Të imagjinosh të ardhmen
Annibale Siconolfi, i njohur edhe si Inward, është një artist italian 3D me një imagjinatë të mbushur me referenca arkitekturore, kinematografike, letrare dhe muzikore që i vendos në funksion të krijimit të disa prej imazheve më të bukura dhe më të detajuara të një të ardhmeje distopike.
Dariusz Kuźma nga revista polake “PrzeKroj” ka zhvilluar një intervistë me Siconolfin për metodat e tij artistike dhe frymëzimin nga jeta reale.
Dariusz Kuźma: Puna juaj është shumë evokuese edhe tematikisht e shtresëzuar. Kur u kthehem disa prej të preferuarave të mia, shoh sërish gjëra të reja. Më tregoni në lidhje me procesin tuaj krijues - vë bast se ka dhjetëra ide dhe frymëzime mbi të cilat ngrihet.
Oh, ke të drejtë, ka shumë për të përmendur, por edhe për t’i kujtuar për vete. Romanca ime me botën e artit filloi që në vitet e para. Si fëmijë dhe adoleshent, më pëlqente shumë të vizatoja dhe të luaja në kitarë, më pëlqente të dëgjoja histori futuriste, të shikoja filma fantastiko-shkencorë, të lexoja libra nga Philip K. Dick dhe Isaac Asimov. Kam eksperimentuar shumë me konvergimin e imazheve dhe tingujve të ndryshëm. Në njëfarë mase, arti im 3D është një përmbledhje e të gjitha ndikimeve dhe frymëzimeve që kam përthithur gjatë viteve. Por më e rëndësishmja është padyshim arkitektura. Kam studiuar në Romë, kam mësuar rregullat e kompozicionit dhe shumë aftësi të tjera të dobishme praktike dhe vizuale, duke përfshirë të parit e botës përsa i përket asaj që fshihet nën të gjitha ato forma dhe struktura lineare ose jo-lineare. Unë mendoj se ndikimet arkitekturore janë shumë të pranishme në imazhet e mia, punime të tilla si Le Corbusier, Étienne-Louis Boullée, hartat magjike, futuriste të Antonio Sant’Elia, arkitektura bashkëkohore japoneze.
Ky është një spektër mjaft i gjerë ndikimesh. Rrëfimet e Philip K. Dick-ut me përthyerjen e realitetit, të përziera me arkitekturën bashkëkohore japoneze.
Pse jo? Janë të gjitha ndikimet, diçka që unë e përpunoj në kokën time, filtroj përmes ideve dhe përvojave të mia dhe vetëm atëherë krijoj botët e mia 3D. Më pëlqen vërtet minimalizmi i dizenjove japoneze, veçanërisht projekti House N i Sou Fujimoto. Mënyra se si ai përdori forma qelqi dhe drejtkëndëshe thjesht për të krijuar një hapësirë jetese që duket natyrale dhe njëkohësisht e bërë nga dora e njeriut. Të krijohet ndjesia e rastësisë kur shikon punën e tij, gjë që shkon mirë me qasjen minimaliste. Sa i përket Philip K. Dick, gjëja më e bukur në lidhje me historitë e tij është mënyra se si ai paraqet psikologjikisht dhe filozofikisht të ardhmen e mundshme në drejtim të marrëdhënies në zhvillim midis njeriut dhe makinës. Kur lexoj Ubik, “A ëndërrojnë androidët për dele elektrike” apo shumë të tjerë, unë mund ta imagjinoj veten në një situatë, le të themi, duke i folur një roboti ose duke soditur këtë botë mbresëlënëse që ai krijoi vetëm me fjalë. Unë e konsideroj një futurist të shkëlqyer dhe një shkrimtar kafkian që përzihet me mendimet e mia dhe më bën ta ndiej surrealizmin në realitetin që më rrethon, nëse e keni parasysh për çfarë e kam fjalën.
