Introvertët, të përjashtuarit padrejtësisht nga bota e ekstrovertëve
Jeta si introvert nuk është e lehtë. Qëkur u diplomova, unë kam qenë e detyruar të punoj në zyra me plan të hapur. Është rraskapitëse. Imagjinoni të jeni të angazhuar në një detyrë që kërkon përqendrim të lartë, të tilla si ajo e të kërkuarit të një vëthi të humbur në mes të një fushe tenisi. Tani imagjinoni që një nga topat e tenisit të lëshohen automatikisht mbi ju. A nuk do të lodheni shpejt dhe do të jeni shumë më pak efikas në kërkimin tuaj? Kështu ndihem gjatë punës sime, kur shpërqendrimet e papritura dhe të përsëritura më vijnë pranë tryezës time.
Lufta e një introverti nuk mbaron në zyrë. Pjesëmarrja në konferenca, me mijëra të pranishëm, është një pjesë qendrore e një karriere akademike. Imagjinoni veten duke hyrë në një sallë të madhe, me drita neoni të ndritshme, qindra njerëz në secilin rresht dhe një sfond tjetër që ju detyron të bërtisni për t'u dëgjuar. Në një seancë tipike dy-orëshe, pritet të merrni informacionet që ju nevojiten, ndërsa gjithashtu të prezantoni me efikasitet punën tuaj për kolegët. Si introvert, përvoja është e barabartë me drejtimin e një makinerie të frikshme ndërsa duhet të ruani buzëqeshjen në fytyrë.
Dua të them se këto lloje sfidash janë të kufizuara në mjedisin e punës, por nuk është kështu. Për ditëlindjen time të fundit, një mik më qerasi me një darkë në EatWith - një platformë për ndarjen e vakteve. Praktikisht, ftohesh të darkosh në shtëpinë e njerëzve që janë të huaj për ty, të cilët gatuajnë dhe ka edhe të tjerë të ftuar. Do të shijoja përvojën ushqimore dhe kulturore nëse nuk do të më duhej të kaloja ato bisedat e vogla me njerëz të rastit. "Tingëllon si argëtim", i thashë me mirësjellje mikut tim, por i thashë vetes se kjo ishte një tjetër platformë e dizajnuar keq për introvertët.
Sot, si psikologe, e di se të qenit introvert është një tipar i zakonshëm. Për dallim nga ndrojtja, e cila ka të bëjë më shumë me frikën për t’u gjykuar negativisht, të qenit introvert përcaktohet si një preferencë për ambiente të qeta, më pak stimuluese. Psikanalisti zviceran Carl Jung ishte i pari që propozoi diferencimin e individëve përgjatë një aksi introvert-ekstrovert. Në shkrimet e tij në vitin 1920, ai i përshkroi introvertët si njerëz që preferonin ta drejtonin vëmendjen e tyre përbrenda, tek ndjenjat dhe mendimet e tyre dhe shpjegoi si ata e humbasin energjinë gjatë ndërveprimeve shoqërore. Në të kundërt, ekstrovertët e drejtojnë vëmendjen e tyre nga jashtë, fitojnë energji nga bashkëveprimet shoqërore dhe humbin energji gjatë periudhave të vetmisë.
Duke filluar në vitet '50, psikologu me origjinë gjermane, Hans Eysenck propozoi një shpjegim fiziologjik për ndryshimin midis introvertëve dhe ekstrovertëve. Ekstrovertët, tha ai, kanë një nivel fillestar më të ulët të ngjalljes kortikale në krahasim me introvertët, çka i bën ata të kërkojnë stimulim të jashtëm për të rritur motivimin, vëmendjen dhe gatishmërinë e tyre. Në të kundërt, nivelet e ngjalljes fillestare më të larta te introvertët, i bëjnë ata të tërhiqen. Psikologjia bashkëkohore akoma e konsideron dallimin introversion-ekstraversion si një aspekt thelbësor të personalitetit (është një nga tiparet e ashtuquajtura Big Big Five’), megjithëse shihet si një spektër i vazhdueshëm përgjatë të cilit ne jemi të pozicionuar të gjithë, sesa një gjendje dikotomike .
Megjithëse nuk ka asnjë mënyrë përfundimtare për të identifikuar proporcionin e introvertëve në popullatë, Susan Cain, një mendimtare me ndikim në këtë fushë, ka bërë një vlerësim të arsyeshëm se të paktën një e treta e njerëzve janë në fund të këtij spektri. Një e treta në anën tjetër janë ekstrovertët, dhe një e treta e fundit bie diku në mes - disa i quajnë këta njerëz "ambivertë". Duke ditur që introvertët përbëjnë një pjesë afërsisht të barabartë të popullsisë me ekstrovertët, unë vazhdoj të pyes për 33 përqindëshin që mungon - ku janë të gjitha introvertët në oqeanin e ekstrovertëve që më rrethojnë në jetën time të përditshme?
