Virusi gjunjëzoi turizmin, dëmi sa 11-fishi i krizës së recesionit

Postuar në 28 Janar, 2021 16:24

Sektori që pandemia ka dëmtuar më shumë është turizmi. Në rang global, dëmet arrijnë një shifër rekord. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Tregtisë, gjatë vitit 2020, sektori i turizmit në nivel botëror humbi plot 1.3 trilion dollarë, për shkak të kufizimeve të udhëtimit që imponoi Covid-19.

Shifra është 11-fishi i humbjeve që u regjistruan gjatë krizës ekonomike globale të vitit 2009 dhe korrespondon me një rënie prej 74% të mbërritjeve të turistëve në botë krahasuar me vitin 2019, thuhet në një deklaratë të agjencisë së Kombeve të Bashkuara.

Kriza ka vënë në rrezik 100-120 milionë vende pune në këtë sektor, shumë prej të cilave në ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Në mënyrë të veçantë, Evropa regjistroi një rënie prej 70% të hyrjes së turistëve, pavarësisht një ringjalljeje të vogël dhe jetëshkurtër në verën e vitit 2020. Rajoni pësoi rënien më të madhe në terma absolutë, me mbi 500 milionë turistë ndërkombëtarë më pak në vitin 2020. Dy Amerikat përjetuan një rënie prej 69% në udhëtimet ndërkombëtare, ndërsa situata u përmirësua disa në tremujorin e fundit të vitit.

Edhe parashikimet e Organizatës Botërore të Turizmit janë të zymta. Shumica e ekspertëve nuk shohin kthim në nivelet para-pandemike përgjatë dy viteve të ardhshme. Ata parashikojnë se viti 2023 do të jetë një pikë kthese. Projeksionet e OBT-së janë për një rikthim të turizmit në nivelin e vitit 2019 vetëm në vitin 2024.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.