Falimenton "Obike", mijëra biçikleta mbeten rrugëve të Europës

Postuar në 16 Gusht, 2018 16:21

Mijëra biçikleta të verdha të kompanisë “Obike” janë bërë shqetësim për qytete të botës, ku kompania kishte shërbime. Pasi kompania me bazë në Singapor shpalli falimentin, mijëra biçikleta të tilla kanë mbetur rrugëve të qyteteve të botës dhe Europës. “Daily Mail” shkruante dje se autoriteteve vendore të Londrës, Mançesterit dhe Birmingamit u është kërkuar të mbledhin biçikletat e braktisura të kompanisë kineze “Ofo”, të cilat kanë pushtuar rrugët, lumenjtë dhe hapësirat publike. Në mediat sociale publikohen foto pa fund, ku biçikletat shfaqen në fund të shtretërve të lumenjve, në trotuare, madje edhe në pemë. Përdoruesit e rrjetit u referohen si “murtaja e verdhë”.

Londra, Mançesteri dhe Birmingami janë “përmbytur” me mijëra biçikleta të kompanive kineze “Ofo” dhe “Mobike”. Të prezantuara si një alternativë miqësore ndaj makinës, shërbimi i ri në të vërtetë ka çuar në biçikleta të vjedhura ose të dëmtuara që mbajnë peng hapësira publike dhe pronë private, ndërsa qytetarët ankohen për ritmin e ngadaltë me të cilin firma pastron rrëmujën.

Çështja është bërë kaq e përhapur në të gjithë botën, saqë shumë qytete e kanë ndaluar plotësisht shërbimin, ndërsa qeveria në Vjenë vendosi sekuestrimin e qindra biçikletave “Ofo” dhe “Obike” këtë muaj për të shmangur rrëmujën.

Të njëjtin shqetësim ka ngritur një muaj më parë edhe Bashkia e Mynihut dhe disa të tjera në Gjermani. Të paktën 3 mijë biçikleta mbetën të braktisura në rrugët e Mynihut.

Biçikletat “Obike” gjenden në disa qytete të Europës. Pasi vetë kompania dështoi në tërheqjen e tyre nga Gjermania, detyra iu caktua kompanisë zvicerane të transportit, Umzug 24. Për shkak se aplikacioni që bënte të mundur shërbimin nuk funksionon më, mbledhja e tyre është bërë më e vështirë.

Të njëjtat probleme me Obike, autoritetet vendore i kanë hasur në qytete si Roterdami, Zyrihu, Berlini etj., ku kërkesat për mbledhjen e mjeteve të braktisura kanë rënë në vesh të shurdhër. 

Skemat e biçikletave me pagesë, si Obike, panë një lulëzim të menjëhershëm në Azi në vitin 2016 dhe u përhapën me shpejtësi në disa qytete europiane në vitin 2017.

Në Tiranë, një skemë e ngjashme funksionon që prej fillimit të qershorit. Simotra e “Obike” në Tiranë mban emrin “Mobike” dhe është një kompani e themeluar në Kinë në janar 2015. Ajo e ka lançuar për herë të parë shërbimin e saj në prill 2016, në Shangai. E shpërndarë në 200 qytete të botës, ajo u shërben përdoruesve me një flotë prej 9 milionë biçikletash. “Mobike” dhe “Ofo” janë dy kompanitë pioniere të këtij shërbimi në Kinë.  

Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i “Mobike”, Massimiliano Rubin, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për 4 mijë biçikleta “Mobike” në Tiranë. Tirana u bë kështu qyteti i parë në Ballkan që aplikoi sistemin e biçikletave pa stacion “Mobike”.

Shërbimi ka pak muaj që funksionon në Tiranë, ku kundrejt një çmimi prej 400 lekë, me një biçikletë të tillë mund të lëvizësh ku të duash për 20 minuta. Por ajo që mbetet për t’u parë është nëse edhe qytetarët e Tiranës do ta humbasin shpejt interesin për to siç ka ndodhur me disa kryeqytete të Europës dhe biçikletat portokalli të kthehen në “pushtuese” të hapwsira publike pa kryer asnjë funksion.  

TemaTv

Comments

Submitted by GR (not verified) on

Ta ka qejfi qe te deshtoje edhe ketu apo jo.... Domosdo, te vret syte zhvillimi... Ka pas lezet shpellarizmi... Ej, mire nga Putini mo? Eji te fala...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.