Duhet një ndjesë publike për Ramizin e PD-së

Postuar në 23 Gusht, 2021 16:39

Disa ditë më pare, në një emision mëngjesi në radio, u konsumua një debat episodik mes një qytetari që telefononte për t’u ankuar dhe moderatorit. Siç mund të merret me mend debati arriti në aksiomën “se ju mediat i shërbeni pushtetit”, çka më pas solli replikën e papritur të gazetarit: Kaq sa ka bërë media të bënit ju si popull do ishim ku do ishim.

Ngjan si një e vërtetë e mbuluar nga pluhuri i zhurmës kundër medias dhe breshëri i autokritikës. Në fakt media ka thënë disa gjëra, ka bërë disa ekspozime jo pa zarar, por asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë reagim, asnjë procedim real. Nuk funksionojnë dy hallka të reagimit: protesta dhe drejtësia.

Por nuk funksionon as Opozita. Është e kapur, e tulatur, e stisur, hipokrite, llogaritëse, me interesa, konformiste, përtace, qylaxheshë, pa ide, skematike, rutinore…Mund të mos mbarosh dot, por një fjalë e përmbledh: Opozita ka tiparet e një plake të rrudhur që 30 vjeç dhe karakterin e Lulzim Bashës. Mishela që kemi dhe që pretendon atribute përfaqësimi është e pazakontë. Si ta pajtosh një histori aq dinamike si atë të PD-së me historiçkën e karrierës së një njeriu si Lulzim Basha?

Pyetja nuk është retorike, as mëton të vërë në diskutim legjitimitetin e zotërisë. Ai le ta gëzojë e po të dojë ta trashëgojë partinë. Pyetja ka anën praktike dhe politike sepse dikush që nuk ka memorie, nuk ka respekt dhe nuk referohet në adresarin e ngjarjeve të një familjeje, ai është i huaj dhe i lejon vetes çdo gjë. Ai e minon komunitetin dhe e tëhuajëzon atë me regjistrat e vet për ta shndërruar në një masë amorfe zhurmuesish. A nuk është PD-ja sot kështu? Një emër dikur dominues i skenës politike të pluralizmit, sot mbushur me anonimë?

Situata është paradoksale edhe me metrin e z. Basha. Pasi megjithë flagrancën e saj, dështimin e padisktueshëm, nuk merr dot në përgjegjësi direkte zotërinë që e ulën në karrigen e kryetarit, që pati zotësinë dhe durimin ta ngrohte për të soditur me qetësi rrëgjimin e një ngrehine të tërë e bashkë me të edhe atë autoritetit të vetëm politik brenda asaj force: ish-kryeministrit Sali Berisha.

Ky i fundit i ngjan tashmë atij karrocierit plak në filmin “Nusja dhe Shtetrrethimi”, me dallimin thelbësor se nuk arrin ta nxjerrë më as karrocën, as nusen, as kalin dhe as veten jashtë rrethimit. Ku hyri vetë. Me të dyja këmbët.

Që nga viti 2013 e më pas, z. Berisha nuk ka munguar në thuajse asnjë ngjarje politike të PD-së, përfshirë këtu dy ripagëzimet e tij për mbajtjen e detyrës nga Lulzim Basha pas humbjes së zgjedhjeve të 2015-ës, 2017-ës dhe dështimit të Marrëveshjes së 17 majit, apo 18, 19 e kushedi se kur është saktësisht ajo marrëveshje. Dhe me këto vjen edhe përgjegjësia politike.

Zoti Berisha jo vetëm konsumoi energji me lojërat e veta, por ai tashmë ka ezauruar edhe mjetet politike qoftë edhe për të stabilizuar një axhendë minimale siç është garancia personale në politikë.

Sa më lart steka retorike e tij dhe apeli për revolucion e përmbysje, aq më i mumifikuar z. Basha. Që iu vu një roli që nuk e ka të natyrshëm. Dhe sa më natyrshëm e provokon dështimin që në lindje të revolucionit z. Basha, aq më shumë minimizohet autoriteti i z. Berisha, aq më shumë edhe po shtrohet në diskutim intuita e tij me zgjedhjen personale në krye të PD-së. Nuk është e qartë nëse beniamini i tij po e shet, apo thjesht duke qenë vetvetja çoi në klimë shitjeje gjithkënd e gjithçka pa u ezauruar, pikërisht sepse me këtë mënyrë ai është brenda natyrshmërisë së vet. Rrallë ndodh që kryqëzimet karakteriale të prodhojnë këtë dilemë politike.

Dështimi në këtë rast qëndron sidomos në faktin se teksa PD-ja investohet publikisht për ndryshimin, madje kërcënon me Berishën për përmbysje, ajo ia del të rilegjitimojë status quonë me sjelljen dhe inaktivitetin e z. Basha. Kjo është e qartë tashmë dhe nuk ka mendje racionale që ta mbrojë dot. Ne mund ta imagjinojmë qysh tani parodinë parlamentare të teatrit të ulërimave dhe gjobave, por asgjë nuk e fsheh tashmë një skemë pak a shumë fare banale: qeveria vjedh, opozita bën sikur denoncon, Berisha punon për hallet e veta.

Po ne, vegjëlia, ku jemi? Askund. Zero. Sepse shpresa jonë është zeruar me djegien kimike tërësore të alternativës prej një PD-je që duke mos bërë asgjë, ka uzurpuar aq sa ta ripërcaktljë veten si aktore bazike të status quosë.

Në këtë kuadër roli i Sali Berishës në katapultimin e Lulzim Bashës në krye të partisë që e drejtoi vetë për 30 vjet është evident dhe me faturë historike. Nuk po flasim më për shkelmimin e parimit të zgjedhjeve, por për pasoja praktike, afatgjata dhe politike të asaj që u vendos nga një grup njerëzish në vitin 2013.

Thonë se në vitin 2013, kur dikush pyeti Berishën se pse nuk shprehej pro Bashës kryetar i PD-së, tha: Nuk ka nevojë, dihet.

Sado e pavërtetë kjo, si fabul e justifikon dhe ilustron të vërtetën e modelit në drejtim. Për këtë arsye, z. Berisha ka detyrimin sot që të kërkojë falje publike, të paktën demokratëve e nëse ka konsideratë reale për vitin 1990, ashtu siç pretendon, edhe shqiptarëve për katapultimin në krye të opozitës të një anonimi që çuditërisht ndihet mirë si i dyti. Z. Berisha iku siç premtoi “kur shqiptarët ta votonin kundër”, por nuk la të votohej për atë që do vinte pas tij.

Nuk do shumë mend të kuptosh dëmin që është bërë. Patjetër që kjo është tepër për dikë që tashmë ka edhe halle personale, por një pyetje mbetet: ka ndonjë farë pendese për zgjedhjen që bëri? Është të paktën i zhgënjyer nga inteligjenca e vet kur zgjodhi këtë që zgjodhi? Këtë Ramiz të rimishëruar…

s.zaimi

Comments

Submitted by Katarakti (not verified) on

Nuk ka nevoje ta tjrrim e tjerrim prape sic benin stergjyshet tona! Nuk ka nevoje te spiegohet Saliu dhe shqiptaret ne keta 30 vjet! Nuk ishim te pergatitur te benim shtet dhe nuk e kemi akoma! Fajtore eshte Saliu dhe Likja pa folur per lulen basha por edhe vete populli shqiptar,intelektulet shqiptare,analistet tane te shitur per idete e tyre! Muci flet me mire nga te gjithe! Por thote qe fajin e ka gjithsesi Rama! Nuk ka me te mire se Edi Rama. Eshte shqiptari me i mire midis albaneve!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.