Leonard Cohen - madhështia e thjeshtësisë
Ka ndodhur shpesh që njerëz të mëdhenj të jenë vlerësuar më shumë pasi kanë vdekur, sesa kur kanë qenë gjallë. Për shembull, sa qenë gjallë, Leon Tolstoit nuk iu dha çmimi Nobel për letërsi, po ashtu, Gandit nuk iu dha çmimi Nobel për paqe. Më duket se edhe muzikantit dhe këngëtarit Leonard Cohen nuk iu dha vendi i merituar midis më të mëdhenjve të muzikës botërore.
Vdekja e tij pak ditë më parë bëri që të shpërthejnë kudo në mediet botërore vlerësime nga më të lartat për të dhe për muzikën e tij. Prita që edhe në Shqipërinë tonë të dilte ndonjë muzikant dhe të thoshte dy fjalë për të, por, mjerisht, asnjë. Kështu, që po shkruaj unë, që, edhe pse nuk di ta trajtoj veprën e tij nga ana profesionale muzikore, po e trajtoj nga anë të tjera: nga përjetimi i lajmit të vdekjes së tij, nga vlerësimet e ndryshme për të dhe nga dëgjimi dhe ridëgjimi i këngëve të tij.
Leonard Cohen studioi për gjuhë angleze e letërsi, por u mor me muzikë, ndonëse letërsia i shërbeu për hartimin e teksteve të këngëve për të cilat thuhet se janë të një niveli, në mos edhe më të lartë, se të Bob Dilanit që fitoi këtë vit çmimin Nobel për letërsi. Si këngëtar nuk kishte ndonjë zë kushedi se çfarë, por zotësia e tij ishte t'ia përshtaste muzikën zërit të tij që ishte tepër i veçantë. Një zë i mbytur, që dukej se dilte nga thellësitë e dheut e që u ngjante recitimit kolektiv të murgjve budistë, i jepte këngëve të tij një dimension tepër të veçantë. Kompozimet e tij ishin të thjeshta. E thjeshtë ishte edhe paraqitja e tij, krejt e ndryshme nga ajo e muzikantëve të tjerë të sotëm që shquhen për ekzibicionizëm, duke transformuar veten deri në kufi të neveritjes. Talenti dhe vullneti i tij për punë nuk u fashitën deri në kohën kur vdiq në moshën 82-vjeçare. Muzika e tij duke qenë tepër emocionuese, është njëkohësisht edhe shumë qetësuese. Kanë thënë për të se ishte mik i melankolisë, por armik i zymtësisë. Temat e këngëve të tij kanë të bëjnë me dashurinë dhe besimin, me dëshpërimin dhe ekzaltimin, me vetminë dhe shoqërinë, me luftën dhe politikën. Influencat e muzikës së tij vinin kryesisht nga Rusia dhe Greqia.
Nuk ka fituar kurrë çmime dhe këngët e tij nuk kanë dalë kurrë në krye të listave të këngëve më të mira, megjithatë kur dëgjon sot këngë të tilla të tij si "Dance me to the end of love", "You got me singing", "A thousend kisses deep" apo, "Alleluja" është e vështirë të përmbash emocionet dhe të mos përlotesh. Për këngën "Alleluja", Coheni punoi pesë vjet, duke e punuar dhe ripunuar. Ndryshe nga muzika e sotme që po nuk u shikua nuk pëlqehet, muzika e tij, ashtu siç duhet të ndodhë me muzikën e vërtetë, shijohet edhe vetëm duke u dëgjuar. Këngëtarët e tij të preferuar ishin Rey Charles dhe Edith Piaf. Nga Rey Charlesi ka marrë edhe disa lloj lëvizjesh në skenë.
Mos njohja gjerësisht e tij e, për rrjedhim, edhe mos vlerësimi sa duhej i tij, ndoshta ka rrjedhur ngase, ndryshe nga shumica tjetër, nuk ishte reklamaxhi, nuk ishte mburravec, ishte njeri i thjeshtë dhe modest. Ashtu e kishte edhe muzikën edhe interpretimin e këngës. Zëri i tij, ndonëse i lehtë, mbarte një fuqi të jashtëzakonshme. Paraqitja në skenë, ashtu si edhe ajo jashtë saj, ishte krejt e thjeshtë. Orkestra e tij e vogël, e veshur thjeshtë, shoqëronte këngëtarin së bashku me një grup të vogël vajzash këngëtare që e mbështesin shumë mirë.
Coheni u lind më 21 shtator 1934 në Montreal, Kanada, në një familje hebreje dhe u rrit duke ndjekur fenë e tij. Nëna e tij, Marsha, ishte ruse nga Lituania. I ati, me prejardhje hebreje-polake, vdiq kur Coheni ishte nëntë vjeç. Familja e tij kishte financuar ndërtimin e një sinagoge dhe Coheni u rrit në këtë sinagogë. Gjatë viteve 1950 deri në fillim të viteve 1960 Coheni u shkollua dhe mbaroi për gjuhë angleze. Botoi disa libra me poezi dhe novela prej të cilave nxori fitime modeste e me të cilat shkoi të jetonte në Londër. Prej aty shkoi në Greqi, ku bleu një shtëpi në ishullin Hydra. Aty jetoi me norvegjezen Marianne Jensen, për të cilën më pas bëri këngën "So long Marianne". Vdekja e saj në vitin 2016, frymëzoi albumin e fundit muzikor të Cohenit "You want it darker".
