Modeli polak: Emigrantët nuk i duam, por vizat i shesim
Një skemë e dyshuar ryshfeti po trondit Poloninë vetëm një muaj para zgjedhjeve. Qeveria e cila ka mbajtur një qasje të ashpër ndaj migracionit është në qendër të këtij skandali.
Mediat polake flasin për të paktën 250 mijë viza të lëshuara nga konsullatat polake në mbarë botën, në këmbim të parave. Dyshimet janë se veçanërisht në Afrikë dhe Azi janë dhënë viza kundrejt dhjetëra mijëra eurove secila.
Përfituesit e këtyre vizave, të cilat kanë bërë të mundur hyrjen në BE, i kanë përdorur ato për të udhëtuar në Meksikë dhe më pas për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Lideri i opozitës polake, Donald Tusk, e cilëson këtë si "skandali më i madh i shekullit XXI në Poloni".
Ministria e Jashtme polake ka anuluar të gjitha kontratat e saj për kompanitë e jashtme që asistojnë në përpunimin e vizave dhe kë nisur shkarkimet e zyrtarëve të përfshirë.
Autoritetet polake bënë të ditur se në lidhje me skandalin janë vën nën akuzë shtatë persona, tre prej të cilëve janë arrestuar.
Gazeta Wyborcza raportoi se hetimi është përqendruar në një sistem në të cilin qytetarët nga vendet jashtë BE-së thuhet se paguanin deri në 5 000 dollarë për një vizë polake.
Indianët rezultojnë përfitues të këtyre vizave, të cilat u kanë shërbyer për të arritur në Meksikë e më pas prej aty në SHBA; disa nga aplikantët për vizë mendohet se kanë aplikuar si një grup kineastësh të Bollywoodit, raportoi faqja e lajmeve Onet.
Skandali del në dritë në një moment delikat për qeverinë, e cila kërkon një mandat të dytë me një fushatë të ngritur mbi qasjen e ashpër ndaj migrantëve, duke pretenduar ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Bjellorusinë për të mos lejuar hyrjen e atyre që synojnë të kalojnë ilegalisht në Poloni.
Në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare, polakët do të votojnë edhe për referendumin, një nga pyetjet e të cilit kritikon politikën e migracionit të BE-së.
Ndërsa Partia Ligj dhe Drejtësi kërkon një mandat të tretë, opozita po e sheh këtë skandal si një mënyrë për të fituar terren në elektorat.
Sondazhet e bëra përpara shpërthimit të skandalit tregonin një mbështetje me 38% për PiS dhe 30% për Koalicionin Qytetar të drejtuar nga Donald Tusk. Kjo nuk mjafton që asnjëra parti të qeverisë e vetme pas zgjedhjeve, që do të thotë se do të duhet të gjejnë partnerë koalicioni për të ndërtuar një shumicë. Zgjedhjet mbahen më 15 tetor.
Add new comment