Europianë me "leje kalimi"
Francezët dolën në rrugë dhe sheshe për të katërtën fundjavë radhazi, të organizuar në protesta me të cilat kundërshtojnë vendimin e qeverisë për Green-Pass, leja shëndetësore që është bërë kriter për të hyrë në një kafene ose për të udhëtuar në një tren ndërqytetas. Vendimi hyn në fuqi nga e hëna dhe pak ditë më parë, gjykata më e lartë në Francë e cilësoi atë si "kompromis të balancuar" mes shqetësimeve të shëndetit publik dhe lirisë personale.
Propozimi i presidentit Macron tashmë nuk ka asnjë pengesë për t’u zbatuar, megjithatë janë të shumtë francezët që e shohin këtë vendim si një shkelje të lirive civile në një vend ku liria individuale vlerësohet.
Kritikët e akuzojnë Macron se po udhëheq një "diktaturë" shëndetësore duke i detyruar njerëzit të vaksinohen kundër vullnetit të tyre. Ata thonë se leja shëndetësore kufizon lëvizjet e tyre jashtë shtëpisë - dhe në mënyrë të nënkuptuar i bën vaksinimet të detyrueshme.
Një situatë e ngjashme ishte edhe në Itali deri para 2 ditësh, kur nisi zbatimi i vendimit. Dita e parë në “epokën” GreenPass është shoqëruar me radhë të gjata në muze dhe atraksione turistike, gjoba dhe kundërshtime. Leja shëndetësore, e cila mund të merret si dokument fizik apo edhe të shkarkohet si kod në smartfonë, është tani kushti kryesor për të hyrë në mjedise publike, ndërsa vendi është në kulmin e sezonit turistik. Ministri i Shëndetësisë, Speranza, tha se vetëm gjatë të premtes janë shkarkuar 6.7 milionë leje të tilla.
Danimarka ishte vendi kur leja e shëndetit u pranua me më pak rezistencë. Belgjika ka ndjekur një qasje më liberale në këtë pikë, duke kërkuar fillimisht certifikatë vaksine për ata që bëhen pjesë e eventeve në mjedise të hapura me më shumë se 1 500 njerëz deri në mes të gushtit dhe për eventet në mjediset e mbyllura, certifikata kërkohet nga shtatori.
Gjermania dhe Britania deri më tani i kanë rezistuar një qasjeje të tillë detyruese, ndërsa në Spanjë vaksina nuk ka gjetur shumë kundërshtarë dhe stimujt nuk konsiderohen të nevojshëm.
Në Francë dhe Itali, demonstratat kundër certifikatës së vaksinës ose kufizimeve për shkak të virusit në përgjithësi kanë bërë bashkë aleatë të pagjasë. Shpesh ato kanë bashkuar ekstreme politike, aktivistët të drejtësisë ekonomike, familjet me fëmijë të vegjël dhe kundërshtarët e vaksinës.
Në rang botëror, që nga nisja e pandemisë, sipas të dhënave të John Hopkins, rastet e Covid në më shumë se 201 milionë, ndërsa vdekjet e konfirmuara i kanë tejkaluar 4.2 milionë.
Add new comment