Ka ndodhur një gabim i vockël: Të ndryshon Vendbanimi!
Një raportim i para disa ditëve i TVT për disa parregullsi në gjendjen civile të disa qytetarëve dhe ndryshimin e vendbanimit prodhoi një situatë qesharake me një qeveri që shitet se ka çdo gjë nën kontroll. Drejtori i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj nuk u prononcua gjithë këto ditë dhe hera e fundit që e kemi parë atë të shfaqet në media, ishtë kur njoftonte gjobat për qytetarët që nuk vetëdeklarojnë vendbanimin. Në përgjithësi skota e Rilindësve ka dëshirë të promovohet në media si gjobvënëse pasi në këtë mënyrë ndoshta mendon se afirmon forcën e vet, por edhe më groteskja, dëshirën për të bërë shtet.
Shefi i z. Doracaj, ministri Sandër Lleshaj doli në një konferencë për shtyp vetëm pasi çështja u politizua, pra vetëm pasi PD-ja akuzoi se po kryhej manipulim me synim listat. Pra ministri që shitet se ka për zemër qytetarët u instruktua që të fshihej deri sa çështja të bëhej politike. Pse? Sepse është më e thjeshtë të kundërakuzosh PD-në sesa të sqarosh qytetarët. Kur opozita thotë se po bëhet manipulim, ajo nuk paraqet asnjë provë, por hedh tymëse ditore, ndaj të cilave z. Lleshaj mund të dalë e të thotë se kemi të bëjmë me mashtrim. Dhe kështu në vend se të marrim vesh çfarë ka ndodhur shohim teatrin e përditshëm ku fati e vuri edhe Sandër Lleshajn. Pa lënë mënjanë këtu faktin se Gjendja Civile menaxhohet nga një kompani që ka një përgjegjësi kontraktuale të caktuar e që duhet të japë sqarime. Jo. Heshtje. Kemi PD-në që na zgjidh punë dhe një ministër që fut kokën në rërë.
Pas tij del në Agjencinë Telegrafike Shqiptare edhe z. Doracaj që do të duhet të sqaronte teknikisht se çfarë ka ndodhur, por që në fakt nuk thotë asgjë.
Askush deri para pak kohësh nuk dinte të sqaronte se ku e ka shtëpinë, por mundohej që t’ua jepte personave të interesuar duke referuar mjete rrethanore.
Pas 30 vitesh qeveria shqiptare në vitin 2016 ndërmori dhe akordoi një fond, i cili bënte të mundur krijimin e një sistemi të ri adresash, dhe funksional mbi të gjitha. Në vitin 2019 filloi implementimi i këtij sistemi duke bashkuar të dy regjistrat, regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe atë të adresave. Gjatë bashkimit të dy regjistrave është një numër i konsideruar qytetarësh që nuk janë gjendur në adresën ku ata kanë deklaruar apo kanë vendbanimin, por janë gjetur në një adresë tjetër ku ata jetonin përkohësisht apo përherë. Nisur nga këto kushte, gjatë bashkimit të regjistrave nga trokitja derë më derë, u konstatua se ka qytetarë që nuk e kanë vendbanimin aty ku e kanë deklaruar. Dhe kur bashkohen të dy regjistrat këtyre qytetarëve u del kodi i Zyrës së Gjendjes Civile apo vendbanimi. U del si për shembull nga vendbanimi tek njësia 5 në Tiranë, adresa u del në Kavajë, Vlorë. Të gjithë qytetarët e pranuan që kanë shtëpi të dyta. Kur qytetari është intervistuar aty ku është gjetur ka thënë është shtëpia ime, unë këtu jetoj
thotë z. Doracaj. I cili këtu na thotë se edhe shërbimi postar i Republikës ka funksionuar në mënyrë spontane duke lënë me gjasë letrat dhe dërgesat në lokalet e lagjeve.
Nga ana tjetër, ky prononcim lë të kuptojë se Gjendja Civile që ai drejton bën ndryshime materiale në kokë të vet pasi si mund të quhet ndryshe përkufizimi i z. Doracaj se nuk e kanë vendbanimin aty ku e kanë deklaruar? Kategoria e vendbanimit që pasqyrohet në dokumente nuk është e njëjta me adresën apo vendqëndrimin, për sa kohë që siç na thotë po ky njeri ai bëhet me vetëdeklarim.
Shikoni më poshtë sesi bën kthesë 180 gradë ky zotëri:
Qëllimi i të gjithë projektit është detyrimi i shtetit ta dijë se ku i ka qytetarët e vet. Edhe shtetasi ka detyrim t’i tregojë shtetit ku jeton. Ne nuk iu kemi ndryshuar vendbanimin. Vendbanimin e kanë aty ku e kanë pasur. Sepse vendbanimi ndryshon duke u paraqitur personi vetë. Personi paraqitet me dokumente përkatës tek Zyra e Gjendjes Civile ku do të shkojë. Ky është një konflikt që është krijuar tek adresat që do të thotë rrjedhimisht, as në qendrat e votimit, as në listën e zgjedhësve. Qytetarët aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën, do të votojnë edhe në 2021-in, në qoftë se nuk e kanë ndryshuar vendbanimin konform dokumentacionit të parashikuar nga ligji. Të gjithë ata që kanë probleme me adresat, nuk kanë probleme me zgjedhjet, ata do jenë aty ku kanë qenë
Po kush vallë nga qytetarët ngriti së pari shqetësimin se mos i kanë ndryshuar qendrën e votimit, kur shqetësim është pikërisht ndryshimi i vendbanimit me vendim të nëpunësve të këtij njeriu? Askush. Thjesht direktiva është që të përjashtohet manipulimi i listave pa po të jetë për qytetarët, atyre hurin kokës, e të shkojnë ta rregullojnë vetë çështjen. Me para në dorë sigurisht sepse ne e dimë alibinë e këtij shteti të rreckosur që nga tatimet te gjendja civile: e ka bërë sistemi!
Problemi si është krijuar? Hajde të hamendëosjmë. Mos vallë ka probleme kompania me kontratë? Do parë edhe kjo punë sepse për punë kontratatsh këta të Rilindjes e kanë të sikletshme të flasin edhe pse janë të aftë të kullandrisin tekste si ky i Doracajt apo si elegjia e ministrit Lleshaj. Por në dorë të këtyre mbërriti ky vend që ta pranojmë: nuk meriton më shumë. Ndaj adresa e sigurtë është Pranë ministrit dhe pranë Drejtorit të Gjendjes Civile.
Add new comment