Putin dekreton rekrutimin e 134 500 të rinjve në ushtri
Me një dekret të firmosur sot, presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëro pranimin në ushtri të 134 500 rekrutëve të rinj. Edhe pse vjen në një kohë kur Rusia ka ndërmarrë në Ukrainë atë që e quan operacion special, Ministria ruse e Mbrojtjes sqaroi se ky vendim nuk ka të bëjë me luftën në Ukrainë.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, të cilit i referohet Reuters, tha të martën se asnjë nga rekrutët e rinj nuk do të dërgohet në ndonjë "pikë të nxehtë".
Çështja e përfshirjes së rekrutëve në luftë është shumë e ndjeshme. Më 9 mars, Ministria e Mbrojtjes pranoi se disa të tillë ishin dërguar në Ukrainë, ndërsa Putini e kishte mohuar këtë në raste të ndryshme, duke thënë se ishin dërguar vetëm ushtarë dhe oficerë profesionistë.
Kjo masë e re, të cilën Putin e ka emërtuar drafti ushtarak pranveror, zgjat nga 1 prilli deri më 15 korrik dhe do të prekë burrat rusë nga mosha 18 deri në 27 vjeç.
Të thirrurit për t’u bërë pjesë e ushtrisë ruse do të dërgohen në fund të majit në bazat përkatëse.
Megjithatë, Mikhail Benyash, avokat që përfaqëson disa anëtarë të Gardës Kombëtare të Rusisë, të cilët refuzuan urdhri për të shkuar në Ukrainë, tha se sipas ligjit rus, rekrutët mund të dërgohen për të luftuar pas disa muajsh trajnimi.
Rusia ndërhyri ushtarakisht në Ukrainë më 24 shkurt, një nismë sipas saj ka për qëllim denazifikimin e vendit. Që prej fillimit të ofensivës, janë vrarë me mijëra ushtarë në të dy kampet.
Add new comment