SIPRI: Bota po hyn në një erë të re rreziku

Postuar në 23 Maj, 2022 14:38

Njerëzimi po hyn në një fazë të re rreziku. Instituti i Stokholmit për Kërkimin e Paqes, ka publikuar këto ditë një raport që qysh tani është bërë i shumëcituar. Klima, pandemia, lufta, uria, katër faktorë që kombinojnë dhe ushqejnë njëri-tjetrin në një botë që është në prag të shpalljes zyrtarisht si vend i pasigurtë. Shkaku duket se është njeriu, me veprimtarinë e tij, por sidomos me modelin e zhvillimit që ka adoptuar dhe teknologjinë që ka shtënë në punë. Konfliktet ndërshtetërore janë rritur, çka ilustron se është lufta konvencionale ajo që vijon të mbetet faktori bazë. Në vitin 2010, ishin 30 konflikte të tilla, në vitin 2020 kjo shifër shkoi në 56. Refugjatët e luftës në vitin 2010 ishin 41 milionë, në vitin 2020, shifra arriti në 82.4 milionë.

Është e ashtuquajtura gjurmë e njeriut mbi çdo sipërfaqe të planetit ajo që është gjeneratori i një krize sistemike që herët e apo vonë, sipas parashikimeve si ky raport, do të shndërrojnë planetin në burg. Konkretisht në vitin 1750 jetonin 500 milionë banorë në Tokë, në vitin 2015 kjo shifër arriti në 7 miliardë. Në vitin 1950, Prodhimi i Brendshëm Bruto në botë shkonte diku te 8 trilionë dollarë, në vitin 2015 ky prodhim mbërriti në 100 trilionë dollarë. Korrespondenca e konsumit energjetik për këtë prodhim shkon në 550 ekzaxhaul në vitin 2015.

Shpenzimet ushtarake në botë në vitin 2021 arritën në 2 113 000 000 000 dollarë, dyfishin e vitit 2000.

Kriza mjedisore është aktualisht kryefjalë e axhendës ekonomike të vendeve të zhvilluara që po orientojnë programet e tyre në përputhje me objektivin e ruajtjes së ekuilibrit. Megjithatë sipas raportit, ka pak për të bërë përderisa sot vlerësohet se shkaktari kryesor i zhdukjes së specieve është zaptimi i territorit kryesisht për bujqësinë, e cila me sulmin në Ukrainë, ka marrë rëndësi strategjike të dorës së parë. Aktualisht njerëzimi ka tjetërsuar ¾-at e sipërfaqes së tokës dhe 2/3-at e mjedisit detar.

Pasojë e dukshme e zhvillimit industrial janë mbetjet: që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar, njerëzimi ka prodhuar 8.3 miliardë tonë mbetje plastike, ndërkohë që ndotja e ajrit shkakton vdekjen e 4.5 milionë njerëzve çdo vit, një rritje me 57% që nga viti 2000. Në krye të dëmit, SHBA: 750 miliardë dollarë në vit shpenzime ushtarake dhe vetëm 6 miliardë dollarë në vit për financimin e klimës, ndërkohë që është vendi me emetimin më të lartë të dioksidit të karbonit në histori.

Në një vështrim të përgjithshëm raporti përcjell mesazhin se bota po shkon drejt kaosit, i cili ka nisur ta qeverisë atë përmes paaftësisë për të gjetur zgjidhje afatgjata.

Qeveritë, sidomos ato në hemisferën veriore, kanë dështuar bashkarisht për të gjetur zgjidhje për çështjet madhore të ndryshimit të klimës dhe humbjes së natyrës

thuhet në raport.

Sipas Institutit është e qartë se krijimi dhe ruajtja e paqes në shekullin e 21-të, krahas rikthimit të integritetit mjedisor, kërkon një transformim në mendim dhe veprim. Në vetvete postulimi i një rreziku ekzistencial për njerëzimin, krijon kushtet e një paradigme të re ideologjike që nëse kanalizohet në proces politik, herët apo vonë do ta tjetërsojë peizashin e shtetit komb që sunon sot marrëdhëniet ndërkombëtare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.