Po, e kam parasysh - dhe njëkohësisht vë re këtë lloj cilësie surrealiste në imazhet tuaja. Kjo ju ndihmon të merreni indirekt me disa nga çështjet më urgjente të botës reale. Në “Qytetin e Fshehur”, apo edhe në “Habitat”, ju përshkruani një botë në të cilën një shoqëri e largët distopike ka shfrytëzuar fuqinë e gravitetit dhe ka filluar të jetojë me kokë poshtë, ndërsa qyteti-përbindësh gllabëron natyrën përreth.
Më vjen mirë që e vëreni ekzistencën e çështjeve të botës reale në punën time. Kjo në fakt është e rëndësishme për mua. Në rastin e “Qytetit të Fshehur”, si dhe te “Habitati”, natyrisht gjithçka ka të bëjë me problemin e mbipopullimit. Njerëzit kanë ndërtuar struktura të tilla për të strehuar sa më shumë njerëz të tjerë, në hapësira të dizajnuara vertikalisht, sepse qytetet e tyre thjesht nuk shtriheshin më në gjerësi. Unë mendoj se ai koncept lindi vërtet dekada më parë kur u ndërtua rrokaqielli i parë, pas revolucionit industrial në SHBA, kur inxhinierët dhe arkitektët filluan të marrin në konsideratë projektin hapësinor të qyteteve në zhvillim për sa i përket logjistikës së ardhshme. Unë thjesht e mora dhe bëra vizionin tim ekstrem të asaj që unë mendoj se mund të ndodhë, të paktën në një formë pjesërisht të ngjashme, pasi problemi i mbipopullimit rritet me kalimin e viteve dhe bashkohet me ngrohjen globale për ta bërë të ardhmen e njerëzimit pak të paqartë. Thënë kjo, unë nuk jam i interesuar të krijoj vizione post-apokaliptike, ose të përfaqësoj mënyrën se si një alien mund të ndryshojë Tokën. Preferoj të mendoj për planetin në drejtim të evolucionit të specieve njerëzore.
Kjo gjë mund të jetë tmerruese dhe e bukur, siç e keni treguar në “Qytetin e Përjetshëm”, “Frakturë” dhe “Myst”. Këto shoqëri të paktën përpiqen të gjejnë një ekuilibër midis natyrales dhe asaj që ka bërë njeriu, ndërsa jeshilja përpiqet të gjejë vend në luftë me grinë dhe bezhën e betonit.
Unë sigurisht që i kushtoj shumë vëmendje natyrës dhe paraqitjes së marrëdhënies së saj të vështirë me njerëzimin. Kjo edhe sepse jetoj afër natyrës, në një fshat të vogël italian me vetëm 800 banorë. Unë e dua konceptin e arkitekturës së gjelbër, idenë e rilindjes, etj. Në fakt, unë shpesh krijoj skena të ditës sepse më pëlqen shumë mënyra se si dielli bashkëjeton me natyrën e Tokës, se si rrezet e tij gjenerojnë hije dhe më lejojnë të eksperimentoj me kompozicionin dhe kontrastin.
Përveç kësaj, unë kam tendencën t’i tmerroj njerëzit gjatë gjithë kohës me distopi të mbipopullimit ekstrem. Unë do të doja t'u jepja atyre shpresë, sepse kush thotë se makineritë e mëdha për prodhimin e oksigjenit, si ajo në “Sistemi i Shpërndarjes O2”, nuk do të bëhen një nga zgjidhjet e së ardhmes? E shihni, natyra do të mbetet gjithmonë, nuk mund të jemi ne pa të, kështu që është interesante të imagjinohet se si mund të evoluojë simbioza e njerëzimit me të. Unë mendoj se ne kemi nevojë për vizione të tilla në ditët e sotme.
A është kjo arsyeja që ju përdorni shumë rrathë dhe sfera në punën tuaj?
