"Bota ka nevojë për Amerikën që të drejtojë"
Joe Biden, ish-zv.president i SHBA-së nën administratën e Barack Obamës, publikon sot në New York Times një opinion mbi politikën e jashtme amerikane. Biden, që përflitet si kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, i përmbahet idesë së “forca e shembullit” që SHBA dha për 45 vjet duhet të prevalojë mbi “shembullin e forcës”, rrokadë kuptimore kjo që duket se është huazuar edhe në Shqipëri. Dhe në këtë drejtim, sipas tij, Donald Trump, përfaqëson një krizë në vlerat e politikës së jashtme amerikane. Biden i është referuar një fjalimi të presidentit aktual amerikan të muajit korrik, ku Trump ndër të tjera është shprehur se:
“Çështja kryesore e kohës sonë është nëse Perëndimi ka vullnetin për të mbijetuar”.
“Kjo deklaratë e ndan botën në “ne” dhe “ata”. Asnjë figurë politike amerikane nuk ka përkufizuar kaq ngushtë interesat tona që nga periudha mes dy luftërave”, shkruan Biden. Ky është një debat i madh dhe serioz që ka pasoja në botë. Në fjalimin e fundit të Trump para forcave ushtarake pak javë më parë, ai theksoi se politika e eksportimit të demokracisë në vendet të tjera ka marrë fund. Dhe me gjasë kjo kundërshti do të jetë në qendër të debatit elektoral. Biden i mëshon faktit se vendosja e vlerave amerikane në qendër të politikës së jashtme amerikane “nuk do të thotë se ne duhet të imponojmë parimet tona jashtë apo të refuzojmë të flasim me shtete, politika e të cilave bie ndesh me to”.
Sipas ish-zv.presidentit amerikan, evokimi i vlerave amerikane nuk duhet parë si përjashtues për një politikë të jashtme efektive pasi në asnjë rast SHBA nuk duhet të harrojë dhe të mos shprehë atë që ato janë.
“Komuniteti ndërkombëtar ka nevojë ende për një Amerikë të fortë, demokratike që të drejtojë”, shton Biden.
Add new comment