Një qeveri e dështuar ka nevojë për kazanin e vet mediatik
Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila kontrollohet dhe bën politikën e qeverisë shqiptare, raporton sot për një shkrim të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” sipas së cilës Franca ka hequr dorë nga bllokimi ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave. Për ta argumentuar këtë titull, ATSH, referon një intervistë të Këshilltarit për Çështjet Europiane të presidentit francez Macron, Clement Beuane, sipas të cilit kreu i shtetit francez paska edhe një politikë për Lindjen. Thotë Beaune cituar nga ATSh:
Pas Brexit është më e rëndësishme se kurrë që të kapërcehen mosmarrëveshjet brenda BE-së dhe të përqëndrohemi në atë që na lidh. Kjo do të ndodhë sapo të arrihet dakordësia për planet reformuese për zgjerimin e BE-së, që do të paraqiten së shpejti. Ne do të jemi kundër faktit që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të trajtohen ndaras. Kjo do të ishte në kundërshtim me dëshirën tonë për të stimuluar stabilitetin në rajon
Dy pyetje: Ku është risia në këtë qëndrim të Francës?
E dyta: Ku lexohet mundësia e heqjes së bllokimit ndaj dy vendeve në Ballkan?
Macron përsëriti disa herë se edhe në samitin e tetorit ai këmbënguli që Shqipëria të mos ndahet nga Maqedonia e Veriut në vlerësimin për hapjen e negociatave siç ka kërkuar Hollanda dhe dy vende të tjera.
Nga ana tjetër, Komisioni Europian do të duhet të miratojë më 5 shkurt draftin e reformimit të metodologjisë së zgjerimit që ndan Francën nga vendet e tjera. Pa këtë dokument është herët të flitet për spekullime si këto të ATSH-së, ndërkohë që aktualiteti politik në dy vendet tona, mundet me të vërtetë ta ndëshkojë Shkupin zyrtar i cili me të drejtë kërkon vlerësim sipas meritës së secilit vend.
Është Shqiëpria e Edi Ramës ajo që po i ngjitet Maqedonisë së Veriut për të mos mbetur delja e zezë e rajonit dhe në këtë pikëpamje gjen kuptim shfaqja si prej strategu e kryeministrit Rama që flet për një Europë strategjike. Ai po kërkon një vendim mbi premise gjeopolitike për të shmangur përballjen me kërkesat teknike të procesit të cilat nuk harron t’i vërë në dukje përherë një vend si Hollanda që e sheh Shqipërinë e z. Rama si vend të krimit. Në fund të fundit edhe ky i fundit e ka pranuar këtë me Aktin Normativ anti-KÇK, me të cilin ndoshta ka hapur problemin tjetër të cenimit të të drejtave të njeriut.
Urojmë që Franca të heqë veton, urojmë meqë përralla e magjisë së negociatave ka ngjitur dhe një JO tjetër do të ishte me veprim të thellë korrodues ndaj besimit se Europa është destinacion i kapshëm.
Por nuk kemi pse të pranojmë gënjeshtrat e trasha të Kazanit Mediatik të qeverisë për të cilin paguajmë edhe lekë.
Add new comment