Padyshim, rrethi është formë perfekte, formë e pastër, kur bëhet mirë. Kjo lloj thjeshtësie funksionon mirë si në vizionet futuriste, ashtu edhe në ato arkitektonike. Për shembull, më pëlqen mënyra se si Étienne-Louis Boullée i përdorte rrathët, veçanërisht formën e sferës, sepse ai gjeti një bukuri të vërtetë në përzierjen e tyre me atë çka na rrethon. Por ai jetoi në shekullin e XVII - sa do t'i kishte dashur mundësitë vizuale që u krijuan me teknologjinë moderne! Unë më së shumti përdor forma dhe sfera rrethore për të përfaqësuar përpjekjen njerëzore për të bashkëjetuar me natyrën - jo vetëm që të përpiqem ta kontrolloj atë - por nuk mendoj se do ta shteroj ndonjëherë potencialin vizual të strukturave rrethore.
Ashtu si në “Urbs” and “Urbs 2.0”, dy vizione të dallueshme të një qyteti njerëzor gjenerik që përpiqet të bashkëjetojë me natyrën.
Ky është një shembull interesant. Ndodh që e nis me vizion që nuk ka kuptim, por më pas, pas orësh eksperimente, papritmas kuptoj se cili është mesazhi i saktë që dua të përçoj. Ky ishte rasti me “Vrimën”, një lloj ideje abstrakte të shkrirjes së njerëzimit me natyrën në formën e një rrethi teknologjik, të bërë nga njeriu, që përshtatet disi me botën natyrore. Ose të paktën nuk e mohon atë. Ndonjëherë e kuptoj mesazhin që doja të përçoja me një imazh pasi e botoj në internet.
Mundohem t’u besoj instinkteve dhe imagjinatës time, edhe nëse nuk e di se ku mund të më çojnë. Kjo sigurisht që ishte e vërtetë për “Urbs”, në të cilin një qytet është ndërtuar nën dhe ngjitur me botën natyrore, një mënyrë ekstreme kjo për të bashkëjetuar, apo jo? Një problem që duket se e kanë shumë njerëz me punën time është se nuk përfaqëson mundësi të botës reale. Mundësi si të tilla, sado surreal mund të jenë, për t'ju bërë të mendoni për atë që shihni, ose për të angazhuar dikë në një diskutim, çka është gjithmonë një gjë e mirë. Shumë arkitektë më kanë shkruar duke thënë se jam i çmendur që krijoj dizajne kaq të pamundura, por nuk më shqetëson sepse ky është art. Mundohem të ndjek rrugën time, të provoj gjëra të reja, të eksperimentoj me stile dhe struktura të ndryshme.
Mund të ngjajë shumë europiano-lindore kjo që do them, por unë ndiej një dozë brutalizmi në punën tuaj.
Padyshim që nuk e keni gabim. Brutalizmi është një nga shumë shkollat e arkitekturës botërore nga i cili marr frymëzimin tim. Duhet të them se e shoh mjaft të bukur, sepse arkitektët brutalistë nuk u përpoqën të mashtrojnë askënd, ata përdorën materiale si betoni ose çimentoja në formën e tyre të pastër. Asnjë ngjyrë në të, vetëm materiali i papërzier. Pothuajse si në një shtëpi prej druri, ku drurin e sheh me sy. Më pëlqen edhe racionaliteti i kësaj tendence. Mund të mos jetë aq e dukshme në artin tim, por unë jam një tifoz i madh i arkitekturës racionale, i linearitetit, simetrisë, organizimit matematik të hapësirës. Unë mendoj se janë bërë gabime gjatë evolucionit të arkitekturës bashkëkohore - e cila tenton të fshehë ose korrigjojë racionalitetin, si dhe mënyrën si punonin mjeshtrit e vjetër. Sipas mendimit tim, nëse nuk i referohemi të kaluarës, nëse nuk bëjmë një lidhje me atë që ka qenë dikur, nuk do të jemi në gjendje të krijojmë të ardhmen që mundemi. Por mendoj se kjo është shumë filozofike për bisedën tonë. Gjithë sa kam për të thënë është se përpiqem ta bëj një lidhje të tillë.
Si përgatiteni për krijimin e një imazhi të ri? A lind gjithçka në kokën tuaj, apo bëni kërkime, lexoni revista shkencore etj?
