Mos prisni asgjë nga "dyqani" personal i Lulzim Bashës!

Postuar në 06 Dhjetor, 2017 10:49

Partia Demokratike që përfaqëson partinë më të madhe të opozitës nuk ka mbajtur asnjë qëndrim lidhur me deklaratat e përfaqësuesve të lartë të BE-së se Edi Rama ka bërë një punë të lavdërueshme kundër korrupsionit dhe drogës. Këtu nuk bëhet fjalë për të kundërshtuar çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, sepse në fund të fundit “qylit” nuk i thuhet jo aq më tepër që çdo afrim me BE-në është në interes dhe favor të vendit, por për të kuptuar mbi cilat premisa zyrtarët e Brukselit janë të lumturuar me Shqipërinë dhe udhëheqjen e saj.  

PD është pjesë e Partisë Popullore Europiane dhe mund të vërë në lëvizje mekanizmat europianë për të qartësuar pozicionin e presidentit të Komisionit, Zhan Klod Junker apo shefes së diplomacisë europiane, Federika Mogerini në raport me arritjet e pretenduara të qeverië shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama. Aq më tepër që media prestigjose europiane  kanë shkruajtur javët e fundit se nga Brukseli dhe Uashingtoni ka patur tone të ashpra për Tiranën zyrtare, sidomos pas çështjes Tahiri dhe dyshimeve për implikimin e ish-ministrit në një grup të strukturuar kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës. (Lexo këtu) http://www.respublica.al/2017/11/21/%E2%80%9Cla-libre-belgique%E2%80%9D-...

Lulzim Basha ishte në Bruksel, dhe nga gjitha axhenda e tij u publikua një foto me presidentin e PPE Joseph Daul dhe një deklaratë se veprimet e qeverisë bien ndesh me integrimin. Retorikë që u shmanget përgjegjësive dhe i shërben qëllimeve politike vetëm të Lulzim Bashës dhe jo një partie që përfaqëson opozitën e vendit. Që PD nuk funksionon më si parti qëllimesh apo interesash të përbashkëta këtë e provon edhe eksperienca e disa ish-ministrave që kanë dalë  lehtësisht jashtë skenës politike, ndonëse deri dje ishin në vitrinën e pushtetit. Ish-ministrja e Integrimit, Malinda Bregu deklaroi të mërkurën në mbrëmje në ABC News se Basha po bën një politikë të personalizuar në krye të PD-së.

“Sot nuk ka PD, e thotë cdo anëtar, po dëshmohet cdo ditë nga mbledhjet farsë të strukturës për analizën. Kjo nuk është partia ku hyra unë, Topalli, Bode, Patozi, qoftë edhe Berisha”- tha Bregu, duke shtuar se nuk ka më asnjë kontakt dhe as komunikim me Bashën, qoftë edhe formal.

Situata është e pashpresë për PD dhe çdo thirrje proletare për të ndërgjegjësuar demokratët se Lulzim Basha po vret opozitën është sa për konsum mediatik.  Ata që po bëjnë opozitën e opozitës nuk duken realisht të përfaqësojnë interesa të forta grupimesh biznesi apo strukturash të tjera shoqërore që janë të aftë të ndryshojnë situatën kundër politikës se personalizuar apo pazareve të Lulzim Bashës me Edi Ramën apo këdo tjetër.

“Ja ku jemi, kam shumë miq në PD, dhe shpresoj shumë që pakënaqësitë e secilit por me qëllimin e përbashkët për një parti më të mirë e të fortë të mblidhen në një hulli, askush nga ne po të donte të shkëputej kjo do ndodhte menjëherë pas farsës elektorale”- theksoi Bregu, duke shtuar se problem nuk ishte statusi i partisë, por vullneti i Bashës për të mos e respektuar atë dhe pamundësia për ta ndalur personalizimin e PD-së nga kryetari.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.