Nga shkrimi dhe botimi i poezive dhe novelave nuk nxirrte fitime dhe nuk shihte të ardhme. Në vitin 1967, në moshën 33 vjeçare, shkoi në ShBA për të ndjekur një karrierë muzikore si këngëtar dhe si kompozitor këngësh. Dashurinë për muzikën ia atribuon nënës e cila, siç thotë ai, kishte një zë të ëmbël dhe këndonte këngë ruse në shtëpi. Meloditë e saj e preknin shumë. Shpesh këndonin së bashku. Në fillim të karrierës, i ndrojtur dhe i prekshëm, shumë i rezervuar dhe me frikë për të kënduar para publikut, Coheni kishte nevojë për drogë dhe alkool. Ai thoshte: "Nuk mund të këndoj, nuk di ç'të bëj në skenë. Nuk jam interpretues."
Coheni nuk u martua kurrë, ndonëse pati shumë lidhje me gra të njohura. Me njërën prej tyre, me Suzanne Erlod, fotografe artiste, me të cilën bashkëpunoi për albumet e tij muzikore, pati dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.
Në vitin 1970, Coheni bëri të parin turne në ShBA, Kanada dhe Evropë. Në vitin 1972 bëri një turne tjetër në Evropë dhe Izrael. Kur koncerti në Izrael dukej se nuk po shkonte mirë, ai e la skenën për t'u kthyer më pas nga kërkesa e publikut. Në vitin 1976 kemi përsëri turne në Evropë. Në vitin 1984 Coheni paraqiti këngën "Halleluja" të cilën e këndoi në turne në Evropë në vitin 1985. Kënga e fitoi popullaritetin 6 vjet më vonë dhe u konsiderua si kryevepra e tij. Gjendja e tij financiare u përmirësua së tepërmi e, pikërisht në këtë kohë, në vitin 1994, Coheni vendosi të mbyllte karrierën e tij muzikore dhe të mbyllej në një manastir budist në Los Anxheles. Në vitin 1996 u dorëzua murg budist dhe mori emrin Jikan që do të thotë i heshturi. Ai e konsideronte budizmin si mjetin me të cilin mund të pakësonte depresionin. Edhe pse u dorëzua murg budist, Coheni vazhdoi ta konsideronte veten judaist. Ai thoshte: "Nuk po kërkoj një fe të re. Jam krejt i kënaqur me të vjetrën, me judaizmin."
Pesë vjet pas qëndrimit në manastirin budist, në moshën 64 vjeçare, në vitin 1999, Coheni shkoi në Indi, në Mumbai, për t'u bërë student i një udhëheqësi shpirtëror indian. Këtu ai mori vesh se menaxherja e tij, që ishte edhe shoqe e afërt dhe mikeshë e familjes, dhe që administronte financat e tij, ia kishte vjedhur të gjitha paratë, bëhej fjalë për disa miliona dollarë. E kishte filluar vjedhjen që në vitin 1996. Coheni fitoi gjyqin kundër saj, por nuk mund të merrte paret. Duke mbetur financiarisht keq, vendosi të jepte koncerte në vende të ndryshme të botës.
Pas asaj periudhe tërheqjeje, Coheni u rishfaq si muzikant me një forcë që nuk dukej aspak e zbehur.
Në vitin 2008-2009 Coheni bëri një turne në Australi, Zelandën e Re, Gjermani, Angli, Francë, Spanjë, Irlandë, Serbi, Çeki, Hungari, Turqi, Rumani, Spanjë, Izrael.
Në vitin 2012 në një turne tjetër, Coheni shkoi në Belgjikë, Irlandë, Francë, Angli, Spanjë, Portugali, Gjermani, Itali, Kroaci, Danimarkë, Suedi, Norvegji, Finlandë, Rumani, Turqi.
Midis 2008 dhe 2013 dha rreth 400 koncerte.
Vdiq më 7 nëntor, 2016, në moshën 82-vjeçare. Shkaku duhej të ishte një rrëzim që u keqësua nga kanceri që e mundonte prej disa kohësh. Ai vdiq i qetë, në gjumë. Funerali i tij u mbajt më 10 nëntor në Montreal. Ashtu si jetoi, ashtu edhe vdiq, në thjeshtësi. Sipas djalit të tij, punoi deri në ditët e fundit dhe kërkoi që ceremonia e varrimit të ishte krejt e thjeshtë. Në të morën pjesë djali dhe vajza e tij si dhe një grusht i vogël të afërmish. U varros në Montreal me rite judaiste, pranë varreve të familjes së tij, pranë nënës, babait dhe gjyshërve. Porositi që arkivoli të ishte fare i thjeshtë e pa asnjë zbukurim.
Add new comment