Qeveria e Kosovës duhet të shprehet zyrtarisht për diversionet e kryeministrit të Shqipërisë në Berlin
Dje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi në një intervistë televizive se gjatë samitit të Berlinit i ishte bërë shumë presion për heqjen e taksës 100% ndaj mallarave serbe.
Është e pritshme që kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron të kërkojnë një gjë të tillë. Gjermania dhe Franca e kanë shprehur edhe më parë publikisht këtë qëndrim. Por presioni i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në këtë drejtim është tipikisht shqiptare dhe manifeston krizën e thellë të të dyja vendeve.
Zoti Thaçi është president i Kosovës dhe ai duhet të përfaqësojë unitetin e vendit. Mirëpo zotëria ishte në një tryezë me kryeministrin e vendit të vet me të cilin është në koalicion por me të cilinm shkoi në Berlin me qëndrim të kundërt. Presidenti thotë ta heqim taksën, kryeministri argumenton pse ajo duhet. Në treyzë janë edhe nja 10 persona të tjerë nga vende të ndryshme. Mund të imagjinohet situata paradoksale e krijuar.
Qëndrimi i Edi Ramës është kapitull më vete në historinë e pabesisë dhe paradoksit që prodhon ky vend. I deklaruar publikisht pro taksës, madje duke marrë në mbrojtje ish-ministrin e Financave Ahmetaj që doli kundër taksë në parim, z. Rama shfaqet tavolinave ku e ftojnë si përçues i idesë së heqjes së taksës duke vënë në pozitë presioni kryeministrin e një vendi tjetër. Kjo është jo e papranueshme, por përbën incident diplomatik. Shqipëria dhe Kosova janë i njëjti popull, por janë dy shtete dhe dy shtete krijojnë raporte mbi baza interesash. Është i njohur qëndrimi sentimental I z. Haradinajt ndaj Shqipërisë, por koha e kërkon që si kryeministër i Kosovës të deklarojë qëndrimin e vet publik në raport me këto që bën qeveria e Shqipërisë.
Zoti Haradinaj zgjodhi ta kthejë një çështje politike në çështje thuajse private marrëdhëniesh mes tij dhe z. Rama kur e denoncoi qëndrimin e tij për taksën përmes një interviste. Në fakt qeveria e Kosovës duhet të shprehet zyrtarisht për t’i kërkuar Shqipërisë dhe qeverisë të saj që të mos ndërhyjë më në çështje të brendshme politike të Kosovës, sa kohë që në vend se të japë mbështetje bën diversion për llogari personale të kryeministrit Rama. Është një teatër buzëqeshjesh dhe flamujsh që nuk i duhet kujt sidomos kur këto qëndrim zbulojnë një fakt të rëndë: politika e jashtme e Shqipërisë është thjesht personalizuar nga një kryeministër që nuk ka as kurajën të flasë publikisht dhe zyrtarisht për ato që kërkon të arrijë.
Add new comment