krenar kur e ka parë kryeministrin e Shqipërisë, Ramën në cilësinë e presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB, të mbajti atë qëndrim për të cilin mori edhe mbështetje e duartrokitje. E kuptoj që nuk keni kurajo të njihni një meritë të jashtëzakonshme, Rama është kryeministri që do mbahet mend gjatë në historinë e Shqipërisë dhe i ka bërë Shqipërisë në arenën ndërkombëtare atë që nuk e ka bërë njeri në 100 vitet e kaluara

Lajthitjet logjike pranohen te çdo individ, por sesi mundet që dikush të thotë se çdo shqiptar ka qenë krenar për Ramën në OKB, e mandej në fjalinë pasuese të pranojë se ka ca që nuk ishin dhe se këta janë madje mu para syve të tij, kjo shpjegohet vetëm me një ezhe të Shalsit. Ky nuk është i vetmi që flet lopthi kur i thonë.

Para disa ditëve, ministri i Jashtëm Igli Hasani do të shprehej se “ëndrra e të gjithë shqiptarëve këto 30 vjet është Europa”. Zoti Hasani e ka të qartë se nuk e dëgjon kush seriozisht dhe ndoshta  lëshon fjalë që janë bërë klishe. Por dikush që ka respekt për veten nis e të ketë një disiplinë më të mirë të asaj që thotë se në fund të fundit, kjo ndan tribunë nga polisi: në tribu festohet, në polis (edhe)diskutohet.

Ja një shembull tjetër: natën e fitores mbi Poloninë, Dëfrim Methasani, gazetar i sportit në RTSH, komentonte se “sot nuk ka shqiptar që nuk është i lumtur”. Po sigurisht që ka o derëbardhi Meti, se nuk është jeta top.

E mo se janë deklarata kështu, në të folur e sipër, - do thotë dikush. Dhe kështu duhet marrë me sportivitet, se fundja shih kush flet, e kupton se me kë ke të bësh xhanëm! Por edhe të lësh të kalojë përherë kështu këtë lloj gjuhe, duke nënkuptuar se personat me detyra dhe podium publik për të folur, të dinë se çfarë ëndrre ke, e kur je i lumtur, kjo është pak e tepërt.

Për çështjet e politikës dhe jetës publike, është e udhës që të nxitet gjykimi kritik, jo për hir të kritikës, por sepse në fund të fundit kështu edhe kultivohet sensi qytetar i llogaridhënies. Jo, Shalsi është sazexhiu vullnetar që del e shkruan paradhënie historinë e këtij vendi sepse ashtu ia do interesi. E pastaj flet në emër të të gjithëve. Dhe se kush ka qenë krenar e kur, duke propozuar ndoshta se njësia matëse e krenarisë të jetë “Ram”, llogaritur me formulën Like x Live Views/numër zgjedhësish.

Përtej humorit, është e çuditshme sesi njerëz që janë kot në pushtet, vetëm se dinin të bërtisnin dikur, nuk duan të sillen ndryshe në skenën publike, veçse si nallbanë. Ndoshta ngaqë kanë imunitet se kështu në sy duket që ka inteligjencë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ky e ka zakon të shprehurit lopthi. Kot nuk mbahet mend si autor i "do të vjedhim më me lezet". Ama po vjedhin harbutçe hare e me një babëzi të paparë.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po kete artikull kaq intelighent kush e ka shkruar dhe perse nuk identifikohet me emer, apo kur flet lopthi me mire te mos vesh emer?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.