Mënyra si shtyjmë tjetrin

Postuar në 13 Prill, 2017 11:40
Lekë Tasi

Është e njohur psikologjia e vendit të vogël. Të gjithë të mbushur me veten. Unë dhe miqtë e mi, të tjerët s’ekzistojnë. Ka filluar të ndryshojë, por rezistenca është e madhe dhe boll e suksesshme. Artistët, kampionë në këtë izolim plural, unë dhe grupi im mbi gjithë të tjerët! Le të ketë artisti më shumë nevojë për tjetrin, për kritikën e kolegut dhe jo për lëvdatat e përgjithshme që e mbajnë të kënaqur në sheshin e fshatit. Mëkat të jenë ata më të izoluarit, ta shpërfillin shokun, punën, artin n’atë shkallë sa të mos marrin mundimin të venë e ta shohin.

Më mirë kafeneja. Dhe as ta falënderojnë me një SMS kolegun për ftesën që u ka bërë. Takohen me të me raste, bisedojnë duke pirë kafe, por për punën e tij jo! Sikur ajo të mos ekzistonte. (Kuptoje vetë mesazhin e heshtur: s’vlen). Kritika e rrit artistin, pra kritiku është esencial për procesin krijues. Meqë jemi në një fillim të ri, kemi nevojë për të, ashtu si tryezës i duhet këmba e katërt që të qëndrojë. Por, pa e njohur punën e tjetrit, pa i vajtur kolegut, pa e lexuar librin, pa ia parë shfaqjen, si mund të ketë kritikë?

Si mund të thyhet kriku i çeliktë teje meje që shqiptari e ka përsosur në pluralizëm? Më e keqja, mos është rreziku që po i shtohet rrethit një anëtar i ri që i alarmon? Jo kureshtje, jo entuziazëm për dikë që do të na nxjerrë nga rutina me diçka zbavitëse, aq më keq të vlefshme. Mbetemi fshat që shqetësohet kur dikush dallohet. Mirë keq, më e rehatshme të mos ketë lëvizje. Gjë që nuk është larg asaj motos “mos më prek, mos të të prek”, thelbi i provincializmit, por më i organizuar, me anën e heshtjes ose komenteve ironizuese mënjanë…

Nga kjo vuan kryeqyteti, që për normë qytetare s’rri dot pa art, pa libra, teatro, ekspozita. Për të pasur të tilla dhe ngritje të nivelit duhet jo vetëm talenti e puna, por edhe kontakti i sinqertë, duhen hedhur në plehra përqafimet hipokrite, që mbijetojnë dhe për kontrast, për neveri, në këtë fillim të ri ta bëjnë të detyrueshme praninë e kritikës. Të jesh aty, të mos fshihesh. Fillim i ri do të thotë përgjegjshmëri kundrejt asaj që bëjnë kolegët. Ta thuash mendimin seriozisht, por edhe me frymë të moderuar për nga forma, konstruktive, jofyese.

Kjo frymë e bën të pranueshme, të pakundërshtueshme edhe kritikën më të fortë. I pari autori e kërkon këtë lloj ndihme, ashtu si nëndetëses së zhytur i duhet objekti sipërfaqësor nga periskopi. Nuk ka më dëshpëronjëse për artistin sa ndeshja e vazhdueshme me murin e heshtjes. Kemi pasë kritika ledhatonjëse dhe asgjë- suese, por kritika që i shpjegojnë anët difektoze dhe intuojnë shkakun te formimi i autorit, pra e ndihmojnë shumë pak. Janë të rralla rastet e suksesit që bërtet që larg, prandaj duhet bashkëpunimi që kritika serioze të arrijë ta shqiptojë edhe dështimin bërtitës pa e fyer autorin, por duke e orientuar.

Po marrim këtë të dytin, dështimin. Si mund të ecet përpara të korrigjohen autorët e një fillimi të ri, kur të gjithë janë në përpunim brenda vetes, si do të ngrihet niveli i shijes, në qoftë se nuk ka seriozitet në këtë impenjim, ku dhe si çalon puna e artit në tërë- si, fenomenet e përgjithshme dhe ato të autorëve? Përveç kësaj ka edhe punë joorigjinale, përkthime, përshtatje veprash të shquara nga bota.

Sado me të meta të realizohen ose në mospajtim me nivelin e auditorit, ato e bëjnë një hap, prurja nga gjenitë botnorë duhet çmuar në punën e kolegut si një pasurim i kulturës së spektaklit dhe për këtë duhet interesim, pra pjesëmarrje (një shembull monokomedia e Patrick Susnick “Kontrabasi” e shfaqur këto ditë, mes indiferencës së skajshme). Ka pastaj edhe produkte origjinale, por që shijohen nga një publik i ngushtë. Ftesa të kufizuara. Sa rehat ndihen t’i mbajnë frenat e artit tejpërtej epokave, duke bërë dallime edhe sot “ky po, ky jo”.

Elita e pak emrave që i gjen kudo ka marrë tipare aristokratike, s’merret me shkëmbime jashtë protokollit të pëlqimit tyre, pale qasje edukative ndaj më pak të pajisurve, siç bënte ndjesë pastë LSHA me mjaft impenjim, sigurisht brenda radhëve edhe ajo. Sot jo. Rastis të dërgosh një pjesë në të dy teatrot kryesorë dhe s’të vjen asnjë përgjigje se ku ishte e meta. Kurse një nga ata të samizdatit të djeshëm, (natyrisht të parrezikshëm-përkthime nga poezia klasike angleze) që bëri njëfarë zhurme në sordinë para 50 vjet, madje u fol për botim, sot të mungojë krejt nga lista e shqipëruesve. Ecje mbrapsht nga e kaluara? Të dalë ajo më liberale?

Po ja: botime të këtij lloji, të kujtdo që mbetet jashtë kushteve që vendos elita e sotme në komoditet të plotë, dalin nga tipografia për t’u rrethuar me heshtje. Në mënyrë që ata vetë atje matanë, mungonjës të mirëfilltë tanimë, të qeshin me fshatin tonë të madh që rreket të ngjasë gjoja metropol…

Ka madje elemente, sa për njohuri, që akademia s’mund t’u arrijë as te këmba për nga azhurnimi me të dhënat e shkencës së sotme dhe ajo i len të mbijetojnë si rrogëtarë të dorës së tretë me një mur të padukshëm, por real rrotull, sajë syrit të saj vigjilent, mjaft që publiku të mos i dijë a janë gjallë.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.