Peticioni i pazakontë/Një pjesë e artistëve: Prisheni Teatrin!

Postuar në 15 Maj, 2020 21:57

Ndoshta është peticioni i parë që aktorë të një teatri ku kanë performuar një jetë të tërë, kërkojnë prishjen e tij. Ky është rasti me peticionin e firmosur sot nga disa artistë në krye të të cilit qëndron Robert Ndrenika, e pastaj vazhdon ndonjë tjetër si Arben Derhemi, apo Alfred Trebicka që në fillim folën për hunj e dhunë kundër prishjes. Mungon emri i Bujar Asqeriut p.sh një tjetër tenor me dy zëra në këtë histori, ndërkohë që në teskt flitet për një kontribut 50-vjeçar dhe një godinë të rrënuar, e në fund përkundrejt këtij nënvizimi figuron firma e ndonjë aktori si Laert Vasili që nuk ka lidhje as me artin shqiptar, e lëre më me teatrin.

Të gjithë këta që ankohen se duan teatër të ri dhe nuk duan të përdoren nga politika, po "harrojnë" logjikën si metër diskutimi, pasi po, ndërtimi I një Teatri të ri nuk ka nevojë të argumentohet dhe diskutohet. Është një gjë e domosdoshme, por prishja e teatrit aktual nuk arrin prej askujt të përligjet si akt kriminal përmes të cilët po synohet t’i hapet rrugë triumfit të të resë. Më poshtë peticioni i artistëve me firmat dhe emrat bashkë me respektin e detyruar të mendimit të Tjetrit, por edhe me dyshimin nëse kemi të bëjmë vërtet me një mendim të lirë. Nuk ka asgjë ta justifikojë këtë kërkesë për prishje. Arti jo e jo, memoria asnjëherë. Vetëm politika gjen arsye aty ku duken të pamundura për t’u gjetur.

Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, detyrohemi sot të rimerremi me një debat të shteruar plotësisht, të cilin nga ana jonë e konsiderojmë të mbyllur me sukses në emër të interesit kombëtar dhe të interesit të komunitetit tonë! Me anë të këtij peticioni publik, nuk duam të flasim më për nevojën e lashtë që komuniteti ynë ka për një Teatër të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, i cili duhet të ndërtohet pa asnjë diskutim në truallin e kompleksit ekzistues, sepse ai truall ka qenë, është dhe duhet të mbetet trualli material e shpirtëror i komunitetit tonë në breza.

Me këtë peticion ne kërkojmë që politika e të gjitha anëve, të mos na bëjë as ne, as projektin e Teatrit të ri Kombëtar, pjesë të lojës apo çorbës së saj. Ne Ju drejtohemi me kërkesën publike që të ndaloni menjëherë politizimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje! Ne duam të ndajmë me Ju dhe publikun shqiptar, bindjen tonë se kushdo që do të përpiqet ta përdorë më tej emrin dhe skenën e Teatrit Kombëtar për teatro të natyrave të ndryshme, pa asnjë lidhje me teatrin tonë, nuk do as të mirën e kulturës shqiptare, as të mirën e Teatrit Kombëtar dhe as të mirën tonë jo dhe jo!

Ju lutemi na mirëkuptoni, por durimi ynë ka sosur dhe nuk përballojmë dot më as edhe një kokërr loti krokodili në mexhlis për teatrin tonë! 50 vjet në atë ndërtesë-karantinë dhe të harruar nga politika na dalin e na teprojnë! Ne dhe brezat e aktorëve e regjisorëve pas nesh meritojmë një Teatër dinjitoz, që të na shërbejë jo vetëm neve, por edhe publikut teatërdashës, që nuk mund të vazhdojë të ndjekë edhe për 50 vjet të tjera teatrin politik me Teatrin Kombëtar, në vend të shfaqjeve tona.

Ndaj, të nderuar zotërinj, kërkojmë nga Ju të mos përziheni më me nevojën urgjente që ka komuniteti ynë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar! Sepse boll dekada janë djegur duke pritur që të merreni vesh Ju me njëri-tjetrin për zgjidhjen e këtij halli jetik për ne. Keni boll punë të tjera edhe më të mëdha, prandaj me konsideratën më të lartë, ne Ju kërkojmë të mos kërkoni tek Teatri Kombëtar as punë dhe as masha për këtë punë!

Kryeministri Rama le të merret me Armikun e Padukshëm, Lulzim Basha le të merret me Ramën, Presidenti Meta le të merret me Kushtetutën, ndërsa ne të mos merremi më nëpër këmbë me ose pa dashjen Tuaj!

Sa për ata pak kolegë dhe “kolegë” që mendojnë se kanë marrë përsipër të mbrojnë godinën, shumicën e të cilëve nuk i njohim kush janë apo disa i kemi edhe miq (pavarësisht se nuk e gjejmë dot mbi çfarë karriere skenike kanë monopolizuar dhe devijuar totalisht kauzën tonë), ne kemi lutjen publike që të ndahen nga politikanët! Sepse Teatri Kombëtar nuk është “Astiri” dhe skena kombëtare nuk është “tokë e xanun”!

Historia e Teatrit Kombëtar nuk shkruhet tek dera e godinës, po në qendër të skenës!

Duke ju uruar suksese në punën Tuaj dhe shëndet në familjet Tuaja, urojmë që të mos e konsideroni këtë thirrje publike si një letër më shumë pa përgjigje.

Me respekt,

Robert Ndrenika              Luftar Paja

Viktor Zhusti                      Artan Imami

Spiro Duni                           Leka Bungo

Altin Basha                          Arben Derhemi

Pellumb Kulla                     Arben Kumbaro

Marjana Kondi                  Hervin Culi

Luli Hoxha                           Laert Vasili

Salsano Rrapi                     Gazmend Paja

Lulzim Zeqja                       Genc Shkodrani

Gjergj Mena                      Iliriana Basha

Marin Orhanasi                 Iliriana Basha

Bajram Dosti                      Ledio Lako

Aleksander Grami            Eriona Kakeli

Erblin Bajko                        Jorkë Brokaj

Roland Saro                        Edmond Rrapi

Kristo Cala                           Albana Perhati

Dervish Biba                       Algiona Aga

Alex Seitaj                           Agim Bajko

Nikolla Llambro                 Alfred Trebicka

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.