Këtu ka tradhëti burra!
Tonet patriotike të Edi Ramës jo gjithmonë nënkuptojnë disponimin e tij për të zgjidhur çështjet e ashtuquajtura kombëtare. Viktima e radhës është Shpëtim Idrizi dhe çështja çame. Kryeministri që nuk i kursen shfaqjet sipas axhendave nacionaliste që promovon në kuadër të devizës "zero probleme me fqinjët", duket se ka bërë një hap mbrapa në raport me Greqinë, me të cilën ka tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet qëkurse ka ardhur në pushtet.
Nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është bërë publike një kopje e procesverbalit me dyer të mbyllura që u mbajt me datë të datës 26 janar 2017. http://www.panorama.com.al/ceshtja-came-rrezikon-koalicionin-ps-pdiu-idr...
Nga ky takim kreu i grupit socialist Gramoz Ruçi ka dalë kundër kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke i thënë që të heqë dorë nga kërkesa për hetim në Parlament për çështjen çame. Debati në mbledhjen me dyer të mbyllura, ka degjenuar deri aty sa Ruçi të ketë akuzuar Idrizin se “po tallet me çështjen çame”.
Ndërsa nga ana tjetër kreu i PDIU-së, në replikën e tij ka thënë se “e kuptova që edhe këtu paska njerëz që kanë hall mos iu mërzitet Greqia” dhe është larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja. Kundër ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar për çështjen çame janë shprehur edhe kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, si edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.
Pavarësisht këtyre zhvilimeve kryeministri Edi Rama, e ka vazhduar axhendën e tij patriotike. Ai ishte në Kosovë për ceremonitë kremtuese të 9 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku zhvilloi homazhe në vendprehjen e Presidentit Ibrahim Rugova dhe vendosi një kurorë me lule në respekt e mirënjohje ndaj Presidentit të parë të Kosovës. Rama iu drejtua më pas Prekazit, ku zhvilloi homazhe në varrezat e dëshmorëve të luftës. Kryeministri vuri buqeta me lule në vendprehjen e heroit të Kosovës, Adem Jasharit, me mirënjohjen përjetë luftëtarëve të pavarësisë së Kosovës.
Add new comment