Vaksinat, marrëveshja e rinegociuar favorizon sërish Pfizer

Postuar në 26 Maj, 2023 15:32

Komisioni Evropian dhe gjiganti farmaceutik amerikan, Pfizer, kanë rinegociuar kontratën e furnizimit me doza vaksine anti-Covid. Fjala është për marrëveshjen e lidhur gjatë pandemisë. Palët kanë rënë dakord që Pfizer t'i shpërndajë dërgesat gjatë katër viteve të ardhshme, deri në vitin 2027, dhe do të reduktojë sasinë totale të dozave që ishin parashikuar për këtë vit.

Megjithatë, Komisioni nuk specifikoi detaje të tjera të kontratës së rinegociuar. Siç raporton Politico.eu, Blloku ka pranuar të blejë pjesën e mbetur të 450 milionë dozave origjinale dhe po paguan ekstra për atë që ministrat e kanë kritikuar më parë si "tarifa e anulimit." Në praktikë, kjo rrit çmimin për dozë, megjithëse çmimi i përgjithshëm do të jetë më i ulët.

Bisedimet janë zvarritur për më shumë se një vit dhe kanë pasur ngërçe herë pas here. Një grup vendesh të Evropës Qendrore dhe Lindore i kanë kundërshtuar ashpër kushtet e kontratës së mëparshme.

Kontrata në fjalë u nënshkrua në maj të vitit 2021 dhe fillimisht ishte për 900 milionë doza të vaksinës që u zhvillua së bashku me gjermanen BioNTech, me mundësinë e porositjes të 900 milionë dozave të tjera. Përfundimisht, gjithsej 1.1 miliardë injeksione të vaksinës mRNA u kontraktuan nga blloku - me vlerë 21.5 miliardë euro sipas çmimeve të vaksinave, raportoi Financial Times.

450 milionë doza ishin parashikuar të furnizoheshin në vitin 2023, por negociatat e pezulluan dërgesën e tyre. Në prill të vitit të kaluar, Polonia njoftoi se nuk po pranonte më dërgesa të vaksinave, pasi kishte krijuar stok. Shembullin e saj e ndoqën edhe 9 vende të tjera, të cilat kërkuan rinegociim, pasi nuk mund të blinin doza që nuk u hynin në punë ndërsa nisi edhe kriza e energjisë.

E gjithë kjo situatë e ka drejtuar sërish vëmendjen te presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila u përfol dy vjet më parë për rolin e saj në arritjen e marrëveshjes origjinale. New York Times shkroi se shefja e ekzekutivit të BE-së e negocioi marrëveshjen me shefin e Pfizer, Alfred Bourla, përmes mesazheve në telefon. Këto të fundit u zhdukën menjëherë dhe Komisioni nuk e ka konfirmuar kurrë ekzistencën e tyre.

Negociatat e gjata ngrenë edhe njëherë pyetjen se pse u lidh një kontratë kaq e madhe, me dërgesa të shtrira në kohë - në 2022 dhe 2023 - kur kushtet e pandemisë mund të ndryshonin dhe pse lidhur me këtë ndryshim nuk u parashikua një klauzolë për uljen e dozave.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.