Co Vid -19 shpallet Virus Autokratik

Postuar në 25 Mars, 2020 21:11

Pandemia e koronavirusit ka hapur frontin e një lufte gjeopolitike të paprinciptë që provon se sëmundja kryesore e njeriut është tjetërgjë nga infektimi patogjenik i Co Vid 19. Kina në asnjë rast nuk deklaroi se virusi nuk shpërtheu jashtë saj. Ajo e mori këtë narrativë sapo nga SHBA nisi goditja politike që e cilësonte pandeminë si “virusi kinez”. Së fundmi mediat kryesore perëndimore po raportojnë se sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo ka kërkuar nga vendet e G7 që t’i referohen virusit si virusi i Vuhanit.  E ka bërë këtë bashkë me deklaratën standarde se:

Partia Komuniste përbën një kërcënim thelbësor për shëndetin dhe mënyrën tonë të jetesës

Të njëjta media vënë në dukje se edhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka kërkuar që të shmanget cilësimi i emrit të virusit përmes emrit të origjinës.

Ka arsye jo vetëm politike për këtë gjë. Askush nuk e di se nga origjinon realisht një virus. As se çfarë e bën atë kaq ngjitës dhe virulent për njerëzit. Dihet vetëm se shtamat evoluojnë nga njëra kafshë te tjetra dhe nisin rrugën drejt gjitarëve ku replikohen me shpejtësi. Vetë pandemia ilustron përparimin e një gjallese përmes parazitimit në një tjetër dhe nuk ka sens të kërkosh origjinë, veçse nën prizmin e kërkimit të kushteve klimaterike dhe ekologjike që ndihmojnë në luftën ndaj virusit.

P.sh të gjithë i referohen pandemisë së vitit 1918 si Gripi Spanjoll, por siç është sqaruar tashmë ai u quajt kështu sepse asnjë vend veç Spanjës nuk shkruante për të, për shkak të përfshirjes në luftë. Shkencëtarët kanë konkluduar me një saktësi relative se virusi me shumë gjasë origjinoi në SHBA dhe u soll në Europë nga ushtarët amerikanë. Nëse do të flasim me gjuhën e Trump dhe Pompeos do na dalë se genocidi më i madh në histori i është bërë njerëzimit nga amerikanët përmes virusit të gripit në fjalë që ishte nga më asgjësuesit.

Po kështu instituti Max Planck kosntatoi se aztekët u zhdukën për shkak të salmonelës që sollën në Amerikën e Jugut europianët. Thuhet se në një shekull vdiqën me miliona, aq sa u zhdukën si popull, por ky është një episod tragjik i pasojave të kontaktit mes njerëzve që janë për shkak të rajoneve nga vijnë dhe historisë së mikrobiologjisë së tyre, përçuese e patologjive kërcënuese.

Thuhet se dieta e ndryshuar ushqimore e banorëve të Afrikës Subsahariane këto dekadat e fundit dhe përfshirja në to e dietës perëndimore ka gjeneruar një epidemi të vërtetë diabeti që ka pasoja afatgjata ekonomike.

Kush e ka fajin?

Po qarkullon së fundmi një video e Rai-t e vitit 2015, shpërndarë në Facebook nga ish-ministri i Brendshëm i Italisë, Salvini, që lë të kuptohet se Co Vid 19 është një krijim laboratorik i kinezëve. Materiali është tërësisht helmues për opinionin dhe asociohet me mënyrën sesi Trump po menaxhon situatën. Publikisht sulmon dhe mburret, privatisht kërkon dhe preson për ventilatorë.

Nëse sheh një media qeveritare amerikane si Smithsonian Magazine aty lexon se një nga shqetësimet më të mëdha të shkencëtarëve është virusi H7N9 që ka mortalitet 30%, por kapacitet përhapës shumë të ulët. Evoluimi i tij është ankthi i çdo shkencëtari dhe çështja nëse koronavirusi është apo jo krijim laboratorik relaitivizohet nga konsensusi i shkencëtarëve se një pandemi është e pashmangshme. Çështja është se çfarë është bërë për ta menxhaur atë. ASGJË. Ose shumë pak.

Është po kështu interesante të shohësh sesi askush në Perëndim nuk ngriti shqetësime të tilla në rastin e epidemisë së Ebolas, shumë e rrezikshme për jetën e njeriut. Arsyeja është e kuptueshme: Afrika nuk përfaqëson ndonjë rival gjeopolitik. Këto zëra do të vazhdojnë të qarkullojnë për interesa nga më të ndryshimit dhe këtu patjetër që Kina ka përgjegjësinë e saj. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë në asnjë rast kësaj radhe nuk kritikoi Pekinin për menaxhimin dhe transparencën, madje karantinimi masiv është model i Kinës.

Si vallë të besosh mrrokulla të tilla të vijnë nga Perëndimi, një rajon që pandemitë i ka të ngulitura mirë në memorien e vet kolektive?  Si mundet që ndaj vendeve me teknologjinë dhe mundësitë e kontrollit më të madh të komplotohet në drejtim të shëndetit në mënyrë të kontrolluar? Këtë me siguri vetëm Salvini dhe Trump mund ta dinë, por duhet edhe ta shpjegojnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.