Nuk ka vodka për rusët, ndalohen eksportet suedeze drejt Moskës
Prodhuesi i vodkës suedeze “Absolut” njoftoi se do të ndalojë eksportet në Rusi pas thirrjeve në vend për bojkotimin e markës.
Stephanie Durroux, shefja ekzekutive e firmës, tha se vendimi është marrë për shkak të thirrjeve në rrjetet sociale për bojkotimin e produkteve të Absolut.
Në prill, pronari i Absolut, Pernod Ricard, konfirmoi se kishte rinisur eksportet në Rusi pasi më parë i kishte ndërprerë ato në mars 2022, menjëherë pasi Moska filloi operacionin ushtarak në Ukrainë.
Kompania vuri në dukje se që nga nëntori i vitit të kaluar, Rusia kishte ndryshuar rregulloret e importit duke lejuar importet paralele të alkoolit pa lejen e importuesve të autorizuar, duke anashkaluar kështu sanksionet e BE-së.
Pernod Ricard theksoi se vendimi për të rifilluar eksportet u mor pjesërisht për të mbrojtur stafin e saj në Rusi nga "përgjegjësia penale" dhe akuzat për "falimentim të qëllimshëm".
Por masa ngjalli kritika, përfshirë edhe ato të politikanëve suedezë. Kryeministri Ulf Kristersson, tha se ishte "shumë i befasuar" kur mësoi për vendimin.
Të tjerë bënë thirrje për bojkot, duke e quajtur vendimin një "kolaps moral", "pa shtyllë kurrizore" dhe një "dhuratë për Putinin".
Disa bare dhe restorante të njohura në Stokholm ndaluan shitjen e produkteve Pernod Ricard.
"Reagimi i ditëve të fundit reflekton qartë rolin që luan Absolut për komunitetin e tij të gjerë në Suedi", tha citohet Durroux nga The Guardian.
“Ne e pranojmë rëndësinë e këtyre marrëdhënieve të gjata dhe të besueshme me punonjësit, partnerët, konsumatorët dhe shoqërinë suedeze në përgjithësi”, shtoi ajo.
Add new comment