2 miliardë për (Ri)Ndërtimin
Qeveria shqiptare, më saktë kryeministri, po e sheh procesin e rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si një mundësi për të krijuar komunitete. Me këto ndoshta duhet të kuptojmë kalimin nga fshatra apo qyteza që konsistojnë në grumbuj banesash ku jeta sociale është Zero, në qendra banimi me infrastrukturë që e ushqen jetën komunitare.
Duam të krijojmë komunitete dhe për këtë ka pasur angazhim nga kryetarët e bashkive, që të komunikohet banorëve në zonat rurale dhe t’u bëhet e qartë se ka një avantazh të madh që të s’postojmë shtëpitë ekzistuese nga rrënojat e shtëpive ekzistuese në qëndra që krijojnë komunitet. Prona në shtëpitë e tyre që janë prekur mbetet e tyre
tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të platformës online të rindërtimit.
Të kujton disi atë fabulën e komunizmit që deklaronte përherë me mburrje se Kukësi i Ri, i krijuar pas përmbytjes së Kukësit të vjetër, ishte si nata me ditën me të. Kështu sfida e rindërtimit shndërrohet nëe garë për modernizim urban.
Përtej aspektit të bazës ligjore dhe të planifikimit, qëndron aspekti i garantimit të të gjithë parametrave të rindërtimit. Parametrat e ndërtimit do të jenë të padiskutueshme.
Që të jenë anti sizmike, që nëse ndodh në të ardhmen një lëkundje e fortë, shtëpitë të jenë shumë herë rezistente dhe të garantojnë cilësi jete. Dhe në zonat urbane ku do ndërtojmë blloqe banimi, të jenë shembullore të të gjithë parametrave
vijoi kryeministri që ecën kështu me një ankes të paparashikuar të Rilindjes Urbane që duket se mbeti shtatzanë më 26 nëntor me episodin e dytë të rindërtimit.
Deri këtu po themi se kemi të bëjmë me një vizion që rehabilitimin e shtyn më tej, drejt ripërkufizimit urban. Problemi është Menaxhimi. Ka donacione, ka fonde të mëdha, ka fonde të akorduara nga FMN dhe ka pritmëri për donacione nga Konferenca ndërkombëtare. Mirëpo vetë kryeministri është i pasigurtë për administrimin e tyre kur sot ndër të tjera tha:
Ju lutem shumë, atyre që janë këtu, mos u hyni në hak askujt, mos merrni iniciativa individuale për të regjistruar si pastrehë ato që s’janë prekur nga tërmeti. Bëjeni punën sikur të kishit humbur ju shtëpinë.
Kryetarëve të Bashkisë u them faleminderit se e keni përballuar me vullnet të madh, por duhet t’i qëndroni në kokë këtij procesi se regjistri i familjeve duhet të jetë shembullor dhe ndarja e shkallëve të dëmit të jetë e drejtë. Se të gjitha këto do të monitorohet dhe kush do të kapet do të ndëshkohet.
Këtu e ftoj opozitën që të dalë e të vëri ulërimën për çdo rast spekulimi individual. E ftoj të na shurdhojnë me shpifje, por mes shpifjeve, siç ka ndodhur në të shkuarën, do kemi mundësi të gjejmë dhe ndonjë të vërtetë për ta adresuar. Jam i gatshëm të përballoj një furi ekstra shpifjesh, qoftë dhe për një rast të vetëm të një familjeje që është lënë jashtë apo është keqtrajtuar, duke mos u përfshirë në proces
Nga kontrolli i një procesi kaq delikat, kryeministri po predikon dhe kërkon ndihmën e denoncimeve publike. I vetëdijshëm ndoshta se “fajin e ka sistemi”, ai sistem që është kthyer në Sistem të menduari. Shikoni sesi i njëjti njeri që përdori çdo mënyrë për të kaluar në Parlament paketën antishpifje, sot me një fjalë të vetme e dekriminalizon shpifjen në emër të zbulimit të disa të vërtetave që jo se nuk dihen prej z. Rama, por për të cilat ai ka nevojë që të artikulohen me zë të lartë që të ndërhyjë si shpëtimtar.
Këtij procesi që ka nisur i duhet vënë një emër: Para. Alibia është Rindërtimi. E themi këtë sepse këtë term e kemi dëgjuar edhe në vitin 2017 kur z. Rama premtoi një skemë bashkëpunimi me subjektet private për të çliruar 1 miliardë dollarë në vit po për Rindërtimin. Ndiqeni videon për të parë sesi 1 miliardët e premtuara u shoqëruan me idenë e qindra kantiereve që do të hapeshin dhe me rritjen që do të vinte në mbi 5%.
Koha kaloi dhe 1 miliardëshi u mishërua në projekte të anulluara si Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe Unaza e Madhe, ndërkohë që ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj do të deklaronte se sektori bankar nuk i ishte përgjigjur pritmërive.
Çka do të thotë se qeveria i ka bërë llogaritë pa hanxhinë. Teksa flet me miliarda, nuk llogariti ngurtësinë e sektorit bankar që do të duhet të financonte projekte me garanci sovrane. Ose frikën dhe dyshimin e tij në vërtetësinë e këtij programi.
Sot 1 miliardëshi i është paraqitur si faturë rindërtimi donatorëve të huaj. Sa e vërtetë është kjo shifër? Janë disa mijëra banesa, por që kostoja e të cilave mund të përllogaritet zyrtarisht me çmimin e referencës që është në fuqi. Tërmeti nuk preku infrastrukturën, por vetëm godina. Përveç parave kërkohet edhe përgjegjësia përkatëse, kërkohet transparencë për një fluks eventual parash që do të hyjnë në ekonomi nga një dritare krejt e paparashikuar. Dhe në thelb këtu qëndron dyshimi mbi atë që po përgatitet dhe mbi faktin se Rindërtimi është eufemizëm për Ndërtimin.
Add new comment