Ndërsa unë kam miq introvertë, ata duket se janë shumë më të shumtë se miqtë dhe të njohurit e mi ekstrovertë. Më duhet t’i kujtoj vetvetes se kjo mungesë e dukshme në peizazhin tim të përditshëm nuk është për t'u habitur: ne introvertët është më e vështirë të biem në sy. Introvertët ndoshta nuk do të jenë ata që bëjnë një shaka me të gjithë zyrën, të presin te aparati i kafes për një shans për të biseduar, ose të shfaqen në ekrane si yje televizoni. Përkundrazi, ka më shumë të ngjarë që ata të shijojnë një kohë të qetë vetë ose me disa miq të përzgjedhur, të përpunojnë mendimet e tyre në heshtje para se t'i thonë ato me zë të lartë dhe të tërhiqen në vendin e tyre të qetë për t’u rikarikuar pas ndërveprimit shoqëror.
Ndërsa mënyra se si duan të duken ekstrovertët është vetëshpjeguese, ajo është larg nga të qenit e parëndësishme. Jo vetëm që do të thotë që të qenit introvert perceptohet si më pak i zakonshëm nga sa është në të vërtetë, por edhe introvertët kanë më pak të ngjarë të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në grupe me ndikim shoqëror, përfshirë në politikë. Ne rrezikojmë të humbasim kontributin e jashtëzakonshëm të një përqindjeje të madhe të punonjësve tanë, studentëve, praktikantëve dhe miqve.
Për shembull, ekstrovertët ka më shumë të ngjarë të marrin pjesë në angazhime politike, të tilla si përhapja e mesazheve politike dhe nënshkrimi i peticioneve, si në internet ashtu edhe në terren. Mesazhet politike negative, të cilat duken kaq të zakonshme në ditët e sotme, i pengojnë introvertët nga pjesëmarrja në politikë, ndërsa kanë ndikimin e kundërt te ekstrovertët, duke përfshirë edhe mundësinë e votimit, mitingut ose vullnetarizmit për një fushatë politike. Ekstrovertët janë më aktivë në mediat sociale. Ata gjithashtu kanë qasje më të lehtë në gradat më të larta të korporatave, për shkak të vëmendjes së lartë që ata tërheqin ndaj vetvetes dhe stereotipeve sociale që i lidhin karakteristikat ekstroverte me lidershipin. Kjo gjendje e brendshme lë shumë nga vendimet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të introvertëve, në duart e ekstrovertëve.
Fatkeqësisht, përfaqësimi më i madh i ekstrovertëve në jetën shoqërore dhe politike është vetë-përjetësuese. Kushtet e punës të zgjedhura nga ekstrovertët për t’u përshtatur me ekstrovertët rritin barrën për introvertët. Për shembull, takimet në grup, në të cilat secili pjesëmarrës kontribuon me mendimet e tij në një mënyrë të çorganizuar, të bazuar në mbizotërim, mund t'i vendosë introvertët në një disavantazh. Mbivlerësimi i ekstrovertëve në menaxhimin dhe rolin e rekrutimit gjithashtu zvogëlon mundësinë e promovimit fitues të introvertëve për shkak të asaj që quhet 'paragjykimi i ngjashmërisë' - tendenca jonë për të preferuar njerëzit që janë të ngjashëm me veten tonë. Kjo nuk është vetëm e padrejtë për introvertët, por është në dëm të organizatave.
Udhëheqja është e lidhur zakonisht me të qenit ekstrovertë, por historia na mëson se introvertët mund të shërbejnë si udhëheqës të fuqishëm. Rosa Parks, një aktiviste kryesore në lëvizjen amerikane për të drejtat civile, ishte e qetë dhe e rezervuar. Veprimet e saj të guximshme, më shumë sesa fjalët, çuan në një pikë kthese të rëndësishme. Në mënyrë të ngjashme, ndërsa shërbente si president i SHBA, Barack Obama mbronte vetminë e tij në mbrëmje, e kalonte kohën duke lexuar dhe i përqendruar në vendimet e punës. Preferenca e tij për dalje në grupe të vogla dhe jo për ngjarje të mëdha sociale nuk e privoi atë nga aftësi të jashtëzakonshme komunikimi dhe aftësia për të marrë vendime të guximshme. Në dallim nga perceptimi i gabuar i introvertëve si snobë, mizantropë ose depresivë, ne mund të jemi tejet empatikë, me aftësi të forta komunikuese.
