Ku shkoi gjithë ai pasion politik?
Fushata e tanishme elektorale, që mund të soditet edhe si kalendar zgjedhor, po konfirmon në mënyrë të qartë një lloj çmobilizimi emocional të shoqërisë shqiptare me politikën. Ndoshta ndikon edhe pandemia, tërmeti, emigrimi e shumëçka tjetër. Por në të vërtetë asnjë prej këtyre faktorëve nuk vepron aq sa zhgënjimi. Dhe ideja se në sfondin e çdo demagogjie, apo propagande, qëndron një dështim i dukshëm dhe strukturor i kësaj politike.
Dallimi është esencial dhe ka ndodhur në një kohë të shkurtër. Pak vjet. Dikur kishim pasion të madh politik, që e jonizonte atmosferën, u jepte kuptim termave tradhëti, qëndrestar, protestë, bastion etj. Sot kaq demode.
Ishte ai pasion që stimulonte një klimë konflikti që mesa duket ishte më tepër pranë njerëzve sesa politikës. Sot klima nuk arrin të jonizohet, sepse ajo është e intoksikuar nga mungesa e shpresës dhe besimit. Ndaj edhe konflikti është zhvendosur lart, aty ku ballafaqohen interesat ekonomike dhe asgjë më shumë.
Dikur politika manipulonte, sot injoron tërësisht interesin publik. Ose atë që ka mbetur prej tij. Ngjajnë të largëta dhe thuajse primitive kohët e debateve për politikë, kohët e gazetave, përballjes dhe protestave që ngjanin se do të ishin finalet. Politika arriti të inkuadrojë në vendimmarrje grupet ekonomike dhe të krijojë struktura të mbyllura për mbrojtjen e tyre.
Në shumë pak vjet rolet ndërruan kaq shpejt saqë çuditesh kur sheh atë pozicionim aq dogmatik, aq irracional, aq reaktiv, ndërkohë që sot çdo gjë është racionale dhe e ftohtë. Ndaj edhe më e dëmshme. Sepse dje mundet që njerëzia të ndërseheshin pasi viktimat po prej saj do të ishin. Politika vetë nuk mund të ndërsehet sepse përfundimi merret me mend.
Por megjithatë, do të ishte mirë që ai pasion të kanalizohej në drejtim të zhvillimit, por siç shihet ai pasion thjesht u shua nga zhgënjimi, dështimi dhe fakti se politika zbuloi se ka një qëllim: pasurimin. Këtë klimë përfaqësojnë dhe mishërojnë më së miri të ashtuquajturit liderë të rinj që shenjojnë kohën e re të këtij vendi që po merr rrugën e vet të kapitalizmit. Të ftohtë, cinik, antisocial dhe me një përmbajtje të lartë kriminaliteti. Gjithçka ka ndryshuar, veç këmbënguljes së elektoratit për të vazhduar në votën inerciale, përsëritëse. Çfarë mund të kemi atëherë në Parlament?
s.zaimi
Add new comment