Pasoja e hidhur e mosleximit të krimit

Postuar në 08 Dhjetor, 2016 12:19
Agim Baçi

Sondazhi më i fundit lidhur me qasjen e shoqërisë shqiptare ndaj kohës në diktaturën e Enverit, mbështetur nga OSBE, duhet të jetë një kambanë alarmi. Nuk dua të merrem as me metodologjinë e as me numrin e saktë të adhuruesve të diktaturës, që kanë dalë nga sondazhi. Por më intereson shtrirja e tyre në kohë dhe në hapësirën e qyteteve shqiptare. Madje, në këtë mes, duhet përgëzuar OSBE, që sjell një realitet që s’kemi dashur ta pranojmë- se me dështimet tona për të pranuar krimet e së shkuarës po lejojmë që nostalgjikët e diktaturës të shtohen e shtohen.

Duhet pohuar me zë të lartë se, fakti që ka një admirim për atë kohë nga të rinjtë, është kryekëput një konfirmim i dështimit tonë si shoqëri për të guxuar të themi të vërtetën e asaj që ka ndodhur gjatë diktaturës. Në vend të bërjes së Spaçit një vend pelegrinazhi, në vend të hapjes së ekspozitave pa fund me krimet e komunizmit, në vend të dokumentimit dhe botimit në tekste shkollore të atyre krimeve makabre, ne kemi pranuar të dëgjojmë historitë rozë të komunizmit.Kemi dëgjuar Nexhmijet, Lenkat, Muhot, Aranitët të na tregojnë përralla dashurish dhe sakrificash. Kemi lënë gazetarë, gazeta e televizione të na sjellin versionin se si dashurohej apo si kujdesej Nexhmija për shqiptarët, pa i kërkuar asaj të na rrëfejë vrasjet, dhunimet, përdhunimet e gjithëfarsojshme tek të cilat ose ka qenë pjesëmarrëse, ose ka pasur dijeni. Nga ana tjetër, rinia vijon të shohë në gjithë këto vite filmat “për njeriun e ri” që Kinostudio e asaj kohe bënte me paratë e shqiptarëve për t’u shpëlarë trutë shqiptarëve, duke sjellë një realitet krejt ndryshe nga ai që ishte në realitet. Humbja e kësaj bote virtuale më 1991 zuri në befasi shumë nga ata që ishin edukuar vetëm me atë frymë dhe vetëm për atë burg ideologjik.

Dhe nuk kanë faj, sepse Lirinë nuk kanë shansin ta kuptojnë të gjithë. Politikës shqiptare në këto vite i shijoi t’i përdorte spiunët për të mbajtur pushtetin, për të korruptuar edhe më shumë moralisht shoqërinë, e cila pak nga pak la të lirë që nostalgjik-perversët të botojnë kujtimet e tyre, të flasin me admirim për kohën e krimit. Dhe ne ende nuk kemi as guximin për të thënë se numri i dëshmorëve ka qenë i falsifikuar, se historia ka qenë e falsifikuar, se miqtë dhe armiqtë kanë qenë të falsifikuar.

Ne ende nuk kemi guximin të pohojmë se themeluesit e Partisë Komuniste ishin në dorë të dushanërve miladinëve, të cilët ishin pranë tyre vetëm që në Shqipëri të mos artikulohej kurrë çështja kombëtare, që të shiteshin shqiptarët e Kosovës, që të mos flitej kurrë për Çamërinë e që të varrosej çdo gjë me vlerë e shqiptarëve. Politika e strucit, duke bërë sikur nuk e kemi përballë të shkuarën, ka bërë që librat e At Zef Pllumit apo Ejll Çobës mbi krimet makabre, të vijojmë ta konsiderojmë vetëm për biblioteka. Filmat për kohën ku zbardhet kriminalja e diktaturës janë vetëm 2-3.

Ironizimi i figurave të ish-diktaturës nga Koço Devole ka vite që nuk shfaqet në asnjë TV, ndërkohë që në internet gjenden të censuruara apo të përgjysmuara. Shkurt, në vend të së vërtetës këtu është humanizuar krimi, është relativizuar e keqja. Dhe tashmë, ata, mëkatarët, janë gati të vijnë me versione hollivudiane të së shkuarës së terrorit, duke na dhënë nuanca humane të atyre që nuk duket të kenë pasur ndonjë lidhje me qeniet që respektojnë jetën. Në këtë pikë, pavarësisht gjithë kontestimeve për rezultatet e sondazhit, ne duhet të nxitojmë të lexojmë dështimin tonë ndaj së vërtetës. Kjo na turpëron ndaj fëmijëve, të cilët me plot të drejtë kanë disa vite që pyesin: “E përse na duhet e shkuara?”.

Dhe ne s’kemi mundur t’u themi se, nëse nuk kemi ditur të hedhim hapat si duhet në demokraci, në dije, në respektin ndaj ligjit, në konceptin e të qenurit njeri social – këto janë trashëgimi e asaj kohe ku gjithçka njerëzore u fundos, për t’i lënë hapësirë vetëm dehumanizimit të shoqërisë, ku gjithkush dyshonte për këdo dhe ku vetëm ideologjiku, spiuni dhe mediokri kishin hapësirë për të jetuar. Dhe ne nuk kemi dashur në këtë kohë të pohojmë se, pa lexuar atë të keqe, mund të biem në hendeqe pa fund kuptimesh. Sepse mosleximi të ridërgon kollajshëm në gabim.

Se siç thotë shkrimtari i famshëm Milan Kundera: “Kushdo që mendon se regjimet komuniste të Europës Qendrore ishin vepër ekskluzivisht e kriminelëve, nuk kupton një të vërtetë thelbësore: regjimet kriminale nuk u krijuan nga kriminelë, por nga entuziastë, të bindur se kishin zbuluar të vetmen rrugë për në parajsë. Ata e mbrojtën me aq vendosmëri atë rrugë, sa u detyruan të vrisnin shumë njerëz për t’ia arritur qëllimit. Më pas u bë e qartë se nuk ekzistonte asnjë parajsë dhe se entuziastët ishin veçse vrasës.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.