Por nuk është rasti të përcaktojmë nëse introvertët apo ekstrovertët bëhen udhëheqës më të mirë, përkundrazi secili sjell diçka të ndryshme, dhe diversiteti shpesh është thelbësor për udhëheqjen efektive. Për shembull, ekipet sipërmarrëse performojnë më mirë kur udhëheqja ndahet midis individëve, por vetëm nëse ata kanë tipare të ndryshme të personalitetit. Për më tepër, skuadrat e mbizotëruara nga anëtarët ekstrovertë në të vërtetë performojnë më mirë nën udhëheqësit introvertë, ndoshta për shkak të reagimit më të madh ndaj ideve të punonjësve të tyre.
Problemi kryesor kulturor është që introvertët shihen gjerësisht si të papërshtatur me mjedisin, në vend që të pranohet se mjedisi është krijuar për të përfituar ekstrovertët. Lavdërimi dhe pranimi i shoqërisë për ekstravertët pasi norma ka bërë që shumë introvertë, së bashku me shumë ambivertë, të shtypin aspekte të ndryshme të personalitetit të tyre, ose t'i shohin ato si të meta. Kjo gjendje është e keqe jo vetëm për introvertët, por edhe për shoqërinë në tërësi.
Paragjykimi fillon tashmë që në klasën e parë. Të mësuarit në një mjedis të madh në klasë mund të jetë me kosto efektive, por nuk është aspak modeli më i mirë për të gjithë. Disa fëmijë, veçanërisht introvertët, do të luftojnë në shoqërinë e vazhdueshme të një numri të madh “të tjerësh” dhe kërkesën e vazhdueshme për t'u angazhuar në punë në grup. I njëjti koncept i gabuar – imponimi i introvertëve për të ndryshuar - reflektohet edhe në propozimin e fundit që introvertët do të ishin më të lumtur nëse ‘do të vepronin në mënyrë më ekstroverte’, edhe nëse duke vepruar në këtë mënyrë kundërveprojnë me tendencat e tyre të natyrshme.
Ndryshime të thjeshta në shoqëri mund të bëhen për të zbutur pabarazitë me të cilat përballen introvertët. Në sistemin arsimor, për shembull, hapësirat private të përcaktuara në shkolla mund të lejojnë strehim periodik për ata fëmijë introvertë dhe të tjerë që kanë nevojë për një vend për t’u “rikarikuar”. Introvertët gjithashtu mund të përfitojnë nga një qasje më e madhe në platformat e mësimit dhe shkëmbimit në internet, me komunikim asinkron, që u bën të mundur të mendojnë dhe të hulumtojnë një zonë pa presionin për t'u përgjigjur menjëherë. Krijimi i mundësive të barabarta për pjesëmarrje në klasë, siç është t’u japësh kohë studentëve për të menduar, autonomia për të vendosur të punojnë vetëm ose të shkruajnë idetë e tyre në vend që t'i paraqesin ato me gojë, gjithashtu mund të ndihmojnë në ribalancimin e pabarazisë tradicionale.
Në mjediset e biznesit dhe atë akademik, punëtorët duhet të kenë më shumë autonomi në zgjedhjen e kushteve të tyre të punës. Në takime, deklarimi i temave që duhen diskutuar paraprakisht mund t’u japë më shumë kohë introvertëve të përgatisin dhe përpunojnë informacionin. Ndarja e kohës për secilin pjesëmarrës për të folur mund t’u japë gjithashtu mundësinë introvertëve të shprehin mendimet e tyre. Duhet të ketë më shumë pyetje nëse takimet në grup janë domosdoshmërisht platforma më e mirë për shpërndarjen e njohurive, diskutimet dhe marrjen e vendimeve. Disa të punësuar, posaçërisht introvertët, do të bëjnë një punë më të mirë duke i çuar projektet përpara në mënyrë individuale.
Atëherë, ku janë 33 për qind? Jemi fizikisht të pranishëm, por kulturalisht mungojmë. Është koha që shoqëria të pranojë që një masë nuk u përshtatet të gjithëve. Qëllimi i miratimit të kushteve gjithëpërfshirëse duhet të mbështetet jo vetëm nga një e treta, por nga e gjithë shoqëria. Megjithatë, derisa kushtet të bëhen më të barabarta, ne introvertët do të duhet të shkojmë kundër instinkteve tona, të themi atë që kemi në mendje dhe të punojmë për t’ua përshtatur mjediset sa më mirë nevojave tona. Për shembull, duke kërkuar skicën e takimeve të ardhshme, dërgimin e emaileve vijuese pas një takimi me idetë që na kanë ardhur pas një reflektimi të qetë, dhe duke rregulluar ambiente pune të qeta, edhe nëse kjo nënkupton punën larg nga shtëpia. Më e rëndësishmja, ne duhet të kujtojmë se të qenit introvert nuk është diçka që duhet të rregullohet - por një burim i bekuar i diversitetit njerëzor që vjen i shoqëruar me shumëllojshmëri force. Rritjen tonë personale dhe kolektive nuk do ta çojmë përpara duke eliminuar këtë diversitet, por duke e përqafuar atë.
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Burimi: psyche.co
Add new comment