Ku rafsha mos u vrafsha!

Postuar në 28 Korrik, 2017 12:03

Në një intervistë para dy ditëve ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani, deklaroi ndër të tjera se “ShISh ka shpëtuar shumë jetë njerëzish”. Ai i referohej rasteve të parandalimit të akteve terroriste dhe këtu nuk kemi pse të vëmë në dyshim atë që thotë ish-kreu i Shtetit.

Por sjellja në vëmendje e këtij momenti nga intervista aq sa duhet të na kujtojë se nuk jemi larg goditjeve të terrorizmit, aq edhe vjen e merr një kuptim ironik, grotesk, në një konteskt si ky i yni, ku jeta vlen kaq pak, apo është paq e pasigurtë.

Ne mbulohemi përditë nga një rrebesh nismash kundër korrupsionit, dëgjesa dhe dialogje, lista të zeza të denoncuarish, qytetarë dixhitalë, shkarkime në bllok, e megjithatë asgjë nuk duket se funksionon si duhet. Këtë vit, në ndryshim nga vite të tjera me karakteristika të ndryshme ngjarjesh(një herë aksidentet që nuk kanë të mbaruar, një herë bombat me telekomandë në seri), ishte sektori i turizmit ai që denoncoi të vërtetën e Shqipërisë. Mbytje në disa raste, ndotje, mungesë sigurie, çmime të kripura, mbetje urbane dhe në fund, kur fundi nuk ka ardhur ende: përmbytja me ujëra të zeza në Ksamil dhe ngjarja e sotme në Velipojë, ku nga një shpërthim mbetën të plagosur në një hotel 20 persona. Dhe më cinike vjen e bëhet kjo situatë kur mbarset me absurdin demagogjik të avokatisë së Perlës së Ballkanit, që po çudit të huajt.

Sigurisht që turizmi kërkon imazh pozitiv, luhet me çmimet, me bukurinë e vendit, karakteristikat etj., por të gjitha këto duhet të vetëkuptojnë disa standarde pa të cilat as që mund të bëhet fjalë për t’u quajtur treg apo destinacion. Debati i para disa ditëve për cilësinë e ujit sipas një raporti të BE-së, hyri qëllimisht në qerthullin e ligësisë së orkestruar nga pushteti, sipas të cilës nëse ti kritikon apo vë gishtin mbi atë që e di apo që sheh, je kundër Shqipërisë. Dhe nëse ti sjell raportime për problemet e mëdha në sektor, atëherë del ai tjetri dhe riciklon ndonjë material për mediat e huaja për t’u thënë shqiptarëve: ja e vërteta, lëre ça thonë mediat.

Mirëpo ngjarjet si këto nuk fshihen dot. Ato janë deri diku aksidente, por pas aksidentit qëndrojnë edhe dobësitë e mëdha të sektorit. Promovohen shpesh hotele dhe investime dhe shumë mirë bëhet. Por kjo është njëra anë. Ana tjetër është se çfarë bëjnë agjencitë shtetërore për të ndjekur zbatimin e ligjeve. Ligji kërkon që 20% e plazheve që shfrytëzohen nga private të lihen si hapësirë publike. Kjo nuk zbatohet asnjëherë.

Ligji kërkon sigurinë në plazhe. Të vdekurit e shumtë provojnë se ligji nuk zbatohet nga askush, ose nga shumica.

Ligji kërkon standarde higjenike dhe mjedisore. Ka 3 vjet që problemet në këtë drejtim janë raportuar nga veriu në jug, pa folur për absurdin e përfshirjes së ushtrisë në aksionet e pastrimti të territorit.

Ligji kërkon patjetër edhe siguri në infarstrukturën hoteliere dhe atë ushqimore. Pakkush e aplikon një gjë të tillë.

Rastet që po ndodhin sigurisht që nuk kanë pse të sillen si shembuj të përgjegjësisë së kryeministrit që preferon të personalizojë çdo gjë. Por ama ato janë të mjaftueshme për të kuptuar se ligji ose nuk po zbatohet, ose ai është i papërshtatshëm, ose ai nuk ekziston fare. Sipas rastit edhe ndërhyrja. Janë ngjarje që nuk kanë nevojë për denoncim nga njerëz, por duhet të shërbejnë si pikënisje e hartimit të rregullave të reja dhe për të vënë në lëvizje një administratë të cilën sot po e akuzojnë përditë. Për të nisur sanksionet e vërteta dhe jo ato selektive, për të kaluar pra në një standard të ri ku nuk diskutohet më kuponi tatimor, higjena dhe ujërat e zeza. Një mënyrë është edhe njohja e situatës, pranimi se ka shumë probleme dhe publikimi i masave që do të merren në kohë. Këtu po ndodh e kundërta. Këtu po tregëtohet Perla e Ballkanit përballë armiqve të saj në media. Po mbulohen ngjarjet me presimin informative të lloj lloj publiciteti banal si e si për të diktuar harresën. Në fund kush gënjehet nga kjo sjellje? Askush. Sepse të gjithë kanë sy dhe hundë të shohin dhe të nuhasin. Shqipëria mund të jetë lirë dhe kjo mund të quhet si avantazh në ofertë. Nëse vazhdohet kështu e sigurtë është që do të bëhet më lirë akoma, pasi koha kalon dhe pushimet marrin tjetër rëndësi sa për t’u shpenzuar me aventurat e një vendi që e quan arritje filozofike parimin: ku rafsha, mos u vrafsha.

Comments

Submitted by Andreas (not verified) on

Dhe ne gjithe kete pafundesi gjerash qe nuk shkojne, qeveria gjen gjithnje kohen tu prishi shtepite ose kishat himarioteve. Gjithnje ne mes te sezonit turistik, duke shkelur edhe ligjet qe vete i miraton e i reklamon si arritje!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.