Shënim: Lëvizja “Kokëdhima”, çfarë synon ajo?
Koço Kokëdhima ka nisur një lëvizje politike brenda Partisë Socialiste. Ai nuk ka bërë ende të qartë, në formën e një projekti se çfarë synon kjo lëvizje, cilat janë objektivat e saj dhe ku shtrihet ajo. Duke parë kontekstin politik dhe lexuar fjalën e Kokëdhimës në Sarandë, para dy ditësh, mund të nxiren disa mendime - relativisht objektive - për atë se çfarë po synon kjo lëvizje:
Së pari, Kokëdhima ndërmerr një nismë në kushtet kur është prishur me kryeministrin dhe kryetarin e PS-së. Nga një mentor i tij, sot ish-deputeti është jashtë parlamentit, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të cilin ai e cilësoi politik. Ndonëse nuk është e qartë dhe nuk ka transparencë mbi këtë prishje, ambicia personale e Kokëdhimës është ndër faktorët kryesorë të angazhimit të tij.
Së dyti, mënyra sesi po ndërtohet nisma, krijon përshtypjen se ajo është vazhdim i projektit të Kokëdhimës për reformën në PS. Në një opinion të sotshëm në gazetën “Shekulli” flitet për një “emergjencë të demokracisë së brendshme”, diçka që të kujton nevojën e legalizimit të fraksioneve. Kokëdhima nuk e ka honepsur asnjëherë Ben Blushin, por ai e ka kritikuar largimin e tij nga PS-ja, çka sugjeron se koagulimi i çdo pakënaqësie ndaj ekipit të Edi Ramës është efektiv jo duke ikur.
Së treti, duke vazhduar linjën e pikës së mësipërme, vijmë tek objektivi ende i pashpallur për të kontrolluar rotacionin e drejtimit të PS-së. Kritika që Kokëdhima i bëri “fijeve të Geroge Soros në Shqipëri” implikon patjetër edhe njerëz si Erjon Veliaj, i cili nuk e ka fshehur dëshirën për të qenë pasardhës i Edi Ramës në krye të PS-së. Aq sa ka ndërmarrë edhe disa akte simobolike për ta bërë të kuptohet këtë gjë. Paracaktimi i kryetarit të ardhshëm të PS-së është me gjasë problemi kryesor politik për kohezionin e kësaj partie e cila e ka ligjëruar procesin e ndryshimit real.
Së katërti, duke iu referuar këtij paragrafi të fjalës së Kokdhimës në Sarandë:
“Ata që predikojnë se Kokëdhima nuk është socialist kanë frikë nga idetë e mia dhe nuk janë miq as të PS-së as të mitë. Kokëdhima nuk krijon parti tjetër, nuk shkon në parti tjetër, nuk shkon te LSI-ja. Partia e Kokëdhimës është PS-ja. Unë kam punuar për ta bashkuar PS me LSI-në në çdo palë zgjedhje nga viti 2005 deri sot. Ato janë dy parti të dala nga një trung, ato janë dy pjesë të së majtës. Në 2005, 2007, 2009, 2011, 2013, 2015, kam negociuar me vendosmëri për ta bashkuar të majtën. E majta e bashkuar ka fituar gjithmonë, fiton gjithmonë dhe do fitojë gjithmonë. PS ka humbur gjithmonë kur e majta ka qenë e ndarë. Na mjaftojnë këto 6 palë zgjedhje për ta kuptuar këtë fakt të thjesht. Tre herë kemi humbur. Pse duhet ta injorojmë, për shkak të prioriteteve të tjera. Ku ka prioritet më të madh për të majtën se sa marrja e pushtetit dhe ushtrimi i tij në interes të popullit shqiptar, në cilësinë që presin njerëzit, në lartësi që duan qytetarët? Çfarë kemi bërë me përçarjet e të majtës në gjithë këto vite? I kemi dhuruar pushtetin Saliut dhe i kemi bërë gjithë ato thagma popullit, vendit dhe socialistëve. Ju keni aq shumë përvojë dhe nuk mund t’u mësoj unë se sa e papërgjegjshme është të vësh prioritete të tjera mbi atë të qeverisjes së vendit nga e majta e Shqipërisë dhe nga PS-ja. Edhe për 2017-n unë kam punuar gjithë këto muaj dhe këto 3 vjet dhe do të vazhdoj të punoj që të mos bëjmë alkimi politike, të mos bëjmë eksperimente të pamençura, por të mbajmë një të majtë të bashkuar, ta modernizojmë e përmirësojmë atë, të ushtrojmë qeverisjen në cilësinë që do populli dhe jo ta ndajmë vendin dhe shtetin në parcela”, mund të themi pa ndonjë marzh spekullimi se objektivi i vërtetë dhe afatshkrurtë i nismës Kokëdhima, e më gjerë, si pasojë në këtë vështrim vjen edhe dalja e Blushit më vete, është heqja e Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Edi Rama ka një referendum nga pas për të qëndruar si kryetar partie, por pakkush duket i kënaqur me qeverisjen e tij. Me Ilir Metën divorci është shumë i qartë dhe afrimi i PDIU-së deri në prishje të marrëdhënieve me Greqinë, na provon se Rama ka gjetur një zëvendësues për efektin Meta. Ky është një ekuilibër i ri, i cili nuk pranohet aq kollaj, ndaj nuk është e tepërt të thuhet se me idenë kyçe të së majtës së bashkuar, vjen edhe heqja e Ramës nga drejtimi i qeverisë. Imazhi i rënduar i qeverisë favorizon ndryshimin e emrit të kryeministrit, i cili sot që flasim nuk duket se ka ndërmend të tërhiqet. Ajo çfarë na thotë sot ish-mentori i Ramës është se kryeministri duhet të pranojë negociimin për zgjedhjet e ardhshme, ose ndaj tij do të ketë një investim politik të madh për ta lëvizur nga pushteti.
Së fundmi, mbetet për t’u parë se sa ky grupim, në emër të të cilit padashur na flet sot Kokëdhima do të dijë të lobojë edhe në administratën e re amerikane, në krye të së cilës qëndron Donald Trump. Nëse thjeshtojmë arsyetimin, për këtë do të mjaftonte: izolimi i Donald Lu, ndaj të cilit nuk kanë munguar kritikat. Dhe një përpjekje mediatike për të shitur në opinion idenë se “qeveria nuk i ka punët mirë me ShBA-në”. Këto mbeten hipoteza nisur nga një vëzhgim mbi aktet politike të Kokëdhimës që nuk ka ndërmend të largohet nga PS-ja, por të jetë sërish pjesë e pushtetit. E pas tij qëndron edhe një pjesë e aksioneve të LSI-së. A do të qëndrojë Edi Rama ndaj këtyre presioneve? Mbetet për t’u parë...
Add new comment