Nuk ka asnjë fitore diplomatike apo politike në Maqedoni
Ka një përpjekje tinzare në mediat e pushtetit të Tiranës për të amplifikuar atë që ka ndodhur këto ditë në Maqedoni me ligjin për gjuhët. “Zyrtarizohet gjuha shqipe”, ky është titulli që po synohet t’i ngulitet në mendje shqiptarëve, si e si që të shitet një sukses diplomatik i Tiranës zyrtare që mori pjesë aktivisht në minimin e stabilitetit politik e institucional të Maqedonisë në muajt e fundit. Po kështu një lajm provokativ i agjencisë ruse “Sputnik”, sipas të cilit emrin e ri të Maqedonisë e ka propozuar Edi Rama në samitin e Podgoricës e tregëtuan keq në Tiranë me idenë se kjo është politikë lindore. Kjo çështje nuk u trajtua në asnjë media rajonale, pasi është e qartë se miti i Edi Ramës që përcakton për Maqedoninë, synon polarizimin e shoqërisë maqedonase, që nuk e gëlltit dot kollaj mënyrën si vepruan partitë shqiptare.
Në këtë kuptim, edhe sot e kësaj dite nuk ka një arsyetim për rolin e vërtetë të Tiranës zyrtare në koordinimin politik të partive shqiptare që lanë në baltë Gruevskin, me të cilin, disa prej tyre e kishin kaluar fare mirë. Mbi të gjitha pyetja që sot nuk ka përgjigje është: me cilat instrumente qeveria e Edi Ramës arriti të bindtte dhe të vinte në rresht partitë shqiptare që nënshkruan edhe një platformë?
Nëse hedhim sytë nga proceset diplomatike që pasuan në rajon pas zgjidhjes së krizës maqedonase, përgjigja hamendësohet lehtë: procesi ishte aksion amerikan mbi të gjitha, ndonëse jo vetëm. Përtej kësaj është e udhës të sqarohet se çfarë përfaqëson projektligji i sotshëm për të cilin mediat shqipe në Maqedoni shfaqin rezerva. Kryeministri maqedonas Zoran Zaev deklaroi ndër të tjera për mediat se “ligji zgjeron mundësitë e përdorimit të gjuhëve në institucione dhe u lejon qytetarëve që të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre të nënës”.
“I vetmi që fiton është Republika e Maqedonisë si një vend civil dhe demokratik. Kushtetuta e Maqedonisë është e qartë dhe nuk ka dilema. Nuk do të ketë kartëmonedha në dy gjuhë, nuk do të kët uniforma dygjuhëshe, vetëm nëse Komisioni i Venecias vlerëson që kjo është në përputhje me Kushtetutën”, tha Zaev që ka theksuar se “ligji për gjuhët është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit”.
http://mia.mk/en/Inside/RenderSingleNews/323/133805709
Ai i ka bërë këto deklarata nga qyteti i Ohrit ku shoqërohej nga Hazbi Lika, i caktuar i posaçëm për mbikëqyrjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuadër Zaev i është përmbajtur Marrëveshjes së vitit 2001 duke ecur përpara vetëm në zbatimin e termave që rrjedhin prej saj. Asgjë më shumë. Ja se çfarë thuhet tekstualisht në pikën 6 të Marrëveshjes së Ohrit:
6.4. Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.
6.5. Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, poashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin
B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren kryesore të pushtetit qendror, e cila do t'i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht.
http://www.bdi.mk/documents/MARREVESHJA-E-OHRIT.pdf
Kjo është tekstualisht e integruar nw projektligjin e fundit. Kujtojmë edhe njëherë se në fuqi ka hyrë kriteri i përdorimit të gjuhës në zona me 20% prezencë popullsie josllave, çka u propozua edhe nga Gruevski. Kjo do të thotë se lëshimi maksimal që është bërë nga pala sllave, qoftë Zaevi, qoftë Gruevski, është zbatimi i një pike të Marrëveshjes së vitit 2001, për të cilën, as njëri, as tjetri nuk mbajnë përgjegjësi. Po kështu, BDI-ja ka patur përherë një përfaqësues që mbikëqyr zbatimin e saj dhe përherë e ka përdorur atë për negociata alla LSI.
Në një kronikë të përgatitur për këtë çështje, televizioni “Shenja” vë në dukje se ligji i ri qëndron poshtë zotimeve të Deklaratës së Partive Shqiptare të cilat premtuan barazi të plotë të shqipes me maqedonishten.
As me Ligjin e ri nuk përmbushen premtimet e... by tvshenjaofficial
Kjo nuk ka ndodhur dhe ka arsye të qarta pse. Ata që sollën Maqedoninë në këtë pikë, sot e kanë më kollaj të manovrojnë dhe të mbajnë nën kontroll faktorin shqiptar që te shqipja u imponua të investohej. Ndërkohë që po ky faktor nuk ka ditur, nuk do dhe nuk e lënë që përkundrejt këtyre lojërave që tregojnë se çfarë statusi kanë realisht shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre, të luajë një lojë kompensuese për çështjen e emrit në raportet me Greqinë. Do të ishte një kushtëzim i fortë për një qeveri si e Zaevit që duket se është vënë në rresht të këshillave të tjetërkujt.
Në fund mund të shtojmë edhe një vërejetje që meriton vëmendje: heshtjen e deritanishme të Tiranës zyrtare për këtë vendim të shtetit fqinj. Po kështu nuk shihet asnjë përpjekje për të vendosur kontakte me qeverinë e Zaevit, ku shqiptarët kanë një rol që formalisht është kurdisur nga Shqipëria.
Add new comment