Kryesisht është vizioni im. Ndonjëherë është surreal; nganjëherë bëhet politike për mënyrën se si unë përpiqem të tregoj legjitimitetin e frikës që ndiejnë shumë prej nesh ndërsa shohin si po shndërrohet civilizimi ekstrem modern. Sidoqoftë, e nis nga një vizion i përgjithshëm i asaj që dua të tregoj, pastaj filloj ta formësoj atë përmes një lloj softueri. Kam tendencën të eksperimentoj çdo herë me teknika, metoda dhe softuer, sepse nuk dua të jem shumë komod në atë që bëj. Çdo ide që zgjedh rritet organikisht përmes përdorimit të mjeteve që duken më të përshtatshmet për ta sjellë atë në jetën dixhitale.
Si e kuptoni që e keni përfunduar dhe se kjo është ajo që dëshironi të ndani me botën?
Kur e kuptoj që është e ngjashme me vizionin që kisha në kokë në fillim. Kur të gjitha detajet janë pikërisht aty ku duhet të jenë. Ka raste që mund të prodhoj një imazh brenda pesë ose gjashtë orësh, por më së shumti duhen disa ditë, ndoshta një javë. Varet. Ndonjëherë më ndodh bllokimi i artistëve dhe duhet të lë një projekt dhe të filloj një tjetër vetëm për të pastruar idetë, kështu që të gjitha shkrihen.
Më thatë se jetoni në një fshat të vogël italian, i rrethuar nga natyra. Si i mbani kontaktet me botën moderne si në nivelin personal, ashtu edhe në atë profesional?
Shumë mirë, duhet të them, por kërkon punë të madhe, madje edhe disa sakrifica. Unë u transferova këtu pesë vjet më parë për të bërë një ndryshim. Patjetër që e kisha frikë ndryshimin, sidomos për faktin se kam qenë gjithmonë një banor qyteti. Kështu që kush isha unë të jetoja në Italinë rurale, apo jo? Por ndjeva se duhej të bëja diçka në lidhje me jetën time. Në Romë, mezi e arrija fundin e muajit, punoja dhe lodhesha shumë dhe nuk ndodhi ndonjë gjë veçanërisht interesante. Kam punuar që të kem para të mjaftueshme për të punuar edhe më shumë. Kur arrita këtu, gjithçka ishte ndryshe, por jo e frikshme - ndryshe. Jam mësuar me këtë mënyrë të re të jetës, me kohën e sapogjetur që mund t’ia kushtoja krijimit të imazheve dixhitale që doja. Unë u bëra Inward, një artist dixhital 3D me ndjekës në mediat sociale dhe klientë që pëlqyen atë që panë dhe porositën dizajne nga unë. U deshën muaj, madje edhe vite, padyshim, por unë kisha pasionin dhe vullnetin ta bëja. Tani jam vërtet mirë, pasi kam një numër të kënaqshëm klientësh besnikë, edhe d për shkak të revolucionit të NFT. Kam ndërmend të shfrytëzoj kohën dhe hapësirën që kam këtu për t’u përqendruar në artin tim.
Si e revolucionarizoi NFT [një lloj i ri kriptomonedhe që ndihmon për të shndërruar në mall krijimet dixhitale – shënim i autorit] botën tënde?
Jo vetëm timen, ajo e ka revolucionarizuar botën e artit dixhital si të tillë. Një NFT i jep artit tuaj jo-fizik një certifikatë që e bën atë një artikull të vlefshëm. Dhe ka shumë koleksionistë të gatshëm të paguajnë goxha para për artin e mirë dixhital. Beeple, të cilin gjithmonë e kam admiruar për krijimet e tij, kohët e fundit shiti kolazhin e tij Everydays për 69 milionë dollarë! Ai ndryshoi historinë e artit dhe i bëri një forcë që duhet marrë parasysh të gjithë artistët që nuk u trajtuan si duhet nga koleksionistët tradicionalë. Është vetëm fillimi i kësaj lëvizjeje dhe pretendohet se ka një komunitet të jashtëzakonshëm artistësh dhe koleksionistësh.
Add new comment