Sindikata nuk ka, por taksimin individual e kemi më të lartin në rajon

Postuar në 19 Maj, 2017 16:16

Në Shqipëri taksohesh me dyfishin e taksave në krahasim me të gjithë vendet e rajonit, nëse je individ me pagë të lartë. Këshilli i Investimeve, agjenci e financuar nga BERZH, përcjell një të dhënë aspak pozitive për vendin tonë. Të paktën për qytetarët. Sipas këtij këshilli, qytetarët shqiptarë taksohen me dyfishin e taksave krahasuar me të gjitha vendet e rajonit nëse ke një pagë të lartë.

Ndërsa kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute, Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel”, referon raportin Televizioni Publik Shqiptar. Ministri i Financave, tanimë i larguar, Arben Ahmetaj, thotë se programi i qeverisë priret drejt progresivitetit për pagat e ulëta dhe do ta vijojë edhe më tej këtë qasje.

Në rajon Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me Shqipërinë, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%. Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 Euro neto/muaj nga punësimi. Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.